BDI: Kemi edhe tre vjet për realizimin e premtimeve
BDI-ja thotë se ka edhe 3 vjet kohë për të realizuar çështjet ende të parealizuara, ndërkohë që për ato të trashëguara, nga qeverisja e mëparshme e saj, thotë se nuk ka shkop magjik që t’i zgjidhur për 1 vit qeverisje me LSDM-në. Artan Grubi, anëtar i kryesisë së BDI-së, në një deklaratë për ALSAT i pyetur mbi punën për të cilat duhet të mburret BDI-ja në 1 vit qeverisje me LSDM-në, tha se kjo parti i ka përmbushuir 5 premtimet kryesore që kishte dhënë para zgjedhjeve të dhjetorit para qytetarëve. Premtimet e atëhershme ishin barazia ekonomike, vendimmarja konsensuale, shqipja zyrtare në gjithë territorin e Maqedonisë, sundimi i ligjit dhe anëtarësimi në NATO.
Vlerësoj që shumica e premtimeve tona zgjedhore nga programi të cilin e kemi premtuar në zgjedhjet e 2016-tës, në veçanti pesë premtimet kryesore që i kishim janë realizuar siç është barazia gjuhësore, marrëveshja me fqinjin, Bullgarinë, avancimi dhe pothuajse përfundimi i negociatave me fqiun tonë Greqinë dhe zhvillimin ekonomik. Sa u takon projekteve infra-strukturore duhet t’u përkujtoj juve dhe qytetarëve se kjo qeveri ka mandat 4 vjeçar dhe është e përbërë nga partnerët e koalicionit – tha Artan Grubi, anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së.
BDI-ja kishte marrë angazhime jo vetëm në zgjedhje, por edhe në programin e përbashkët qeveritar, madje edhe në tryezën e partive shqiptare për debat gjithpërfshirës për simbolet shtetërore, barazinë ekonomike, statusin e ish ushtarëve të UÇK-së, përfaqësimin dhe efikasitetin e administrates. Grubi për këtë thekson:
Nuk e kemi shkopin magjik që t’i zgjidhim të gjitha çështjet një dekadëshe brenda një viti. Unë vlerësoj që në trevjeçarin e ardhshëm të kësaj qeverie do të hapen edhe këto tema dhe uroj që kohezioni shoqëror të cilin e ndërtojmë do të reflektojë edhe në tekstin e himnit, edhe në çështjet tjera të cilat ju i ngritët – u shpreh Artan Grubi, anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së.
Lidhur me Shqipen, Grubi tha se BDI-ja e ka kryer punën e saj, dhe kjo çështje, është faj vetëm i një personi, siç e quajti ai, presidentin Ivanov për bllokimin e dekretimit të ligjit për gjuhët.
A do të thotë kjo se edhe për tetë muaj të tjera ky mund të quhet një premtim i parealizuar?
Jo absolutisht, jo. Sepse atë që e kemi premtuar ne, tashmë e kemi realizuar. Ne e miratuam në Kuvend jo një herë por tre herë. Sa na takon neve, ne e kemi përfunduar punën me ligjin për përdorimin e gjuhëve në Kuvend. Pritet zhbllokimi nga ana e vetëm një personi i cili deshi apo nuk deshi, nuk ka edhe shumë kohë të rri aty ku është – theksoi Artan Grubi, anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së.
Pavarësisht se pesë shtyllat zgjedhore të BDI-së në zgjedhjet e 2016-tës ishin barazia ekonomike, vendimmarrja konsensuale, shqipja zyrtare në gjithë territorin e Maqedonisë, sundimi i shtetit ligjor dhe anëtarësimi në NATO, asnjëra prej tyre nuk mund të konsiderohet e mbyllur. Edhe sundimi i ligjit është larg përmbushjes. Edhe për premtimin e përbashkët BDI-LSDM për zhvillim të barabartë rajonal, politikë kjo që më së shumti duhet të ishte në favor të rajoneve me shumicë shqiptare si më pak të zhvilluara, vetë Grubi pranon se në Kuvend nuk ka pasur asnjë aktivitet. Por ai shton se në parti është ndërtuar strategji dhe se kjo temë është caktuar si prioritet për tre vitet e mbetura të qeverisjes me LSDM-në. Për sa i përket përgjegjësisë për moszbatimin e shumë politikave të vetë BDI-së, për të cilat koordinues në qeverinë me LSDM-në është zv/kryeministri Lika, Grubi tha se beson që Lika dhe ministrat e tjerë, e bëjnë detyrën e tyre. Ditë më parë Alsat kërkoi sqarime për realizim të projekteve me interes për shqiptarët nga Lika, por ai mbetet i pakapshëm. Lika nuk ishte pranishëm as në prezantimin e arritjeve të kësaj periudhe njëvjeçare të Qeverisë.