Gjimnazi “Hajdar Dushi”-Ladorisht, GËZUAR 29 VITE

Gjimnazi “Hajdar Dushi”-Ladorisht,
GËZUAR 29 VITE
( 02.10.1991-02.10.2020 )
-Të deshëm dhe s’të deshën,
-Të duam dhe s’të duan…akoma,
-Si asokohe kur të ngritëm
-E ata përtej…bën’ gjithçka
-Dhe bëjnë akoma edhe sot,
-Të të denigrojnë e shtrembërojnë,
-Të të rrëzojnë e ndëshkojnë,
-Edhe me harresën e pluhurit të viteve,
-Por ti përballove stuhitë,
-Dhe mbolle farën mbarë Iliridës,
-Kërçovë, Kumanovë e Tetovë;
-Po, po, Universiteti i Tetovës
-Lindi nga Ty dhe rruga jote;
-Gjimnazi “Hajdar Dushi” Ladorisht,
-Je nderi i mbarë kombit,
-Emri dhe vepra jote
-La gjurmë të pashlyeshme,
-Dje, sot e deri në përjetësi;
-Sa do ket’ diell e male mbi tokë,
-Emri jot nuk do harrohet kurrë,
-Kurse ata përtej…do e pësojnë,
-Ashtu si ty ta dëshirojnë…!
G.L., Ladorisht, më 02.10.2020

Më tutje vazhdon shkrimi-referati
me rastin e 20 vjetorit të “Hajdar Dushit”
(duke qënë material më i kompletuar autentik
dhe në mungesë të ndonjë punimi plotësues),
lexuar në manifestimin e rastit,
të organizuar nga Komuna e Strugës,
mbajtur në shtëpinë e kulturës në Strugë!StrugaLajm

Referat me rastin e 20 vjetorit të SHM Gjimnazi “Hajdar Dushi” – Ladorisht
Përshëndetje të gjithëve, nikoqirë e mysafirë, gjenerata më të vjetra e më të reja; respekt e nderime për të gjithë ata që kanë kontribuar në çfarëdo forme – morale, fizike, materiale etj. për realizimin njëzet vite më parë të projektit historik arsimor e kombëtar që quhej SHM “Hajdar Dushi” – Ladorisht (më tutje në tekst “Hajdar Dushi”).
Nderimi dhe respekti kryesor është për të gjithë ata që nuk ndodhen më fizikisht në mesin tonë e që me gjithë qenien e tyre iu përkushtuan këtij akti madhështor dhe çështjes kombëtare në përgjithësi.
Respekt e nderime ndaj përgjegjësve të arsimit shqip në Kosovë asokohe, veçanërisht strukturës udhëheqëse të Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë të cilët pranuan pa hezitim të na përkrahin në rrugën tonë të shenjtë me të gjitha format e duhura.
Respekt e nderime për ish strukturat përgjegjëse të arsimit të lartë në Shqipëri e Kosovë që asokohe dhanë mbështetje të parezervë për nxënësit që dilnin nga shkolla jonë.
Respekt e nderime për Universitetin e Tetovës, strukturat themeluese të tij, të cilët morën rastin e “Hajdar Dushit” si model për themelimin e UT-së, që më vonë të bëhen çerdhe arsimimi të mëtutjeshëm për maturantët tanë.
Respekt e nderime për kuadrin arsimor të Gjimnazit “Hajdar Dushi” – Ladorisht, që me përkushtim e kryen misionin e tyre të shenjtë arsimor, kulturor e kombëtar.
Respekt e nderime për të gjithë nxënësit që kaluan nëpër dyert e “Hajdar Dushit” dhe që shumica prej tyre përfunduan edhe arsimin e lartë.
Është nder i veçantë për mua, po më shumë përgjegjësi që si pjesë e atij projekti aq madhështor kombëtar të përgatis e të sjell para jush në mënyrë sa më objektive realitetin e asaj kohe, rrethanat para, gjatë dhe pas “Hajdar Dushi”.
