Deputeti Ramiz Kelmendi ka thënë se nuk do të votojë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, sepse është kërcënuar ai dhe familja e tij.
“Kam pasur edhe kërcënime personale edhe ndaj anëtarëve të familjes”, ka thënë Kelmendi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kelmendi ka treguar se familjarët e tij kanë marrë kërcënime nëse ai do të votonte demarkacionin me Malin e Zi.
“I kanë çuar për të më thënë mua dhe anëtarëve të familjes: ‘Nëse babai yt e voton demarkacionin, ke parasysh ku do të jesh ti”, ka thënë ai në televizionin T7.
Kelmendi ka thënë se nuk u beson organeve të drejtësisë, prandaj nuk ka pranuar të tregojë se kush e ka kërcënuar.
“S’mund të them kush, sepse s’zgjidhet asgjë nëse tregoj”, ka thënë ai.
Kelmendi ka thënë se ai është kërcënuar edhe nga organizata “Syri i Popullit”.
“Unë kam edhe kërcënime prej ‘Syrit të Popullit’ edhe prej këtyre të demarkacionit”, ka thënë ai.
Kelmendi ka thënë se ai nuk do të marrë pjesë fare në seancën e Kuvendit të Kosovës për demarkacionin, e cila është thirrur sot në orën 16:00. (r.m.)