Kur “baba” na la “jetimë”

 

Duhet ndarë shapin prej sheqerit kur flasim për historinë tonë dhe historinë e të tjerëve…që mos të na ndodhë që synimet shekullore të të tjerëve, t’i përjetojmë si tonat, siç bëjnë disa! Këtë përfundim e nxora edhe nga një shkrim kritik të një autori boshnjak, i cili ishte thellë i habitur me veprimet e establishmentit politik e fetar boshnjak ndaj disa ngjarjeve të kaluara dhe të kohës më të re, e që u përngjasojnë shumë disa situatave tona…

Nga Daut DAUTI

Shyqyr që sot është ditë e heshtjes dhe nuk mund të merrem me ndonjë temë që u përket zgjedhjeve presidenciale. Nuk na bën keq një intermexo nga politika që t’u kthehemi disa temave tjera, siç është mentaliteti ynë prej robi, ose futbolli, që këtë javë na la pa fjalë me ndeshjet e çerekfinales së Kupës së kampionëve.

  1. ADHURIMI DHE GLORIFIKIMI JO KRITIK

“A mos di çka u bë me sulltan Abdylhamidin?”, më kishte dërguar një mik përmes e-mailit të facebookut. “E di që e shikon serialin e Abdylhamidit, prandaj po të pyes nëse do të vazhdojë ose jo”.

Pyetja e tij më kishte prekur “në tel”, sepse të njëjtën dilemë e kisha edhe unë. Sepse vërtet sulltani u tret brenda nate nga ekrani, kurse atmosfera e serialit, edhe pse artistike, më shërbente si një kronikë e ngjarjeve të asaj kohe turbulente. Hyra në faqen e televizionit që e emetonte, nuk kishte asnjë shpjegim. Doemos do të kenë përfunduar episodet e sezonit të parë, sepse nuk ka logjikë të ndërpresësh pa kurrfarë shpjegimi serialin që të sjell reklama e shikueshmëri. Pakashumë edhe unë i shpreha habinë time mikut, i cili s’është veç nga facebooku, por një shok gjenerate.

Por kjo korrespodencë elektronike më ktheu prapë te sulltani për diçka tjetër. Sepse pasi e kisha shkruar tekstin me gjithë ato dilema që mbeten prapa personalitetit të historisë(kur dikush e adhuron, e dikush urren, kurse atë e përmbysën xhonturqit), një mik tjetër më kishte dërguar përmes facebokut një ligjëratë të një imami kushtuar “babës sonë”!StrugaLajm

Babës sonë? E keni parasysh! Me gjithë zemërgjerësinë, nuk kam shumë mirëkuptim për ata që rreshtohen me adhurimet e pakufi, deri në verbëri madje, ndaj figurave të caktuara. Kjo, ngase më duket se ka diçka të panatyrshme në adhurimet e këtilla, ka një sinqeritet naiv për t’i idealizuar përtej meritave. Ky imami ynë, të emrin e të cilit e hasja për herë të parë, e kishte mbajtur një ligjëratë para xhematit të vet një ditë xhumaje, në përvjetorin e vdekjes së “babait tonë”! E qartë, babai ishte sulltan Abdylhamidi! Më fascinoi me sa zell i ishte qasur figurës së tij, dhe sa të dhëna historike kishte mbledhur për të! Një imam kur të del para xhematit, duhet të jetë i mbathur me faktografi. Por, ai, përpos faktografisë, ligjëratën e kishte ngjeshur me shumë emocione, gjer në ekzaltim. Sepse prej asaj ligjërate mësova se tashmë ne shqiptarët pas vdekjes së babës, kishim mbetur jetim. Edhe shteti ynë që ishte krijuar mbas sulltanit, nuk ishte kujdesur për shqiptarët sa vetë sulltani(sipas tij). Vërtet një babë shembullor për ta dashur e qarë përjetë që na ka lënë vetëm, ne “fëmijëve” të tij!

Hoxha i fascinuar nga shëmbëlltyra e “babës” dhe i emocionuar së tepërmi, nuk u përpoq as për një çast të hedhë ndonjë pikë dyshimi për shëmbëlltyrën e tij. Hajt se na la jetimë pasi vdiq ai, por që s’na nxori në udhë të hajrit gjersa qe gjallë, a nuk duhej të thoshte diçka? Ose, të thoshte se si ky “baba” më shumë i kishte dashur disa “bijë” kryeneçë që ia kishin kthyer fjalën, se sa djemtë e tij “të dëgjueshëm”.

