European Western Ballkan”: Numëroni popullsinë sa nuk keni ngelur pa popullsi

Ndërsa Evropa po përgatitet për ciklin e rregullt të regjistrimit dhjetëvjeçar i cili vijon vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina janë dy vendet evropiane që nuk kanë caktuar ende një datë të regjistrimit, sipas European Uestern Ballkans ( EUB), duke kujtuar se regjistrimi i fundit në vend u krye në vitin 2002.

Portali thekson se që nga viti 2010 vetëm 21 vende në botë nuk kanë kryer një regjistrim, dy prej të cilave janë në Evropë – Ukraina dhe Maqedonia e Veriut, duke shtuar se regjistrimi në vend u ndal në vitin 2011 “pjesërisht për shkak të frikës politike nga një numër i pafavorshëm i strukturës etnike “.

“Sipas Kushtetutës së Maqedonisë, të drejtat gjuhësore dhe përfaqësimi adekuat janë të garantuara për bashkësitë etnike që tejkalojnë 20 për qind të popullsisë. Në 2002, shqiptarët etnikë përbënin rreth 25 për qind të dy milionë qytetarëve të Maqedonisë. Druhet se rezultatet e regjistrimit të ardhshëm mund të hapin një kuti të rrezikshme të Pandorës, e cila është një pengesë e vazhdueshme për të mbajtur një regjistrim të drejtë dhe të saktë të popullsisë”, thonë autorët e analizës.

EUB thekson se nga një këndvështrim demografik, Maqedonia e Veriut është një shembull shkollor i përcaktuesve konfliktualë të përbërjes së popullsisë – shqiptarët etnikë kanë natalitet më të lartë se sa maqedonasit etnikë, por ata nga ana tjetër emigrojnë shumë më shumë, kështu që është e vështirë të vlerësosh se cili faktor është më i lartë – rritja e lindjeve ose emigrimi.

Sipas portalit, nëse vlerësimet se në dy dekadat e fundit rreth 600,000 njerëz janë larguar nga vendi janë afërsisht të sakta, atëherë kjo do të tregojë se emigrimi ka qenë një fenomen karakteristik për të gjitha etnitë për një kohë të gjatë, dhe jo vetëm për shqiptarët.

“ Numri i vdekjeve në Maqedoninë e Veriut në nivelin kombëtar në vitin 2019 tejkaloi numrin e të porsalindurve, që është rasti i parë i tillë që nga pavarësia e vendit (dhe ndoshta i vetmi në histori). Ky moment i rëndësishëm është kryesisht për shkak të rënies dramatike të numrit të të porsalindurve në pothuajse të gjitha komunat ku shqiptarët janë shumica, duke pasur parasysh që niveli i lindjeve midis maqedonasve ka mbajtur kryesisht nivelin e mëparshëm (të ulët)”, shton EUB.

Sipas autorëve të analizës, me prirje të tilla etno-demografike, mbetet jashtëzakonisht e vështirë të parashikohet përbërja etnike e popullsisë në vend, që në 20 vitet e fundit nuk ka kryer regjistrimin e popullatës.

Ata vlerësojnë se janë të mundshme dy zgjidhje për “enigmën e regjistrimit” në vend.

“Zgjidhja e parë dhe ndoshta optimale, por akoma më pak e mundshme, është mbajtja e regjistrimit sa më shpejt të jetë e mundur, pa ndonjë ndërhyrje politike dhe me mbikëqyrje të fortë të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe nëse numri i shqiptarëve etnikë provon të jetë më pak se 20 për qind, pasojat afatshkurtra për të drejtat e komunitetit shqiptar do të jenë të papërfillshme. Ashtu si pakicat e tjera shumë më të vogla, të tilla si turqit, shqiptarët do të kishin të drejtën e arsimit fillor, të mesëm dhe madje edhe të lartë në gjuhën e tyre amtare. Kuotat për administratën publike do të shfuqizohen, por ekuilibri etnik midis punonjësve ndoshta nuk do të ndryshojë, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të toleronte largimet masive të punonjësve shqiptarë, nëse ka përpjekje për diçka të tillë”, thuhet në tekst.

Nga ana tjetër, autorët konsiderojnë se, pjesëmarrja e faktorit shqiptar në degën ekzekutive është siguruar, sepse modeli zgjedhor proporcional garanton përfshirjen në qeveri të të paktën një partie etnike shqiptare, përveç nëse dy partitë më të mëdha maqedonase vendosin një ditë të formojnë një koalicion të madh, i cili në këtë moment vështirë se mund të imagjinohet.StrugaLajm

“Zgjedhjet e vitit 2016 dhanë shpresë se votimi etnik mund të ndryshojë, pasi Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në pushtet humbi dhjetëra mijëra vota nga partitë etnike shqiptare, por në zgjedhjet e këtij viti BDI-ja arriti të rifitonte shumicën e këtyre votave,” shtoi European Uestern Ballkans ( EUB).

E dyta dhe, sipas autorëve të analizës, një zgjidhje gjithnjë e më e sigurt, do të ishte heqja e plotë e çështjes së përkatësisë etnike nga regjistrimi.

“Një nxitje e dukshme për të pranuar një zgjidhje të tillë do të jetë shmangia e një raundi tjetër të marrëveshjeve politike dhe mbajtja e këtij operacioni thelbësor statistikor sa më shpejt të jetë e mundur,” citohet në teskt.

Sipas EUB, heqja dorë nga çështja e përkatësisë etnike nuk është e pazakontë në regjistrimet botërore, por do të “përjetësonte regjistrimin e vitit 2002 si një tregues të qëndrueshëm të përbërjes etnike të vendit”.

“Në pikëpamje të parë, e gjithë kjo do të ruajë status quo-në politike dhe tensionet në shoqëri do të shmangen në afat të shkurtër. Sidoqoftë, kjo do të përforconte gjithashtu pohimin e njohur në qarqet antishqiptare se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më shumë se 20 për qind. Kështu që kalimi i vijës së rezistencës më të vogël dhe heqja dorë nga çështja e përkatësisë etnike mund të minojë bashkëjetesën e brishtë etnike”, shtohet në analizë.

EUB vlerëson se sfida më e madhe do të jetë kthimi i demografisë nga sfera e “politikës së madhe” në fushën e saj natyrore të “politikës së vogël” në fusha të tilla si arsimi, transporti dhe kujdesi shëndetësor.

“Në fund të fundit, ky problem ka një zgjidhje jashtëzakonisht të thjeshtë. Mënyra më e mirë është të ndërpresësh manipulimin e marrëdhënieve sipas përkatësisë etnike dhe të fillosh numërimin e qytetarëve, derisa ende mund të numërohen”, është konkluzioni i analizës.

In : Aktuale

Loading...
loading...