Akoma ushqehemi me mish Brazili!

Kriza e fundit energjetike dhe pasojat e luftës në Ukrainë si shtrenjtimi i ushqimit të kafshëve dhe plehrave artificial etj, vetëm se ka rritur brengat për të siguruar ushqimin nga prodhimi vendor në shtetet që kanë mundë si dhe potencial për diçka të tillë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 9 maj – Asnjë shtet në botë në tërë si nuk kënaq nevojat e tij për ushqim, mirëpo në pjesën më të madhe orientohet ndaj prodhimtarisë bujqësore ku ka më shumë përparësi konkurruese dhe ku në treg mund të ofrojë sasi dhe cilësi të mjaftueshme që do të orientohen në eksport dhe do të kënaqin edhe nevojat vendore për prodhime bujqësore dhe të ushqimit. Maqedonia e Veriut në periudhën e kaluar përkundër derdhjes së mbi 100 milionë euro në vit të subvencioneve megjithatë po shënon përparim të vogël në avancimin më të madh të prodhimtarisë tek shumica e kulturave bujqësore. Kriza e fundit energjetike dhe pasojat e luftës në Ukrainë si shtrenjtimi i ushqimit të kafshëve dhe plehrave artificial dhe më shumë repromaterialeve dhe lëndë të tjera të para, vetëm se ka rritur brengat për të siguruar ushqimin nga prodhimi vendor në shtetet që kanë mundë si dhe potencial për diçka të tillë.

Gjithashtu, betonizimi i tokës bujqësore, parcelat e vogla dhe të shpërndara, shfrytëzimi i zonave fushore dhe tokave bujqësore për ndërtime të ulëta e të larta, mos interesimi i fermerëve potencial që të punojnë arat për shkak të kostos së lartë dhe fitimeve të ulëta, ikja e madhe e popullatës së re jashtë shtetit, vlerësohen të jenë ndër shkaqet kryesore pse nuk punohet një pjesë e madhe e tokës bujqësore në Maqedoninë e Veriut.

Një herësh Maqedonia e Veriut është e goditur si nga rritja e madhe e çmimeve të vajit, sheqerit, mishit, qumështit e kështu me radhë që varen në një pjesë të madhe nga luhatjet në tregjet e jashtme.

Gjithashtu edhe kulturat industriale janë rralluar në arrat tona, duke filluar nga rrepa e sheqerit, vaji i lulediellit, rrepa e vajit, pambuku, etj. Të dhënat statistikore tregojnë se prodhimtaria e tyre me vite stagnon si dhe po zvogëlohen edhe tokat bujqësore të mbjella me këto kultura. Nga ana tjetër, edhe pse me kushte të volitshme klimatike, me traditë të begatë këto kultura vështirë po kthehen në ara, ndërsa po ndahen me qindra miliona euro për importin e tyre.

Në vitin e kaluar kemi importuar ushqime me vlerë prej 754 milionë euro në raport me eksportin e ushqimeve prej 390 milionë euro, që nënkupton një gropë të madhe apo deficit në këmbimin tregtar të prodhimeve ushqimore prej 354 milionë euro.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2018, tregojnë se nëse merren prodhimet kryesore të importuara në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit që mund të prodhohen edhe në vend del se 46 milionë janë harxhuar për qumështin, kos, djathë, ajkë e të ngjashme që kryesisht vjen si import nga shtetet e Ballkanit perëndimor, 107 milionë euro janë harxhuar për importin e mishit të gjedhit, lopës e kështu me radhë nga Brazili, Polonia, Gjermania, Austria e kështu me radhë. Ka pasur edhe import prej 30 milionë euro për drithëra kryesisht nga Serbia, Kroacia, Bullgaria, apo edhe vaj dhe lëndë e parë për prodhimin e vajit me vlerë prej 50 milionë euro, apo të sheqerit në vlerë prej 45 milionë euro.

Në vitet e mëvonshme këto trende jo që nuk janë përmirësuar, por janë përkeqësuar, ku në vitin e kaluar vetëm për importin e mishit kemi harxhuar afër 150 milionë euro që është për 43 milionë euro më shumë se në vitin 2018.StrugaLajm

Profesori universitar Dragi Dimitrievski thotë se nuk ekzistojnë përgjigje të thjeshta se sa dhe si vendi mund të sigurojë ushqimin nga prodhimi vendor, por një çështje e tillë kërkon analiza më të thella si dhe një përgatitje më studimore për të siguruar artikujt themelor ushqimor. Për më tepër vlerëson se copëzimi i tokës dhe fermat e vogla që kanë rendimente të ulëta, shtrenjtimi i lëndëve të para karshi kostos përfundimtare të prodhimtarisë apo kostoja më e lartë e harxhimeve hyrëse se atyre dalëse, mbyllja e kombinateve të mëdha, mungesa e të rinjve në bujqësi janë një pjesë e gjendjes aktuale në bujqësinë vendore.

