Shkruan, Resul Bekteshi
Strugë
EMIGRIMI DHE GJUHA SHQIPE- Ruajtja dhe kujdesi për të…
Shënimin e sotëm do ta filloj me përkufizimin për termin EMIGRIM që në Fjalorin e Gjuhës së sotme shqipe faqe 427 thotë : Largim nga atdheu për shkaqe politike , ekonomike etj . dhe vendosje përkohësisht apo përgjithmonë në një vend të huaj. Për fat të keq tani emigrimi është bërë aktual në trojet tona. ( shpesh kemi edhe emigrim familjar që është i dëmshëm për shoqërinë tonë ).
Emigracioni është fenomen që sot ka marrë karakter ndërkombëtar në atë aspekt nuk është imun as edhe RMV-së, respektivisht shqiptarët dhe të gjithë të tjerët që jetojnë në këtë vend ballkanik. Ky proces tani në periudhën e tranzicionit është aktualizuar jashtë mase , prandaj tani kemi një numër të madh të emigrantëve shqiptarë që janë drejtuar vendeve perëndimore dhe SHBA-ve në kërkim të kushteve më të mira për jetë, për të siguruar të ardhmen për vete dhe për fëmijët e tyre, duke menduar se atje fëmijëve do t ‘u mundësojnë kushte më të mira për shkollim, pa logjikuar shumë për dëmin që mund ti shkaktojnë gjuhës shqipe, kuptohet rreziku nga asimilimi gradual e saj, sidomos tek fëmijët dhe rinia shqiptare që aktualisht jeton në mërgim.
Gjuha ka qënë dhe mbetet njëra nga komponentet kryesore të kulturës së një kombi . Fakti përcaktues i një kombi dhe vjetërsia e tij varet nga gjuha e folur dhe e shkruar e tij. Duhet theksuar edhe kjo se njeriu kur nuk e ka nën këmbë tokën e mëmëdheut ka mundësi reale që të humb edhe diçka nga gjuha , bëhet skeptik ndaj vetvetes dhe ka më shumë mundësi të lëshojë në mënyrë graduale asimilimin e gjuhës, duke lënë që në fondin e saj të futen fjalë të huaja varësisht nga vendi ku ata jetojnë përkohësisht. Këtë fenomen më lehtë mund ta kuptojmë kur hasim fëmijët e mërgimtarëve , të cilët në fjalorin e tyre përdorin shumë fjalë të vendit, duke ndikuar kështu në bastardimin e gjuhës së bukur shqipe, kësaj gjuhe që e kemi trashëguar nga ilirishtja e lashtë dhe që është njëra nga më të vjetrat në Europë dhe Ballkan.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të kritikoj dikë, por është në kahje të këshillave të mirëfillta për të gjithë migrantët, të cilët në botën e jashtme jetojnë dhe veprojnë së bashku me anëtarët e familjes më të ngushtë, respektivisht atje kanë marrë edhe fëmijët – gjeneratën e re nga e cila shoqëria jonë shpreson dhe beson se ardhmëria atyre u takon.
Sot në botën e jashtme jetojnë përkohësisht ( nuk dua të përdori fjalën përgjithmonë) një numër i madh i bashkëqytetarëve tanë, të cilët duhet të kenë kujdes që fëmijët e tyre ti arsimojnë , edukojnë në frymën kombëtare, duke u dhënë atyre njohuri të mjaftueshme në gjuhën amtare. Ata,fëmijët e tyre duhet të njohin mirë gjuhën shqipe, si gjuhë të nënës , së gjuhë me të cilën nëna prindërve të tyre dikur u ka kënduar ninula kur i vëndonte në gjumë- Është gjuhë e trashëguar nga të parët tanë para shumë vitesh e ne nuk guxojmë ta harrojmë . E them këtë jo për të fyer dikë, por për ti përkujtuar se ata i takojnë këtij kombi dhe se gjuha e tyre amtare është gjuha e bukur shqipe, është gjuha e Skënderbeut, De Radës, Pashko Vasos , Naimit e Samiut, Konicës e Nolit. Është gjuha për të cilën Naimi tha se në këtë gjuhë edhe zogu në mal duhet të këndoj dhe në këtë gjuhë edhe perëndija duhet të predikojë. Të nderuar mos e harrojmë porosinë e të madhit Gjergj Fishta që në vargjet e poezisë , Gjuha shqipe , thotë: “ Mallku qoftë njaj bir shqiptari, që këtë gjuhë të perëndisë , trashëgim që na e la i pari , trashëgim s’ ia lenë fëmisë….”
Historikisht shumica e mërgimtarëve shqiptarë , kanë punuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe . Kjo traditë duhet kultivuar dhe vazhduar pa ndërprerje, sepse është “ amanet dhe se nuk duhet ta tretë dheu i huaj.”
Gjuha është e vetmja armë që vërteton se jemi shqiptarë,kudo që jetojmë e veprojmë, prandaj pa ngurrje përdorni atë atje ku jetoni dhe mos ngurroni dhe mos turpëroheni kur e përdorni gjuhën shqipe , sepse bota mbarë e njeh atë gjuhë dhe nuk është turp që edhe ju të njiheni si shqiptarë.
Sot në shumë shtetë të botës për fëmijët e mërgimtarëve janë hapur shkolla të shumta, ku fëmijët në mënyrë të organizuar marin mësim plotësues në gjuhën amtare, nga shumë mësues adhurues , pasionantë dhe patriotë, të cilët në shumë raste japin edhe kontribut në mënyrë vullnetare. Synimi i këtyre shkollave është që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të zotërojnë mirë gjuhën shqipe, të njohin letërsinë shqiptare, historinë dhe gjeografinë e atdheut të tyre. U jemi mirënjohës për kontributin që japin për mësimin e shqipes për brezërit e mërgimtarëve shqiptarë.
Të nderuar mërgimtarë, të respektuar mësues që punoni me gjeneratat e reja në botën e jashtme, prindër të dashur e dimë se nuk e keni lehtë, sepse fëmijët atje jetojnë në kushte tjera , në rrethana të ndryshme nga këtu, shoqëria e tyre në të shumtën e rasteve është vendase, mundësia për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët, nipërit,mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht se ku lindin dhe jetojnë e punojnë ekziston. Të mundohemi që në familje , në shtëpi të komunikojmë me fëmijët vetëm shqip bile edhe kur gjendemi jasht shtëpisë mos turpërohemi , por të flasim gjuhën tonë se është e bukur, e ëmbël , e dashur për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e veprojnë.
Të ruajsh gjuhën shqipe, të njohësh gjuhën standarde shqipe është madhëri , sepse në atë mënyrë vazhdon traditën e Rilindasve tanë , të cilët nuk kursyen asgjë kur ishte në pyetje gjuha dhe kombi .
Para shumë vitesh Faik Konica nga SHBA-të shprehej : “ Lulëzimi , plot shpresë, erdhi edhe për gjuhën shqipe! Më të katër anët, një zjarr i bukur në zemër të djalërisë zjen dhe plot dëshirë, trimoshat e dheut po përpiqen për zbukurimin dhe ruajtjen shqipes tonë . “
Resul Bekteshi , Strugë