Kush është qytetari i shkelur dhe i rëndomtë!

Naser SAHITI

Karl Marksi është një nga figurat më emblematike të shekullit të 19-të, si filozof, politikolog, ekonomist e sociolog, me prejardhje hebreje. Fillimisht u ndikua shumë nga filozofia e Hegelit dhe ishte idealist, por me kalimin e kohës, kaloi në materializëm dhe inspirim kryesor kishte Fojerbahun. Kryevepra të tij konsiderohen padyshim vepra voluminoze e titulluar “Kapitali”, si dhe pamfleti e tij e mirënjohur “Manifesti komunist”, e shkruar në bashkëpunim me Engelsin. Është i pamohueshëm fakti se si këto shkrime ndikuan në ndryshime revolucionare në gati se tërë botën, e në shumë sisteme politiko-ekonomike. Ideja kryesore e Marksit ishte krijimi i një shoqërie pa klasa, pa dallime ekonomike, siç ishte rasti në sistemin kapitalist në të cilën jetonte. Teoritë kritike të tij rreth shoqërisë, ekonomisë dhe politikës – të njohura si marksizëm – mbajnë faktin se shoqëria njerëzore zhvillohet nëpërmes konfliktit shoqëror, e në shoqërinë kapitaliste këtë e hasim në konfliktin mes: klasës borgjeze – klasa që posedonte tokën dhe mjetet e punës, duke ushtruar njëkohësisht kontroll absolut ndaj punëtorëve dhe proletariatit apo klasës punëtore – klasa më e varfër, kryesisht të përjashtuar nga shumë përfitime të qytetërimit.

Në shkrimet e tij, ai thekson padrejtësitë që ndodhin në një sistem të tillë socio-ekonomik, gjë që e hasim edhe sot, pas më shumë se 100 vite të teorive të Marksit, e sidomos në dallimin mes klasës punëtore urbane dhe asaj rurale. Kjo e fundit është e varur në mënyrë ekskluzive nga puna që bëjnë dhe nga paga mujore, shpesh herë pa ndonjë përfitim tjetër, përveç asaj që paguhet çdo muaj, e që ndoshta ndonjëherë nuk i mjafton për ta siguruar ekzistencën. Nëse bëjmë një krahasim mes klasës punëtore sot dhe asaj të shekullit të 19-të, shohim ka shumë ngjashmëri. Edhe sot, klasa udhëheqëse apo “borgjeze”, posedon shumicën e kapitalit që dikur ishte në duart e shtetit, si ndërmarrjet dhe korporata e mëdha që janë ndërkombëtare apo të vendit. Edhe ato pak ndërmarrje shtetërore kontrollohen nga të njëjtat korporata, respektivisht përqindja më e madhe e kapitalit kontrollohet pikërisht nga ta. Për këtë arsye edhe kapitalizmi definohet si sistem socio – ekonomik, ku tregtia, industria dhe fitimet kontrollohet nga korporatat private, në vend se nga njerëzit, koha dhe puna e të cilëve i mbajnë gjallë këto korporata. Lloji i ndikimit që mund të ketë kapitalizmi mbi një person varet nga fakti nëse i njëjti është punëtor apo shef. Për një individ që zotëron një kompani dhe punëson punëtorë të tjerë, kapitalizmi mund të jetë i mirë, madje edhe i pëlqyeshëm. Mirëpo, fatkeqësisht, problemi qëndron në faktin se shumë shefa kapitalist nuk ndajnë kapitalin në mënyrë proporcionale, çka është edhe kritika kryesore e kapitalizmit, si shtytëse e madhe e pabarazisë sociale dhe ekonomike.

Nga kjo mund të konstatojmë se për vite me radhë, madje edhe shekuj, punëtori i thjeshtë ka qenë çdoherë, e fatkeqësisht edhe mbetet deri më sot, një qytetar i shkelur e i rëndomtë, puna e të cilit mund të zëvendësohet menjëherë me tjetrin, duke e zbritur atë në një individ jo aq të rëndësishëm për punën që kryen, gjë kjo që shtyn drejt tjetërsimit të të njëjtit punëtor me punën që kryen, pasi ai është i rëndësishëm vetëm për aq kohë sa është i dobishëm. Ndodh që i njëjti duhet të punojë në kushte fatale të punës, shpesh edhe pa të drejtë ankese, me frikën e kërcënimin e vazhdueshëm se mund të humb punën dhe të ardhurat e vetme të ekzistencës. 

Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm atëherë kur të arrihet balancimit i këtyre padrejtësive socio – ekonomike, gjë që, në rrethanat aktuale, është vetëm një dëshirë utopike.

Loading...
loading...











Loading…


loading…