Në të vërtetë, çështja pse iu ktheva shkrimit të njëjtë, nuk është se dua ta njollos ose ta mbroj një sulltan të një perandorie, me të cilën kemi ndarë të mirë e të keqe pesë shekuj në këto troje, por te qasja jo kritike e “opinionistëve” fetarë, të cilët në emër të fesë janë të prirë t’i relativizojnë të vërtetat, prej të cilave ikin si prej zjarri. Ose i bien vetëm një teli, duke harruar se sot ka shumë shtete e kombe myslimane, interesat e të cilave nuk janë të përputhshme mes vete, siç nuk kanë qenë të përputhshme as interesat e myslimanëve shqiptarë dhe atyre turq në kohën kur janë krijuar shumë shtete, pra, pikërisht në kohën e sundimit të sulltan Abndylhamidit(ai e shtypi Lidhjen e Prizrenit, në krye të së cilës ishin myslimanë shqiptarë!). Myslimanët mund të jenë vëllezër frymën fetare, por secili don të jetë zot në tokë të vet. Disa imamë këto çështje si duket nuk duan t’i kuptojnë.StrugaLajm

Dilemave që i pata shprehur në shkrimin e parë për sulltan Abdylhamidin nuk kam çka t’u shtoj, përveçse të them se jam kundër glorifikimeve të verbra dhe përbaltjeve të paargumentuara të kujtodoqoftë, pra as të sulltanit të përmendur. Ky imami për ta forcuar rolin e “babës mbret”, u thirr në thënie kuranore se duhet të respektohet pushteti, por nuk tha se çka të bëhet nëse ai pushtet është i padrejtë, siç kemi pasur ne në periudha të caktuara në këto troje. (Tash më është më i qartë përse dajët e mi kur vinin nga Stambolli, shprehnin habinë kur shihnin se si ne këtu jemi “kundër dovletit”. E kishte fjalën kundër dovletit të asaj kohe, pra, pushtetit komunist, bile edhe më keq, të periudhës së Millosheviqit. Sepse dajët e mi ashtu ishin edukuar, ta respektojnë dovletin me çdo kusht, edhe pse vetë në Turqi, sa qenë gjallë, kishin pasur rast të shohin se “dovletqarët” i përmbysnin pa kurrfarë respekti!). Dhe duhet ndarë shapin prej sheqerit kur flasim për historinë tonë dhe historinë e të tjerëve…që të mos na ndodhë që historinë ose më saktë, synimet shekullore të të tjerëve, t’i përjetojmë si tonat, siç bëjnë disa! Këtë përfundim më shtyri një shkrim kritik i një autori boshnjak, i cili ishte thellë i habitur me veprimet e establishmentit politik e fetar boshnjak, të cilët u bënin nderime viktimave boshnjake që kishin rënë në betejën e njohur të Çanakalasë (edhe për këtë pata shkuar në kontekstin tonë) dhe nuk i nderonin heronjtë që kishin rënë për pavarësinë e Bosnjës në Luftën e Dytë Botërore ose që kishin bërë kryengritje edhe më herët (http://balkans.aljazeera.net/vijesti/aferim-braco-bosnjaci-kad-zelite-biti-jos-pokornije-sluge?fbclid=IwAR3DIgEox36o4rMHfAMajaaeq7Nd7hLnb0ZRCER_bp0n14R448V7NwsIwbk). Edhe ky autor shprehte dilemat nëse ardhja e Perandorisë Osmane në Bosnje ka qenë çlirim ose okupim, duke pasur parasysh se kishte ekzistuar shteti mesjetar i Bosnjës, diç ngjashëm që disa imamë tanë kanë dilema rreth periudhës së Skënderbeut. Më duket se në këtë grackë, me vetëdije ose pa vetëdije, kanë rënë shumë shqiptarë.

Projekteve historike kombëtare nuk duhet t’u jepen ngjyrë fetare ose anasjelltas. Që të mos na ndodhë që më shumë të çmohet flijimi për perandorinë osmane ose për Turqinë, ose madje edhe për ndonjë kauzë më “trendi”(si psh. për Shtetim Islamik?!), se sa për shtetin kombëtar tonin. Sepse, synimet kombëtare nuk e përjashtojnë fenë, kurse feja nuk duhet ta mjegullojë deri në atë shkallë mendjen sa të mos kuptojmë se Perandoria Osmane ka qenë një projekt historik me përmasa të ekspansionit dhe dominimit politik e ushtarak. Gjithë kjo e përshkuar me luftëra të pandërprera të përgjakshme për pushtime tokash të reja e për shuarje kryengritjesh. Çështja është të vlerësohet drejtë se sa përfitime kanë pasur shqiptarët në pikëpamje të emancipimit kombëtar në kuadër të saj.

