16 paralele në shqip për Strugën në shkollat e mesme!

Është publikuar në limitet e fundit të afatit kohor Konkursi për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme komunale dhe shtetërore të Maqedonisë. Sipas Ligjit për arsim të mesëm, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të bëj të ditura vendet për regjistrim më se voni në datën 31 mars, sikurse edhe ndodhi praktikisht, shkruan gazeta KOHA. Sipas të njëjtit, për vitin shkollor 2017/2018 janë siguruar 35.909 vende të lira edhe atë: 25.127 në gjuhën maqedonase, 9830 në gjuhën shqipe, 918 në gjuhën turke dhe 34 vende në gjuhën serbe. Prej vitit të ardhshëm shkollor, sikurse ka bërë të ditur MASH, në arsimin e mesëm profesional do të formohen edhe paralele dyvjeçare, krahas atyre tre dhe katër vjeçare. Në nivel shteti janë ofruar 1060 paralele, prej të cilave 290 ose vetëm 27 për qind në gjuhën shqipe. Pjesa dërmuese e vendeve të lira janë për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, për të cilën anë ofruar rreth 72 për qind e vendeve të përgjithshme. Për gjysmëmaturantët shqiptarë të këtij viti, më së shumti paralele do të kenë shkollat e Qytetit të Shkupit (97 gjithsej) edhe pse as në kryeqytet oferta për mësim në gjuhën shqipe nuk korrespondon me nevojat reale. Numri i gjysmëmaturantëve shqiptarë në shkollat e Shkupit është rreth 34 për qind, ndërsa numri i vendeve të lira që ofrohen me Konkursin e Ministrisë nuk kalon 30 përqindëshin. Në qytete tjera të banuara me shqiptarë, numri i paraleleve shqipe është si vijon: 75 në Tetovë, 34 në Kumanove, 28 në Gostivar, 13 në Kërçove, 16 në Strugë, 6 në Dibër, nga 4 paralele në Likovë dhe Dollnen, nga 3 në Vrapçishtë, Manastir dhe Veles, si dhe nga 2 paralele në Ohër dhe Resnjë. Pjesa më e madhe e paraleleve, në rrafshin e përgjithshëm, janë të drejtimeve profesionale. Numri i pikëve për regjistrim mbetet i njëjtë: për gjimnaz 60 pikë, për drejtimet mjekësore 70 pikë, ekonomi-juridik dhe tregti 60 pikë, komunikacion 55 pikë, e kështu me radhë. Për drejtimet profesionet arsimore dy vjeçare dhe tre vjeçare numri i pikëve për regjistrim është 30 pikë minimumi. Risia tjetër e këtij Konkursi është se nga viti shkollor 2017/2018 do të punohet me programet dhe librat e Kembrixhit në lëndët e Matematikës, Biologjisë, Fizikës dhe Kimisë. Në gjimnaz, në drejtimin matematiko-natyrorë, theksi do të vihet në përforcimin dhe mësimin e matematikës në kombinimin A nga 5 orë në javë (çdo vit shkollor) dhe në kombinimin B nga 3 orë në javë (viti i parë dhe i dytë) dhe nga 4 orë në javë (viti i tretë dhe i katërt). Prandaj, gjatë regjistrim është e nevojshme që nxënësit të përcaktohen për drejtimin dhe kombinimin përkatës.StrugaLajmStrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...