Që të zgjidhen kë to probleme të lartpërmendura në një periudhë afatmesme dhe që vendi të sigurojë ushqim për popullatën nga prodhimi vendor, nevojitet të nisim nga këto dobësi, por edhe të tjerat, që të ofrojmë shteg për rrugë dalje dhe zgjidhjen e këtyre problemeve. “Nuk mundemi në tërësi të sigurojmë të gjitha nevojat për ushqime, megjithatë ekziston mundësia që të rrisim prodhimtarinë e artikujve themelor ushqimor , duke përdorur edhe mënyrën më të mirë për të bërë diçka apo optimizmin maksimal të kapaciteteve duke i përdorur për prodhimtarinë e ushqimit”, shton më tej Dimitrievski.

Në ndërkohë, agronomët vlerësojnë se një nga shkaqet kryesore pse ushqehemi me ushqim të prodhuar jashtë është prodhimi stihik, si dhe fakti se bujqit pak prodhojnë prodhime blegtorale, si pemë apo perime për industrinë përpunuese, ndërsa më shumë janë të orientuar të prodhojnë për shitje në treg, në vend për kapacitetet prodhuese. Me fjalë të tjera mungon përpunimi më i madh i industrial i përpunimeve të qumështit, mishit, si dhe pemë-perimeve.

Njohësit e tjerë të bujqësisë thonë se në vend ekziston nivel i ulët i gatishmërisë së bujqësisë që nesër të garojë me bujqësinë evropiane, ndërsa akoma mbetet shumë punë që prodhimtaria vendore bujqësore të jetë e aftë të konkurrojë me bujqësinë e shteteve evropiane. “Ne kemi një bujqësisë që kërkon shumë punë dhe ka produktivitet të madh ku bile një e katërta e fuqisë punëtore është e angazhuar në bujqësi, por që krijon vetëm dhjetë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një herësh masat që po ndërmerren shpesh bazohen në të dhëna jo të kompletuara dhe pa analiza të nevojshme. Në të ardhmen nevojitet që krahas subvencioneve për të cilat duhet të vendosim se a do të kenë aspekt social, apo zhvillimor, na duhen edhe masa të tjera të bazuara në analiza më të thella, me qëllim që njerëzit të vazhdojnë të jetojnë në mjediset rurale por jo domosdoshmërisht që të merren edhe me bujqësi”, thonë agronomët.

Bujqit në Maqedoninë e Veriut më së shumti probleme kanë me çmimet e ulëta grumbulluese, që si trend mund të vërehet në dhjetë vitet e fundit, që po i sjell fermerët në një gjendje vulnerabël lidhur me aktivitetet ekonomike dhe standardin e tyre jetësor, vlerëson Federata e Fermerëve të Maqedonisë. Nga atje sugjerojnë se nevojitet të zhvillohen fabrikat e përpunimit të pemë perimeve në shtet me qëllim që të rritet edhe grumbullimi i prodhimeve vendore që duhet të prodhohen nga lëndët e para vendore. Një vëmendje e veçantë nevojitet t’i kushtohet mirëmbajtjes dhe përmirësimit të infrastrukturës së rrugëve, vaditjes dhe menaxhimit të ndryshimeve klimatike si dhe respektimit dhe funksionimit të prodhimtarisë së kontraktuar që më parë në bazë të Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural. Me fjalë të tjera, organizatat e bujqve kërkojnë zbatimin në praktikë të një prodhimtarie që nënkupton treg të garantuar për prodhimet e tyre, uljen e rreziqeve lidhur me paqartësitë e shitjes përmes çmimeve të kontraktuara që nënkupton edhe furnizim të sigurt për tregtarët që do të sigurojnë nevojat e tyre në aspektin e sasive, cilësisë dhe kohës së dorëzimit të mallit. “Zgjidhja e problemit është në organizimin në kooperativa bujqësore, në zgjerimin në tregje të reja, vendosjen e teknologjive të reja, si dhe në rritjen e prodhimtarisë së standardizuar dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së kapaciteteve prodhuese në grumbullimin e prodhimeve bujqësore”, thonë nga Federata e Fermerëve.

Ndryshe, vlerësohet se bujqësia jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në tërë rajonin e Ballkanit perëndimor, ballafaqohet me sfida të mëdha. Për të prodhuar mjaftueshëm ushqim, dhe për të qenë një biznes përfitues, prodhimtaria bujqësore e ka patjetër të ulë investimet, të rrisë rendimentet dhe të njëjtën kohë të ulë edhe rreziqet që mbart prodhimtaria bujqësore në tërësi. 

In : Aktuale

Loading...
loading...