Pyes veten për shumë gjëra e nuk gjej përgjegje, apo së paku nuk gjej përgjegje të kënaqshme:StrugaLajm

  • Pse duhej të kalojnë 20 vite që të kujtohemi për “Hajdar Dushin”?!
  • Ku janë studiuesit, historianët e shkencëtarë tjerë e ta bëjnë punën e tyre, ta trajtojnë “Hajdar Dushin” si diçka reale, objektive që ndodhi, frymoi mes nesh e me ne për pesë vite me radhë, po që la dhe frymën, trashëgiminë e vet të pakontestueshme…?!
  • Ku janë mjeshtrit e penës, poetë e shkrimtarë, pse heshtin për “Hajdar Dushin”?!
  • Si është e mundur që asokohe një grup njerëzish, intelektualë dhe aktivistë tjerë, me vetëmohim e pa kursyer asgjë të vihen në shërbim të çështjes së shenjtë të arsimit, që populli diti ta vlerësojë e u dha mbështetjen e duhur, ndërsa mjaft intelektualë e të tjerë nga distanca shihnin me indiferentizëm dhe më e keqja – struktura të ndryshme gjoja shqiptare, politike dhe jopolitike iu kundërvunë me forcë, përkrah pushtetit të atëhershëm, një vepre aq të guximshme dhe të rëndësishme, duke punuar dhe propaguar kundra “Hajdar Dushit”?!
  • Ku janë politikanët tanë të çfarëdo ngjyre politike qofshin ata, që merren e me çfarë nuk merren, ndërsa për “Hajdar Dushin” heshtje absolute?!
  • Mendohem për të gjitha këto dhe nuk kam përgjegje, apo mos ndoshta “Hajdar Dushi” ka qënë një ëndërr dhe asgjë tjetër?! Në fakt po, për ca ka qënë një ëndërr e bukur që u bë zhgëndërr e realitet, po për ca të tjerë ka qënë një ankth i tmerrshëm!
  • Ndoshta duhet të kalojë edhe ndonjë dekadë, që gjeneratat e reja, pa ngarkesa e paragjykime t’i qasen punës e ta bëjnë më mirë se të gjithë ne bashkëkohasit, aktorë e spektatorë, pozitivë e negativë…!
  • Nuk dëshiroj asgjë tjetër, vetëm e vërteta, realiteti objektiv të dali në dritë, që ndoshta diku e për dikë mund të jetë edhe i dhimbshëm, po për shumicën do të jetë kënaqësi, do t’i vlejë të sotmes e sidomos për brezat e rij e për të ardhmen do jetë frymëzim e krenari…!
    Kësaj dite të rëndësishme për historinë e Strugës me rrethinë, duhej t’i praprijnë aktivitete tjera: simpoziume e tribuna shkencore, tryeza diskutimesh e debatesh, që mandej në këtë solemnitet të kishte çfarë të tregohet…!
    “Hajdar Dushi” nuk ishte një akt i shkëputur, por ishte një allkë e rëndësishme në vazhdën e një procesi të gjatë e të vazhdueshëm përpjekjesh e sakrificash të gjithanshme brezash për liri e të drejta kombëtare e njerëzore.
    Këtu nuk është vendi për hollësi të shumta, emra dhe etiketa; sigurisht që emra të veçantë kanë merita për lindjen e atij tempulli të arsimit dhe kulturës, por ajo nuk mund të ndodhte pa rrethanat dhe kushtet e përshtatshme.
    Për ta treguar zanafillën e “Hajdar Dushit”, duhet më parë të përshkruhen e sqarohen rrethanat që i kanë paraprirë atij.
    Viti 1990, edhe tek ne si në shumë vende tjera solli ndryshimet e domosdoshme, frymën demokratike nga perëndimi, pluripartizmin, shpresën për një të ardhme më të mirë… Tanimë frymohej më lirshëm, besohej se tanimë ka ardhur fundi i kufizimeve, ndasive, shtypjes, diskriminimit në baza etnike etj. Ishte mundësia e organizimit politik pluralist, mundësia që në rrugë demokratike të shtrohen dhe zgjidhen problemet që ishin zvarritur me dekada.