  1. VAR-i QË MBYT EMOCIONET E VENDOS DREJTËSI

Ah, ky futbolli…gjëja më e bukur dytësore në botë! (Kërkoj falje nëse kjo frazë nuk është origjinale, nga shqipja). Ama bukur e përshkruan rolin e futbollit në jetët tona. Do të ishte më mirë sikur të ishim lokalpatriotë dhe Kupën e Kampionëve ku nuk ka ekipe tona ta shikonim të shkarkuar nga emocionet e tifozëve të flaktë. Por, ja, ne jemi kozmopolitë në sport dhe prandaj kemi ekipet “tona”, ndaj po e ndaj “dhembjen’ me shumë tifozë tanë të Juventusit ose Mançester Sitit që kësaj jave iu shembën ëndrrat vetëm brenda pak minutash drame në fushë. Unë nuk jam as “juventin” e as “sitist”, por m’u dhimbsën këto dy ekipe për shkak të trajnerëve të shkëlqyeshëm që kanë punuar me zell dhe që vite me radhë vijnë deri në këtë fazë, dhe ndodh “diçka” që skuadrat e tyre nuk shkojnë në finale.

Alegri ka bërë një ekip dominues në kampionatin italian dhe vazhdimisht pretendent edhe për kampion Evrope, dhe ajo “diçka” që i mungoi më parë, sivjet e kompensoi me angazhimin e Kristijano Ronaldos, për të cilin nuk ka nevojë të flitet. Por, ja, as ai nuk i ndihmoi kundër skuadrës “autsajdere” të Ajaksit, e cila pa yje të mëdha, por me lojë imagjinatave, së fundmi e “nominoi” veten për finale. Me lojtarë të rinj e të motivuar, që në kohën e duhur e flakën kompleksin e më të voglit, tash askush nuk mund t’i marrë si autsajderë.

Pësimin edhe më të madh e mori Pep Guardiola, i cili pas disa sezoneve të shkëlqyeshme me Barcelonën, kur dhe arriti deri te titujt e kampionit evropian dhe gjithë bota e admiron taktikën e tij të lojës me shumë kombinime, me dy skuadrat tjera të mëdha, Bajernin dhe Mançester Sitin, assesi t’i afrohet finales. Pronarët e pasur të M.Sitit i lanë në dispozicion më shumë se gjysmë miliardi euro(funta) për blerje lojtarësh, dhe gjithçka shkon mbarë, me tituj të Premier Ligës, por kjo nuk është ambicia e pronarëve, e as e tij. Gjithë menduam se i buzëqeshi fati kur i ra shorti të luajë me një ekip anglez të ranguar më poshtë në tabelë, por, Totenhemi, dhe VAR-teknologjia, kësaj radhe, iu bënë pengesë më shumë sesa ta kalonte Lamanshin! Askush nuk mund ta akuzojë taktikën e tij, sepse skuadra dha pesë gola, por as kjo nuk i mjaftoi. Fati luajti me skuadrën e tij, dy gabime në fund të ndeshjes dhe një gabim i VAR-teknologjisë në fund kur u anulua goli për shkak të ofsajdit. Edhe sistemit VAR mund t’ia kontestojmë “vendimin”, sepse ndoshta për një të qindtën e sekondës futbollisti që shënoi mund të ketë qenë në pozitë jashtë loje, gjë që me sy të lirë, në kushte pa VAR, asnjë refer nuk do ta kishte anuluar. Në të vërtetë, aplikimi i këtij sistemi elektronik, ndonëse si tha një komentues sportiv, “i vret emocionet”, korrigjon gabimet që me dashje a pa dashje mund t’i bëjnë referët. Këso gabimesh kanë ndikuar madje dhe edhe nëpër kampionate botërore.

Sigurisht të ishte VAR-sistemi, nuk do të jepte dhe të pranohej goli i Maradonës me dorë, që e eliminoi Anglinë në Kampionatin Botëror 1986, ndoshta Anglia do të kishte shkuar në finale, jo Argjentina. Padrejtësi dhe gabime ka pasur në shumë ndeshje kyç, ku ka ndikuar që të fitojë dikush pa meritë. Më gjithë rrëmujën që shkakton aplikimi i tij, duhet thënë se në shumë gara ndërkombëtare dhe në disa kampionate kombëtare, mund t’i pakojë padrejtësitë, por jo në tërësi, sepse në ndeshjen M.Siti-Totenhem, mbeten polemikat nëse pa të drejtë u eliminua nikoqiri që ishte favorit.

Sido që të jetë, na pret një finale shumë interesante pas befasive të mëdha(u eliminuan gjigantë si PSG, Reali i Madridit, Mançester Siti, Bajerni, Mançester Junajtedi, kurse shkuan në gjysmëfinale dy autsajderë si Totenhemi dhe Ajaksi i harruar.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...