Ikja -Nazim Rashidi

Kjo është pamja sot. Ata që duhet të punojnë për të ardhmen e frenojnë atë. Ata që duhet të punojnë për njerëzit i shfrytëzojnë ata. Ata që duhet të japin shpresë e vdesin atë. Dhe për fat të keq në kulmin e krizës politike, e vetmja zgjidhje i bie të jetë ikja. Prandaj dhe jo rastësisht dominion si opsion. E kur të gjithë të kenë ikur, s’do ketë më rëndësi asgjë. As marrëveshja, as e emri i shtetit e as ata pak që do kenë mbetur. Skandali do jetë, se ata që do jenë, apo dhe që janë fajtorë për ikjet në fakt do ikin të parët

Nga Nazim RASHIDI

Por as skandal s’do ketë, se s’do ketë mbetur askush as të skandalizohet. Fundjavën e kaluar isha në Strugën time. Në të gjitha takimet me familjarë e miq, temë diskutimi ishte pa përjashtim e ardhmja e vendit dhe çdo të ndodhë me vendin që sa herë që dukej në këto javë se të ardhmen e ka të qartë, aq më shumë po futet në paqartësi.

“Duhet ikur sa më parë”, tha një shok i cili nuk ka jetë të keqe. I sistemuar me punë, të ardhura stabile, me shtëpi të bukur, të gjithë familjarët me angazhime e biznese, bashkëshortja gjithashtu e punësuar. Por, tek pinte birrën mërmëriste se do ikë sa më parë nga ky vend.

Dhe tek bëhej biseda se sa gjërat shkojnë keq, e sa s’mërziten politikanët për këtë vend, e sa pa përgjegjësi ka sidomos tek klasa politike maqedonase të cilët nuk po dinë të kapin momentin historik për vendin, e si po lënë peng breza të tërë, në kafenenë tonë të preferuar ku kamerierët janë aq të njohur, gati-gati, shokët tanë, na shërben një fytyrë e re. Kamerieri i ri, ende nuk dinte huqet e tavolinës dhe si i tillë tërhoqi vëmendje. Pyetëm pronarin, një shok e mik edhe ai dhe na tha se është nga Shqipëria. Ende nuk na njeh plotësisht si klientë, e me të qeshur na tha se duhet ta marrim me të mirë.

Asgjë e pazakontë mbase, se Struga pranë Shqipërisë është, por arsyeja e ardhjes të atij djalit ishte se një numër i madh të rinjsh nuk ishin më në Strugë. Ka ndodhur, por edhe ky fenomen viteve të fundit është shfaqur, që kamerierë apo dhe krahë punë të kenë ardhur nga Shqipëria, kryesisht verës, por kësaj here edhe pas sezonit turistik gjatë të cilit kërkohet më shumë angazhime. Në lokalin thuajse gjysëm bosh, jo tipike për fundjavat e Strugës, pronari i tij tregon se thuajse s’ka të rinj më në qytet. Kamerierët e tij, që ne i njohim e që na dinë tekat e porosive, kishin ikur jashtë. Shoku im në tavolinë do të ikë, pronari i lokalit do të ikë, të gjithë rreth nesh flasin për ikje.StrugaLajm

Ikja ishte fjala e mbrëmjes. Ditën tjetër, për të shfrytëzuar rrezet e diellit dhe vjeshtën plot ngjyra, babi im sugjeroi të shkojmë në mal, në korrje, siç thotë ai, se ishte edhe koha e gështenjave, por edhe për të parë vendin që s’kishim qenë me vite. Rrugës, duke kaluar nëpër fshat, me shtëpi të mëdha, oborre me parqe, por pa lëvizje, temë e diskutimit ishte ikja. Sërish ikja.

Në një pjesë të fshatit pa mbërrirë buzë malit, më tregonte shtëpitë të cilat ishin bosh, të tjera që sapo ishin boshatisur dhe në një hapësirë me rreth dhjetë shtëpi, kishte vetëm dy fëmijë, djem të rinj, njëri student që praktikisht nuk jetonte aty dhe tjetri gjimnazist.