    Edhepse thuhej se ndryshuan gjërat, ndërroi sistemi, nga një sistem monist, diktatorial, i ashtuquajtur socialist – në një sistem demokratik, liberal, ku të gjithë do t’i gëzonin të drejtat njëlloj, në fakt gjërat në brendi mbetën të pandryshuara, ndryshimet ishin relative dhe kozmetike. Raportet shoqërore mbetën të njëjta, dikush padron e dikush shërbëtor.
    Në vitin 1990 u liruan edhe të burgosurit e fundit politik shqiptarë nga kazamatet sërbosllave pas shumë vitesh vuajtje për përpjekjet që kishin bërë për çështjen e drejtë kombëtare. Kjo ishte pjesa jonë më e dëshmuar, më e sigurtë për iniciativat që priteshin të zhvillohen, sidomos në lëminë e organizimit politik. Por, jo – atyre u ishin vënë bariera të ndryshme për x arsye. Kështu, një pjesë e tyre bashkë me të rij dhe aktivistë tjerë formuan orgnizatën rinore Bashkimi i Rinisë Demokratike dhe përmes saj bënë përpjekje të shumta në drejtim të realizimit të kërkesave për arsimin e mesëm shqiptar në Strugë, i cili ishte ndërprerë plotësisht në fund të viteve 80-ta.
    Asokohe lindi dhe funksiononte edhe një subjekt politik shqiptar, që mori përkrahje gjithëpopullore, po që në përgjithësi funksionoi në disfavor dhe kundër të drejtave të shqiptarëve. Në vend që ky subjekt të jetë në ballë të aktiviteteve, ai doli përballë dhe e pengonte atë në të gjitha mënyrat. Aktivitetet kombëtare kryesisht bëheshin nga individë dhe grupe aktivistësh, apo struktura të rralla formale dhe joformale, Shoqëri Kulturo – Artistike etj.
    Më 1990 shteti maqedon nuk kishte fare në plan rihapjen e paraleleve shqipe në shkollën e mesme “Niko Nestor”. U bënë protesta, bojkote në shkolla fillore, por kot…U bënë aktivitete, përpjekje të shumta, por pa fryt.
    Gjatë vitit shkollor 1990/91, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) realizoi me sukses përdorimin e gjuhës shqipe në administratë dhe evidencë pedagogjike, gjë të cilën ua minuan më vonë subjektet politike shqiptare, të cilët gjithçka bënin, vetëm politikë shqiptare jo!
    Në Qershor 1991 para Kuvendit të Maqedonisë nga Struga me rrethinë pati një protestë masovike, pati delegacione e bisedime, por të gjitha kot.
    Në fillim të Shtatorit 1991 në Strugë pati protesta masovike, madhështore e dinjitoze për rihapjen e paraleleve shqipe në shkollën e mesme, po përsëri pa fryt…
    Diku nga mesi i Shtatorit 1991, nga një dyshe lindi ideja për hapjen me vetiniciativë të një shkolle të mesme. Ide e guximshme, po pse jo, sidomos kur e kemi parasysh situatën vakuum që u krijua pas protestave të fillimshatorit.
    Ideja u përcoll më tutje te rrethi i parë konsultativ, pas bisedash, sqarimesh me ish të burgosur dhe aktivistë tjerë të dëshmuar plani u pranua dhe u vazhdua me formimin e stafit arsimor.
    Në ndërkohë kërkohej mënyra më e qëlluar e realizimit, modeli i “Zef Lush Markut”, po si, ku?! U vendos që të kërkohet zgjidhje në Kosovë, që të funksionojmë si njësi e ndarë e ndonjë shkolle të mesme nga Kosova, pasi ish Jugosllavia ishte ende pa shpërbërë. U vunë kontaktet në Kosovë, u mbajtën takime më strukturat arsimore të Republikës së Kosovës, u mor përkrahja e tyre e parezervë dhe përfundimisht doli Gjimnazi “Hajdar Dushi” i Gjakovës, që na pranoi me kënaqësi si njësi e ndarë e tij…
    Kjo ishte ideja, nisma, realizimi, emri…
    Mandej pati takime tjera në rrethinat e Strugës, kërkohej lokacioni më i përshtatshëm dhe përfundimisht u vendos se duhet të jetë në objektin e shkollës fillore në Ladorisht, në qendër të fshatit. Objekti ishte ndërtuar me vetëkontribut.
