INTERPRETIMI I DËSHTIMIT SI SUKSES

Shkelzen HALIMI

Absurdet e politikës shqiptare u treguan pa fund. Sa herë që partitë shqiptare u bënë pjesë e pushteti, në një mënyrë morën trajtën e një ujdhese me banorë të dëgjuar e të kontrolluar, ndërkaq tërësia tjetër (ata që mendonin ndryshe) që mbetej larg ujdhesës, konsiderohej si tërësi e rrezikshme. Izolimi i këtillë që ishte i tejdukshëm nxori në shesh injorancën e madhe politike dhe frikën nga e vërteta.

Kthimi te vetvetja, do të thoshte dalja nga amullia e tjetërsimit, e cila amulli ka bërë që për interesa individuale –grupore, t’i shërbejnë tjetrit në dëmin e popullit. Vetëm kur shqiptarët të arrijnë në stadin e rikthimit te vetvetja, do të mund të bëjnë hapin e parë drejt të kuptuarit se elitat e tyre politike nuk bënë asgjë tjetër pos që huazuan metodat e palës tjetër për të bërë vetëvrasje. Ata ishin dëshmitarë të vetëplagosjeve dhe të frymëmarrjes së rënduar që vazhdimisht i shmangej fundit. Duke mos pasur paqe me vetveten, ishte e pritshme që në pah të dalë urrejtja dhe dhuna.
Grupet politike shqiptare jo një herë kishin dëshmuar se i mjaftojnë vetvetes, duke u shndërruar në grupe interesi. Këto grupe rreth vetes betonuan të gjitha portat, ndaj dhe ishte vështirë të afrohej te ta diçka e re apo ndryshimi. Me vite e vite në ballë qëndruan të njëjta figura, që u bënë “ikona” të pushtetit. Ato veten e konsideruan si epiqendër të fatit të kombit, pavarësisht se u bë e qartë se ishin pa emocione, pa mëshirë, pa dhembje, pa përkushtim…Po këto grupime sa herë që morën përsipër barrën e rëndë që të jenë përfaqësues të denjë dhe në shërbim të popullit, me t’u rehatuar në kolltukun e pushtetit, ia kthyen shpinën popullit. Shoqëria shqiptare u përball me dhunë e presione, por edhe ma pamundësinë e grupeve politike që ta ndryshojnë gjendjen. Këto zgjatime të një politike të padefinuar mirë, ishin pasoja të mungesë së përvojës, njohurive elementare dhe vizionit të qartë. Politika e tyre nuk ishte politikë, por një mashtrim i vetvetes, aq më tepër një diletantizëm, i cili u vërejt pothuaj në çdo veprim politik. Mospasja e njohurive elementare jo vetëm për politikë, e garantonte dështimin e plotë, kurse paturpësia e këtyre grupeve shkoi deri atje, sa edhe dështimi paraqitej si sukses. Ndryshe “amshueshmëria” e pushtetit do të humbte kuptimin.

Loading...











Loading…