Diaspora pa interes për referendumin e 30 shtatorit

Interesimi i atyre që veprojnë dhe jetojnë jashtë vendit ka qenë shumë i vogël për t’u regjistruar si votues, ndërsa pritjet janë të vogla që mërgimtarët të vijnë ditën e votimit në referendum

Fatos RUSHITI

Shkup, 21 shtator – Atmosfera politike këto ditë është e ngarkuar me vizita të shumta jo vetëm të diplomatëve të nivelit më të lartë, siç ishte sekretari amerikan i mbrojtjes Matis, por edhe diplomatë të nivelit më të ulëta. Formalisht vizita e këtyre të fundit tyre arsyetohet përmes debateve në Konferenca të ndryshme dhe tryezave të rrumbullakëta, por se qëllimi është përgatitja e operative për suksesin referendumit, shkruan gazeta KOHA. Kjo, pasi tashmë hapur flitet për tendencat e Rusisë për të ndikuar në mos suksesin referendumit, nga diplomatë të lartë të SHBA dhe nga vetë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Pikërisht frika nga Rusia ditëve të fundit ka zhvendosur debatin mbi referendumit nga brenda vendit në arenën ndërkombëtare. Jo rastësisht, në prag të referendumit kryeministri Zoran Zaev është ftuar për vizitë zyrtare në SHBA nga zëvendëspresidenti amerikan Majk Pens. Nga ana tjetër, referendumi në Maqedoni është në fokus të mediave me prestigjioze ndërkombëtare, kjo për shkak të interesave gjeostrategjike të vendeve më të zhvilluara perëndimore nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër. Kur kësaj i shtojmë edhe bojkotin e heshtur nga strukturat partiake të VMRO-së, si dhe numrin e madh të qytetarëve jashtë vendit, ekziston frikë reale për arritjen ose jo të censusit elektoral prej 50 + 1 %.

VOTA PRO E GARANTUAR

Bile, interesimi i atyre që veprojnë dhe jetojnë jashtë vendit ka qenë shumë i vogël për t’u regjistruar si votues, ndërsa pritjet janë të vogla që mërgimtarët të vijnë ditën e votimit në referendum. Por se për dallim nga zgjedhjet lokale dhe parlamentare, kësaj radhe nuk ka shenja se mërgimtarët sidomos ato shqiptare do të vijnë në masë të konsiderueshme për të votuar në referendum. Që të ketë sukses referendumi, duhet që përveç se të dalin në votim mbi 50+1 %, duhet që gjysma e tyre të votojnë pro. Apo llogaritur ne numra, Lista zgjedhore ka 1.806.336, qytetarë me të drejtë vote, censusi arrihet me 903.169 votues, dhe që të jetë i suksesshëm – duhet të votojnë pro 451.585 qytetarë. Kur jemi tek vizitat e funksionarëve të BE-së dhe vendeve tjera, së fundmi në Maqedoni kanë ardhur disa nga eurodeputetë më me zë të Parlamentit Evropian të njohur për lobimin pro Maqedonisë dhe kontribues të mëhershëm në lidhjen e Marrëveshjen e Përzhinos si Eduard Kukan , Knut Frankeshtejn, Ivo Vajgël, Eduard Peterle, dhe të tjerë. Është gjetur koha gjatë fushatës për referendumit për të mbajtur takimin 15 në kuadër të Komitetit të përzier parlamentar, Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian. Në hapjen e seancës së parë, eurodeputetët të cilët u adresuan para pjesëmarrësve në këtë takim përshëndetën progresin e Maqedonisë në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së, në veçanti marrëveshjen e arritur me Bullgarinë dhe Greqinë, të cilat i vlerësuan si hapa të rëndësishme drejt qëllimeve strategjike të vendit. Eurodeputeti dhe bashkëkryesuesi i KPP-Maqedoni dhe BE-së, Alojz Peterle, në hapjen e seancës bëri të ditur se sot në Shkup ka takuar palët e pozitës dhe opozitës, të cilët siç tha ai, kanë ndarë ambicie të njëjta për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. “Këto ditë, ju patë shumë vizitorë këtu dhe ne nuk i konsiderojmë ato si presion, por pak a shumë si shenjë vëmendjeje dhe pritje për lëvizjen e vendit. Ne do të ndjekim atë që qytetarët do të vendosin. Kjo është një pozitë demokratike dhe varet nga qytetarët nëse do të shfrytëzojnë mundësinë ose do të presin për një tjetër”, tha Peterle, duke iu referuar referendumit të 30 shtatorit që do të mbahet në Maqedoni.