    Më 2 Tetor 1991, bashkësitë lokale të fshatit dhe fshatrave përreth formalisht themeluan shkollën e mesme “Hajdar Dushi” dhe kjo ditë merret si ditë e themelimit dhe fillimit me punë të shkollës.
    Në vitin shkollor 1991/92, në vitin I u regjistruan 80 nxënës nga mbarë rrethi i Strugës e më gjërë dhe ca më vonë u formua edhe viti II me 12 nxënës të regjistruar.
    Shpejt pas hapjes së SHM “Hajdar Dushi” në Ladorisht, pasoi hapja në të njëjtën mënyrë e dy shkollave të mesme në Kërçovë dhe Kumanovë dhe dy shkollave fillore në Ballancë të Dibrës dhe Baçishtë të Kërçovës, por më e bukura ishte themelimi i Universitetit të Tetovës në vitin 1994 sipas modelit të “Hajdar Dushit” në Ladorisht.
    Se sa hap i qëlluar ishte hapja e shkollës së mesme me vetëiniciativë u duk menjëherë, kur u vunë në lëvizje strukturat e shtetit – Ministria e Arsimit të Maqedonisë me vizitat e shpeshta që na i bënte etj.
    Tanimë ishte tejkaluar kërkesa e mëparshme për paralele shqipe në kuadër të “Niko Nestor”; kërkesa e re ishte që SHM “Hajdar Dushi” – Ladorisht, me drejtimet e gjimnazit të pranohet si subjekt i pavarur, me drejtori, administratë e kuadër arsimor në një pjesë të objektit të uzurpuar nga “Niko Nestor” në Strugë e që do vepronte në kuadër të sistemit arsimor të Republikës së Maqedonisë.
    Raporti i forcave ishte relativisht i pafavorshëm, përkrahja nga popullata në përgjithësi ishte e madhe, vetëm se politika shqiptare, nëse mund të themi se kishte të tillë asokohe, nuk na përkrahte, ose e bënte atë me tendencë shkatërruese për shkollën. Kjo u vërtetua shpejt.
    Që në muajt e parë të punës, gjoja në emër të përkrahjes sa më masive të shkollës nga gjithë bashkësitë lokale shqiptare të rrethit të Strugës, disa individë, përkrahur edhe nga do struktura, shoqata e asociacione të ndryshme e uzurpuan Kuvendin e shkollës (ku bënin pjesë Këshilli i arsimtarëve dhe përfaqësues nga bashkësitë lokale), si organ më i lartë udhëheqës. Nga shumica e anëtarëve të Kuvendit nuk u kuptua rreziku, edhepse nga disa anëtarë të u potencua qartë qëllimi dhe rreziku që i kanoset shkollës. Me atë rast dy anëtarë të revoltuar dolën nga mbledhja, po kurrë nuk u larguan nga shkolla dhe kujdesi ndaj saj.
    Në ndërkohë, pas një seri incidentesh, demonstrimi force e presionesh tjera, më 15 Qershor 1992, shteti i ri maqedon, ende pa krijuar ushtri, po me forca të shumta rezervistësh e policësh (mbi një mijë sosh në fshat e dyfishi në pritje në distancë), me pajisje të rëndë ushtarake si : mitralozë, autoblinda, topa etj. ia mësyu fshatit Ladorisht, e rrethoi fort nga të gjitha anët që të pamundësohet çfarëdo kontakti apo ndihme nga fshatrat tjerë dhe e sulmoi barbarisht. Jo rastësisht u sulmuan shtëpitë dhe familjet e aktivistëve kryesorë për hapjen e shkollës. Po atë ditë ishte caktuar afati i parë i paraqitjes së nxënësve për regjistrim në vitin shkollor 1992/93.
