Fusha e “Biserit”në Krastën e Kalishtit degradon nga koha dhe moskujdesi!

Para disa dekadash, fusha e sportit në Krastën e Kalishtit ishte një ndër pikat më tërheqëse për të rinjtë e zonës dhe për sportdashësit nga mbarë Struga. E vendosur në afërsi të hotel Biserit, kjo fushë sportive ishte arenë e shumë turneve të njohura të futbollit të vogël, të cilat organizoheshin me rastin e festave, si dhe asaj kombëtare 28 nëntorit, duke mbledhur të rinjtë jo vetëm nga Kalishti, por edhe nga fshatrat përreth, si Frëngova, Ladorishti, Shumi dhe Zagraçani por edhe më gjerë nga Struga.

Kujtimet e atyre ditëve të ngarkuara me emocione e garë janë ende të gjalla në mendjet e atyre që dikur shkelën në këtë fushë. Turnetë e organizuara në këtë hapësirë nuk ishin thjesht një aktivitet sportiv, por një ngjarje që mbante gjallë frymën e bashkimit dhe miqësisë midis të rinjve të Strugës dhe më gjerë.

Megjithatë, sot, fusha e dikurshme e lavdishme ka pësuar një transformim të dhimbshëm. E lënë pas dore për vite me radhë, ajo është mbuluar nga vegjetacioni dhe bimësia, duke humbur çdo shenjë të asaj që dikur ishte një vend frekuentimi masiv. Degradimi i kësaj fushe nga viti në vit tregon një realitet të trishtuar: harresën e një pjese të rëndësishme të historisë sportive lokale.StrugaLajm

Ajo që dikur ishte një vatër e aktivitetit rinor dhe një simbol i bashkimit, sot është bërë një hapësirë e braktisur, që kërkon ndërhyrje dhe vëmendje për të rikthyer lavdinë e saj të dikurshme. Ndërsa vegjetacioni vazhdon të pushtojë fushën, mbetet pyetja nëse do të gjendet dikush që do të marrë përsipër rikthimin e kësaj hapësire në funksionin që ajo dikur kishte.(Strugalajm.com)

In : Aktuale

Loading...
loading...