Vetëm barazim ndaj Borecit, sërish humbim penalti Struga Trim Lum ka barazuar 1:1 në ndeshjen e vlefshme të javës së 10-të në elitën e futbollit vendor kundër Borecit, ndaj së cilës skuadër do të luajmë edhe në mesjavë në kuadër të 1/8 së finales. Fillimi i takimit nuk paralajmëroi një rezultat të tillë, kjo pasi vetëm pas 10 minutave lojë, Klisman Cake shënoi golin e epërsisë për ekipin tonë. Ky gol solli gëzim dhe qetësi në rradhët e ekipit tonë, që vazhduan të administrojnë lojën mjaft mirë përballë një kundërshtari si Boreci, që në Strugë kishte ardhur për tu mbrojtur. Në minutën e 80-të Bosançiç pati mundësinë për ti siguruar fitoren ekipit tonë, mirëpo goditjen e tij nga pika e bardhë e ndali portieri mysafir Rniç, ndërsa në aksionin e rradhës mysafirët nga Velesi arritën të barazojnë rezultatin përmes një kundërzbritje të shpejtë. Sulmuesi shqiptarë Ensar Luma morri një top para zonës së portierit Taleski, të cilin e mposhti me një parabolë për rezultat 1:1. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 81-të, ndërsa në minutat e mbetura loja më shumë i ngjante një teatri se ndeshje futbollistike. Për këtë kontribuan futbollistët mysafir, të cilët pas çdo dueli me futbollistët tanë, shtriheshin për tokë, duke përfituar sekonda të vlefshme dhe duke mos lejuar ekipin e Struga Trim Lum të bëjë ndonjë aksion të rrjedhshëm për të gjetur golin e dytë. Ishte ky barazimi i 5-të për ekipin tonë dhe i 3-ti në 4 ndeshjet e fundit, me ç’rast tashmë pas 10 xhirove ndodhemi në pozitën e 7 me 14 pikë. Ndeshjen e rradhës e zhvillojmë javën që vjen në Shkup kundër Makedonija GJ.P. F.C. Struga