    Në vitin shkollor 1992/93 interesimi i nxënësve ishte dyfish më i madh, u regjistruan 150 nxënës në vitin e parë dhe numri i përgjithshëm i nxënësve bëhej rreth 240. Shteti i intensifikoi veprimet, presionet e gjithanshme.
    Pasi u formua Kuvend i ri i shkollës, me struktura të reja udhëheqëse, pa dy anëtarët nismëtarë, të cilët nuk e pranojnë strukturën e re si legjitime…plani ogurzi realizohej gradualisht, që mos bihej në sy dhe struktura e re udhëheqëse e dhunshme e Kuvendit gjoja funksiononte, punonte, dikur shkollën e shpallën të pavarur, mandej pak nga pak filluan t’i zhvendosin mbledhjet e Kuvendit në Strugë, derisa më 29.09.1992 gjoja Kuvendi, përkrahur nga do mostra pseudointelektualësh e lasha – masha të pushtetit antishqiptar, mandej partia shqiptare, po vetëm me emër – nënshkruan dokumentin e kapitullimit, largimin e nxënësve në drejtim të “Niko Nestor” dhe mbylljen e shkollës. Me këtë rast një pjesë e Kuvendit nuk u pajtua me këtë akt dhe ata që mbetën, pa kuorumin e duhur sollën vendimin e mësipërm.
    Pas kësaj, u mobilizuan forcat dhe shkolla vazhdoi punën më normalisht, po një pjesë e nxënësve u tërhoqën nga shkolla dhe tentonin pa sukses të pranohen në “Niko Nestor”, ku u krijoheshin lloj-lloj barierash, provimpranime, seri afatesh pranimi…
    Ca e dobësuar, po me moral të lartër, shkolla vazhdoi punën normalisht. Përkrah gjitha goditjeve, sulmeve, presioneve, shantazheve, aty punohej me përkushtim. Edhe rezultatet ishin evidente…
    Sa i përket financimit, kjo bëhej me kontribute vullnetare; edhepse arsimtarët punonin vullnetarisht, përsëri Këshilli i shkollës bënte çmos që t’u sigurojë atyre të ardhura modeste, se shumica prej tyre nuk kishin të ardhura tjera e duhej edhe të udhëtojnë përditë prej rrethinave të Strugës. Mjetet siguroheshin nga fshatarët, por më së shumti prej gurbetçijve të fshatrave përreth e më gjërë.
    Gradualisht SHM “Niko Nestor” në Strugë detyrohet të hapë dyert për nxënësit shqiptarë, se nuk kishte formë tjetër që të shuhet SHM “Hajdar Dushi” në Ladorisht.
    Vitin shkollor 1993/94 në vitin e parë formohen dy paralele, kurse vitin tjetër shkollor 1994/95 memzi në Shtator formohet një paralele e vogël me 10-12 nxënës. Kjo ishte goditja më e rëndë që mori SHM “Hajdar Dushi” – Ladorisht, mospërkrahja popullore dhe mosardhja e nxënësve të rij, që janë shpiri dhe e ardhmja e saj. Gjithçka bëhej rreth shkollës, propaganda, fjalë, presione si dhe hapja e paraleleve shqipe në “Niko Nestor” bënë që të krijohet kjo situatë e palakmuar.
    Puna, edhepse në kushte të vështirësuara, përsëri vazhdonte normalisht, sipas gjith’ normave arsimore, kërkesat për futje në sistemin arsimor republikan nuk përfilleshin, propaganda sa vinte e forcohej…
    Kështu, në Pranverë 1995, kur duhej edhe pak të kryhet viti shkollor 1994/95, më saktë më 19 Prill 1995 policia fashiste maqedone sulmon përsëri fshatin dhe ndërhyn brutalisht në shkollë, e bllokon atë dhe nuk lejon të afrohet njeri. Disa javë me radhë furgon me policë kanë bërë roje pranë shkollës, që mos futen në të nxënësit e SHM “Hajdar Dushi”.
    Intervenimi policor në fshat dhe shkollë u bë me kërkesë të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë, të cilët e kanë në shfrytëzim objektin. Me atë rast u konfiskuan mjaft materiale të shkollës dhe ende sot e kësaj dite nuk janë kthyer.
