Futbollistja shqiptare nga Struga, Shqipe Bojku është transferuar tek skuadra e Ligës së dytë në Zvicër, Altstetten Juventus frauen Zurich nga SF Vildbjerg e Suedisë. Mesfushorja 20-vjecare ka firmosur kontratë 1 vjecare.
Zyrtarizimi është bërë gjatë ditës së djeshme (e hënë), ku futbollistja shqiptare ka pozuar me fanellën e re.
Në një bisedë për Lajm, ajo është shprehur shumë e lumtur që është bërë pjesë e këtij ekipi me ambicie të mëdha.
“Së pari e falënderoj Allahun dhe më pas familjen time si dhe të gjithë ata që më ndihmuan në momentet të vështira që i kalova me sukses. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij klubi në Zurich. Vajzat më kanë pritur shumë mirë, ashtu edhe trajnerët. Këtu gjeta edhe dy shqiptare të Zurichut”, deklaroi Shqipja për Lajm.
Ajo thotë se ambiciet e klubit të ri janë inkuadrimi në ligën e parë. Shqipja shpreson se do t’ia arrijnë qëllimit.
“Me stërvitje kemi nisur që nga 20 janari, ndërsa stinori pranveror fillon në muajin mars. Ne jemi në vendin e parë me 26 pikë dhe shpresojmë ta mbajmë deri në fund. Ky është edhe qëllimi i drejtuesve të klubit, pra të hyjmë në ligën e parë”, theksoi Bojku.
Gjatë karrierës së saj, Bojku ka luajtur për ZFK Edinstvo, As United dhe Nove Zamky të Sllovakisë./lajm