Bajrami: PSP-ja ka anashkaluar Anti-Korrupsionin
Afera e nepotizmit në Prokurorinë Speciale ka qenë e njohur që para tre vitesh nga Anti-Korrupsioni. Nuri Bajrami thotë se drejtuesit e PSP-së asnjëherë nuk i kanë dorëzuar në Komision të gjitha dokumentacionet e nevojshme për të punësuarit.
“Prej vitit 2016 lidhur me këtë prokurori është dorëzuar një paraqitje nga një person fizik ku dyshimet lidhen me punësimin e nipit të kryeprokurores speciale. Janë kërkuar informacione nga përbërja e atëhershme e Komisionit, por nuk janë dorëzuar nga ana e PSP-së. Pastaj më 20 nëntor 2017 me urgjencë është kërkuar të veprohet sipas kërkesës së Komisionit dhe përsëri nuk janë dorëzuar të dhëna nga PSP, kështu që lënda ka mbetur e hapur”, u shpreh Nuri Bajrami, Anëtar i Anti Korrupsionit.
Bajrami thotë se pavarësisht shpërndarjes së prokurorëve, Antikorrupsioni do të hetojë të gjitha dyshimet që ndërlidhen me nepotizmin në PSP.
VMRO DPMNE-ja prej dy ditësh ka bërë një denoncim të ri me mbi 20 emra të familjarëve të pushtetarëve dhe të vetë prokurorëve, të cilët ishin në ekipin e Katica Janevës. Sipas tyre, PSP ka punësuar në bazë të lidhjeve familjare dhe kuadrove partiake të LSDM-së. Ata thonë se PSP u shndërrua në një institucion për kujdesin e të afërmve dhe anëtarëve të partisë.
VMRO DPMNE
Kryeprokurorja Katica Janeva punësoi nipin dhe disa miq të saj;
Prokurorja Elizabeta Josifovska, punësoi vajzën e saj;
Prokurori Gavrill Bubevski, dy kushërinjtë e tij;
Prokurorja Lençe Ristoska kushërirën e saj;
Ministreja e Drejtësisë Renata Deskovska punësoi kushëririn Petre Boshkov
Ish-Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë Kole Shteriov, punësoi vajzën e tij Tea Shteriova.
Djali i gjykatëses supreme Lidija Nedelkova, David Nedelkov, ishte gjithashtu i punësuar;
Bernisa Rahiç – vajza e Esad Rahiç, drejtorit të burgut të Shutkës;
Marija Vasilevska, vajza e ish drejtorit të MEPSO-s Saso Vasilevskit;
Stojan Angeleski, djali i prokurores Mira Angeleska nga Kërçova;
Një i afërm i Ahmed Rushitit, gjyqtar në Apelin – Gostivar, Vullnet Rushiti.
VMRO-ja akuzoi gjithashtu se PSP-ja për këto 4 vite ka shpenzuar 15 milion euro, ku kryeprokurorja Katica Janeva ka marr pagën mesatare bruto prej 120 mijë denarëve, e cila me bonuse ka arritur deri në 250 mijë denarë. Sipas tyre, një prokuror në PSP ka marrë pagë mujore me gjithë bonuse 160 mijë denarë.