Po. Të gjithë kishin ikur. Rruga për në mal nuk ishte e pastruar, natyra dhe gjethet plot ngjyra e shumë ndjellëse, edhe pse tërheqëse, nuk të linin të shkoje shumë larg. Prapë për të njëjtën arsye, shumë kohë nuk kishin kaluar njerëz andej, e rrugët edhe ishin mbyllur.StrugaLajm

Nuk është se as ju nuk e dini faktin se një numër i madh i njerëzve, sidomos të rinj po ikin. Por mendoj se duhet theksuar e ritheksuar këtë fakt sepse duhet mbetur i dokumentuar realiteti, se zbrazja kësaj here ndodh për shkak të zhgënjimit të madh që vjen nga politika kryesisht dhe papunësia. Maqedonia është në një moment tejet delikat në ekzistencën e saj. Dhe me të gjithë që flas e më rrethojnë, si privatisht ashtu dhe profesionalisht, e thonë se nuk mund të humbet rasti për të dhënë shpresë dhe shtysë për të shkuar përpara.

Por ja që frika dhe rreziku që kjo të ndodhë është e mundur. Doja të shkruaja sot për fenomene të tjera, për lirinë e shprehjes dhe për filmin kontrovers në Maqedoni “Tallja e Krishtit” që ngjalli debate, doja të shkruaja për censurën dhe si ndalimi i një filmi është më keq se një film i keq. Doja të shkruaja për guximin dhe rrëfimin e tmerrshëm të zonjës Vasfije Krasniqi që publikisht foli për përdhunimin e saj nga forcat serbe në Kosovë. Doja të shkruaja për bashkëshortin e saj, vëllezërit e saj, që në fund të rrëfimit emocional e përqafuan dhe e mbështetën.

Doja të shkruaja edhe për një vjetorin e pushtetit lokal. Një vjet pas zgjedhjeve lokale se si qytetet tona duken edhe më të pa pastra, edhe më kaos, edhe me më shumë probleme. Por sërish për fat të keq, më dominoi përshtypja e marrë nga qytetet dhe fshatrat tona të zbrazura. Ajo ndjesia se mund të flasësh për gjithçka por kot, kur njerëzit më s’do jenë këtu.

Kjo ndjesi më përforcohet edhe më shumë, sepse edhe ata që duhet të punojnë për të mbajtur njerëzit nuk besojnë më në këtë vend. Pas një debati të fortë televiziv, një përfaqësues i lartë i një partie më tha, “se kuptoj se pse je kthyer prej Londre, çfarë po bën këtu. S’të kuptoj?”. Ia ktheva, duke i thënë, “po ti e thua këtë. Ti që duhet të japësh shpresë. Që duhet të krijosh kushte e të nxisësh të tjerët të kthehen?”. Siç ndodh më kohëve të fundit, ku pesha e fjalës së thënë në publik, ka devalvuar rëndë, politikani i zellshëm për tu zënë se marrëveshja me Greqinë ishte e keqe, tha me lehtësi të madhe se “bënte vetëm shaka”.

Por kjo është pamja sot. Ata që duhet të punojnë për të ardhmen e frenojnë atë. Ata që duhet të punojnë për njerëzit i shfrytëzojnë ata. Ata që duhet të japin shpresë e vdesin atë. Dhe për fat të keq në kulmin e krizës politike, e vetmja zgjidhje i bie të jetë ikja. Prandaj dhe jo rastësisht dominon si opsion. E kur të gjithë të kenë ikur, s’do ketë më rëndësi asgjë. As marrëveshja, as e emri i shtetit e as ata pak që do kenë mbetur. Skandali do jetë, se ata që do jenë, apo dhe që janë fajtorë për ikjet në fakt do ikin të parët.

Por as skandal s’do ketë, se s’do ketë mbetur askush as të skandalizohet.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...