VMRO-DPMNE ZBUT QËNDRIMETStrugaLajm

“Nëse referendumi do të jetë i suksesshëm dhe shumica do të votojnë në drejtim për përkrahje të referendumit, situata mbetet e qartë dhe VMRO-DPMNE- do ta respektojë këtë”, kështu deklaroi lideri partisë opozitare, Hristian Mickoski në debatin Click Plus të Televizionit 21, i pyetur nëse referendumi kalon me sukses, a do t’ju thuash deputetëve t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojitet dy e treta e shumicës në Kuvend. Në lidhje me qëndrimin e tij për referendumin, ai e përsëriti qëndrimin partiak se secili duhet të vendosë sipas bindjeve personale, duke shtuar se VMRO-DPMNE është për integrim në Bashkimin Evropian (BE), por është kundër Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Përveç anëtarëve të Kryesisë partiake që kanë thënë se nuk do të dalin në referendum, së fundmi kanë dalë zëra të theksuar për të dalë në referendum. Kostandin Bogdanov, anëtarë i Komitetit Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, në intervistë për “Faktor” thotë se do të votojë në referendum.

“Unë që në takimin e Komitetit Ekzekutiv e kam deklaruar qëndrimin tim se partia duhet që t’i ftojë anëtarët masivisht të votojnë në referendum dhe të votojnë në pajtueshmëri me bindjen e tyre ‘për’ ose ‘kundër’ Marrëveshjes. Unë personalisht do të dal të votoj”, thotë Bogdanov. Sipas tij, duhet që ta kemi parasysh rëndësinë historike të këtij referendumi, dhe padyshim se hap perspektivë të re për të gjithë ne që jetojmë këtu. “Ngelen edhe dhjetëra ditë, porositë e miqve tanë dhe partive simotër i dëgjuam. I dëgjuam edhe argumentet kundër Marrëveshjes. Për fat të keq, ende dikush nuk ka arritur që të ofrojë alternativë serioze dhe reale për vetë Marrëveshje, por as që ka arritur që të ofrojë alternativë përkatëse të anëtarësim në BE dhe NATO. Nëse ngelet kështu edhe në periudhën në vijim, thjeshtë nuk do të ketë opsion përveç që të përkrahet Marrëveshje me të gjitha koncesionet e bëra nga ana e Maqedonisë”, thotë ai. Ndryshe deri më tani dhjetëra deputetë të VMRO-DPMNE-së në profilet e tyre zyrtare në rrjetin social Facebook janë deklaruar se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese që parashihen me Marrëveshjen me Greqinë dhe ndryshim të emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Nuk është e qartë pse kështu deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë filluar të tregojnë qëndrimet në lidhje me ndryshimet kushtetuese në Maqedonisë. Nëpërmjet Facebook-ut, deri më tani deklarata të tilla kanë publikuar Dafina Stojanovska, Zoran Iloski, Eilia Aleksandrova, Dimitar Stevananxhija, Ane Lashkoska, Pavlinka Çestojnova, Nikolla Micevski, Magdalena Manaskova, Trajçe Dimkov, Liljana Zaturoska, Liljana Kuzmanovska, Vasil Pishev, Vllatko Gjorçev. VMRO-DPMNE dhe koalicioni kanë 48 deputetë. Nga koalicioni disa deputetë të partive tjera janë deklaruar se i përkrahin politikat e shumicës në Kuvend (Panço Minov, Stojan illanov, Lupço Dimovski, Vlladanka Aviroviq, Zekir Ramçillov, Amdi Bajram, Çedomir Sazdovski dhe Jusuf Hasani).

Tanimë gjatë kohë spekulohet se 11 deputetë të VMRO-DPMNE-së në dhjetor do të votojnë “për” ndryshimet kushtetuese. Për ndryshim të Kushtetutës janë të nevojshme 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve, gjegjësisht 81 vota. “Nuk do të votojnë për ndryshimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë”, ka shkruar Vlladimir Gjorçev, deputeti i VMRO-DPMNE-së, në profilin e tij në Facebook. “Maqedonia është ideali im dhe dashuri e përjetshme. Ajo është emocion dhe kauzë që nuk kalon. Qëndrimi i popullit dhe votuesve është i qartë, janë kundër ndryshimeve kushtetuese për ndërrimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë”, ka shkruar Gjorçev. (koha.mk)

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...