Autostrada Kërçovë-Ohër nuk ka datë se kur përfundon

Përkundër kërkesave të disahershme të punëtorëve turistik në Strugë dhe Ohër që sa më shpejt të lëshohen në përdorim 30 kilometrat e autostradës Kërçovë-Ohër, megjithatë akoma nuk është e sigurt se ky aks rrugor do të lëshohet në përdorim para muajit qershor

Fisnik PASHOLLI

Si duket edhe sezoni turistik I këtij viti nuk do të gjejë të përfunduar së paku një pjesë të autostradës Kërçovë-Ohër. Përkundër kërkesave të disahershme të punëtorëve turistik në Strugë dhe Ohër që sa më shpejt të lëshohen në përdorim 30 kilometrat e para të autostradës Kërçovë-Ohër, megjithatë akoma nuk është e sigurt se ky aks rrugor do të lëshohet në përdorim para muajit qershor. Vitin e kaluar, Shoqata e Hotelierëve të Ohrit dhe Strugës kërkoi nga autoritetet që së paku të lëshohet në përdorim pjesa e autostradës para këtyre dy qyteteve, duke marrë parasysh se ajo është shumë afër përfundimit, por edhe faktin se bëhet fjalë për një terren të rrafshët ku mund të përshpejtohen punët në ndërtimin e saj.

Nga Ministria e Transportit që vitin e kaluar kanë paralajmëruar se në favor edhe të sezonit turistik, do të angazhohen maksimalisht që sivjet të mund të përdoren kilometrat e para të kësaj autostrade në pjesën më të lehtë për ndërtim, para Ohrit dhe Strugës.

“Po bëjmë gjithçka që është e mundur që të lëshojmë në përdorim aksin rrugor Vërbjani deri në Ohër e që presim edhe të lëshohet përgjatë këtij viti, mirëpo nuk mund të them me siguri se kjo pjesë e autostradës Kërçovë-Ohër do të lëshohet në përdorim deri në muajin qershor”, thotë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski. Ai gjithashtu ka paralajmëruar se pritet që në 15-20 ditët e ardhshme – godina e Teatrit Shqiptar në Shkup të marrë lejet e nevojshme teknike dhe të mundësohet hapja e saj.StrugaLajm

Lidhur me projektin e ndërtimit të dy kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë, nga ky dikaster thonë se të gjithë procedurat e nevojshme janë në përfundim e sipër dhe se pritet që në një kohë sa më të shpejtë, të fillojnë punimet. Tenderin për ndërtimin e saj e ka fituar kompania “Granit”, mirëpo pritet të kalojnë edhe afatet e ankesës së dy kompanive tjera si pjesëmarrëse në tenderin për ndërtimin e saj. Në ndërkohë, nga Ministria e Transportit për sivjet kanë paralajmëruar realizimin e më shumë projekteve infrastrukturore siç është ndërtimi i banesave sociale në më shumë komuna në vend, si në Komunën e Butelit, Dibrës, Sarajit, Vinicës, Shën Nikollit, Velesit, Pehcevës, Gjevgjelisë dhe Demir Kapisë. Sivjet, për ndërtimin e kanalizimit në Zonën ekonomike të Vizbegut planifikohen 100 milionë denarë, ndërsa do të ndihmohet edhe ndërtimi i kanalizimit në Komunën e Haraçinës dhe Gjorce Petrovit.

Sivjet, me grant prej bankës KFV të vlefshëm 248.7 milionë denarë do të ndërtohet dhe rikonstruohet edhe një pjesë e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar, Kavadar dhe Radovish. Po këtë vit, projekti kryesor i dikasterit të Transportit do të jetë rindërtimi i 450 kilometrave të rrugëve në të gjithë 80 komunat në vend, si dhe në qytetin e Shkupit. Financimi është siguruar me mjete të Bankës Botërore me vlerë prej 70 milionë euro, ndërsa komunat do të fitojnë prej 500 mijë deri më 2 milionë euro. Kompetentët apelojnë që kryekomunarët të dorëzojnë sa më parë projektet e tyre me qëllim që pas realizimit të procedurave të nevojshme, komunat edhe të fitojnë mjetet financiare për riparimin e rrugëve lokale. Sivjet pritet edhe përfundimi i rrjetit të gazsjellësit primar në vend në drejtimin Shkup-Tetovë-Gostivar dhe Negotinë-Manastir, përfundimi i hekurudhës Kumanovë-Beljakovce, fillimi i ndërtimit të linjës së hekurudhës Beljakovce-Kriva Pallankë etj.

In : Aktuale

Loading...
loading...