    Kjo ishte me të vërtetë tepër, një shtet lufton me një fshat, apo një pjesë të tij dhe në këtë luftë të pabarabartë shteti ka përkrahje të parezervë edhe nga politika servile shqiptare. Vërtetë mjerim!
    “Hajdar Dushi” nuk mundi më të qëndrojë në Ladorisht, prandaj u zhvendos do kohë në shtëpi private në Strugë e në Veleshtë. Kështu vazhdoi derisa pezulloi veprimtarinë me përfundimin e vitit shkollor 1995/96.
    Nga nxënësit e “Hajdar Dushit” disa dhjetra prej tyre kryen shkollimin e lartë.
    Pas rreth 10 vitesh nga pezullimi i “Hajdar Dushi”, në kompleksin e shkollës së mesme në Strugë lindi SHM Gjimnazi “Dr. Ibrahim Temo”, që është thjeshtë riaktivizimi i “Hajdar Dushit” me emër tjetër. Ky ishte misioni i “Hajdar Dushit”, jo thjeshtë mjet presioni për rihapjen e paraleleve shqipe, po shkollë e mesme e mëvetësishme shqipe.
    Në fund vetëm do kisha dashur të përcjell mesazhin e qartë që vjen nga “Hajdar Dushi”, shembulli i tij dhe rreth tij të na mësojë të gjithëve se si duhet të punojmë pa u lodhur e mos dorëzohemi kurrë para pengesave eventuale; le të jetë kjo një shtytje për intelektualët e mirëfilltë, mjeshtër të penës, shkencëtarë e studiues të lëmive të ndryshme, se kanë material të bollshëm para syve – vetëm duhet ta marrin; le të organizohen tryeza, simpoziume, debate, se vetëm ashtu pastrohen gjërat e vijnë në vendin e vet…
    Të gjitha këto ia kemi borxh vetes, të shkuarës, të tashmes e të ardhmes, t’i edukojmë e arsimojmë fëmijët tanë në frymën e lirisë dhe të drejtës, mos i përcjellim te to gjërat e këqija, po vetëm vlerat dhe të mirat; kemi një rini të mrekullueshme, me një potencial të jashtëzakonshëm, që do kanalizuar drejt…
    Politika shqiptare sot dallon nga e kaluara, po larg nga ajo që duhet e që mundet! Ku janë shqiptarët në Maqedoni sot, ky popull autokton e i lashtë sa malet; ku është gjuha shqipe sot, a ka pozitë dinjitoze apo jo?! Jo, sigurisht! T’i vëmë gjërat në vendin e tyre, bashkarisht, po përfaqësuesit politik e shoqëror duhet të prijnë, nëse nuk ndihen të aftë dhe të gatshëm le mos pranojnë atë rol! Intelektualët dhe populli mbarë të jetë më syçelë, se shumë gjëra bëhen në emër dhe në llogari të tij. Njerëzit e duhur në vendet e duhura, nëse do respektohej ky parim, atëherë nuk do i kishim gjithë këto probleme në të gjitha sferat e jetës! Të avancohen e ngrihen vlerat dhe jo e kundërta, të organizohemi më mirë, të respektojmë veten, njëri-tjetrin, se ashtu do na respektojnë edhe të tjerët.
    Sa i përket “Hajdar Dushit” shpresojmë se nuk do jetë ky një fillim e fund rreth tij njëkohësisht, po do të jetë një start i mirë derisa të zërë vendin meritor në histori. Politikës dhe strukturave gjegjëse u takon të angazhohen për rehabilitimin e SHM Gjimnazi “Hajdar Dushi” – Ladorisht, vendosjen e tij në strukturat e sistemit arsimor, ndërsa arsimtarët dhe stafi që punoi dhe investoi në të, të vlerësohen dhe së paku vitet e investuara në të t’u njihen zyrtarisht.
    Ju falemnderit për durimin, mirupafshim në projekte dhe përvjetorë tjerë…
    Ladorisht,01.10.2011 Përpiloi: Guximtar Labënishti
In : Aktuale

Loading...
loading...