Grenelli dhe Mirëdita Dobar Dan si Hamburger vs Tomatoes

Nga Roland Amzai

Duke e parë Kosovën si të ndikueshme nga mjedisi që e rrethon dhe jo nga sistemi i saj burimor, vetëm duke marrë për bazë muajt e fundit mund ta kuptojmë se në degradimin e retorikës në nivele globale dhe rajonale, pajtimi shqiptaro-serb ka marrë dy perspektiva;

Atë të Grenellit dhe atë të Mirëdita Dobar Danit.

Të dyja aq banale sa debati hamburger vs tomatoes!

Festivali Mirëdita Dobar Dan u prit me protesta në Beograd. Ky festival është i mbështetur nga disa fondacione partnere, por mes tyre mund të veçohet Youth Initative for Human Rights.

Janë shfaqur ndërkohë disa shfaqje teatrale dhe filma të përzgjedhur nga nikoqirët e festivalit me seli në Beograd.

Shfaqjet ashtu sikurse të gjitha informacionet shtesë janë të publikuara në faqen e tyre zyrtare.

Pra, serbët nuk e mirëpritën as formën, as substancën e këtij festivali të zhvilluar në tetor të këtij viti. E kur e shikon përmbajtjen habitesh se me çfarë nuk janë dakord. Një debat për memorien kolektive ( shqiptaro-serbe dhe te tjerët në Kosovë), një ekspozitë të kulteve dhe trashëgimisë kulturore, një monolog që trajton temën e seksualitetit, një film artistik (“Shpia e Agës”).

Pra, serbet nuk janë dakord as me fjalën Mirëdita, as me fotografitë e kishave serbe, as me monologun, as me  filmin. Trajtesa që festivali i bën objektit të vet është gati një neojugosllavizëm. 

I ngjajshëm me juritë që bënin pranimin e një kënge shqiptare në festivalet e Jugosllavisë. Si me thënë: Ekzistojnë edhe këta! Një trajtesë mëshiruese, që të duket sikur je në gjendje lufte, e një komshi i mirë po të mbron nga sivëllezërit e tij gjuhësor.

Pra, serbet nuk janë dakord as me këtë trajtim, me trajtimin e shqiptarit si një qënie të dorës së dytë për t’u mëshiruar.

Fryma e festivalit konfirmohet fare lehtë nëse shquajmë nikoqirin e këtij festivali, që është Fondacionit Network Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut. Në preambulën e kësaj organizate mund të shquajmë fare lehtë, se objekti i së njëjtës është barazitarizmi i krimeve dhe kriminielëve me pësuesin e këtyre, duke thënë e mbajtur qëndrime përgjithësuese, pa fajtorë e pa viktima.

Ja se si e përshkruan aktivitetin bazë të saj kjo organizatë:

“Objekti i veprimit të YIHR  janë shoqëritë dhe qytetarët, për më tepër të rijntë, të cilët janë minimalisht të njohur me ngjarjet dhe krimet e luftës të kryera në vitet 90-të, ku ideologjitë nacionaliste, të cilat çuan deri te luftërat dhe ku të gjitha palët i trajtojnë kriminelët e luftës si heronj, ende mbizotërojnë.”

Siç vërehet me një shikim të shpejtë, kjo organizatë mendon se Serbia nuk është shtet agresor që shkaktoi dhjetëra mijëra të vrarë, gra të përdhunuara, shtëpi e pasuri të shkatërruara, vjedhje të pronave dhe të pensioneve. Sipas tyre “Nacionalizmat”, me gjasë edhe nacionalizmat boshnjake dhe shqiptare, ishin ato që shkaktuan krime lufte.

Ka shumë organizata të tilla simotra në Ballkan. Aktiviteti i tyre është i lirë, xhanëm si në çdo vend të botës.

E megjithatë disa fakte mund t’i rendisim. Faqja zyrtare është në anglisht dhe serbisht, me pak përkthime në shqip. Domain-i serb që mbaron me shkurtesën “.rs” korrespondon me selinë qendrore në Beograd.

Por, të gjitha këto nuk do të ishin shqetësuese nëse nuk do të kishim lexuar këtë reagim në Gjuhën Angleze në faqen e tyre zyrtare:

“The glorification of those accused for war crimes is unacceptable always and under any circumstance.”

Përkthyer në shqip:

“Glorifikimi i personave të akuzuar për krime lufte është i papranueshëm gjithmonë dhe në çdo rrethanë.”StrugaLajm

Në këtë reagim pra, akuzohen disa pjesëmarrës të festivalit Mirëdita Dobar Dan se ata kanë mbështetur me deklaratat e tyre të ndryshme këta të akuzuar për krime lufte. Pra si të thuash, u ka ngelur hatri nga këta rebelë që “hanë bukën e kaurrit* dhe bëjnë dovanë* e turkut*.”

E gjitha kjo e shoqëruar me një fotografi që ka lidhje me dicka tjetër. Jo më larg se sa pardje, në datën 17.11.2020 në Graçanicë u sulmuan me mjete djegëse tabelat e fushatës “Liria ka Emër”.

Teknikat e shkrimit dhe të PR-it njihen edhe për manipulim të opinionit publik.

Pra edhe njëherë, e shkruar në anglisht, me një fotografi që shfajson agresorët e aktit të djegies së kësaj tabele, fajësohen shqiptarët që nuk i qenkan bindur ideologjisë dhe aksionit të kësaj organizate.

Pra që ta mbyllim, sipas organizatës kuazirinore me seli në Beograd, krimet në Jugosllavi i kanë bërë nacionalizmat, kurse në Kosovë i kanë bërë shqiptarët.

Përtej kësaj, kjo organizatë dhe shumë të tjera si këto, qasjen e kanë të gabuar duke pretenduar se me disa shkëmbime seminaresh dhe festivalesh do pajtojnë popujt në Ballkan, se duke përgjithësuar krimin do të zbusin retorikat politike. Janë shumë larg paradigmës së mirëfilltë se kohezioni kulturor mund të ndikojë në atë ekonomik dhe shtetëror edhe ndërmjet kombeve.

Nga ana tjetër, kemi perspektivën Grenelliane se Qiraja e Paguar* pajton popujt.

Po rendisim si kronologji disa qëndrime të tij mbi dialogun dhe pajtimin shqiptaro serb.

-“Të rinjtë kosovar duan vende pune, e jo të dëgjojnë përleshje politike”. Washington për Gazetën ZERI -Janar 2020- 

-“Ne do t’i nxisim qeveritë dhe liderët në Kosovë dhe në Serbi, e t’u themi: ‘shikoni njerëzit, nisni të hapni punë të reja’.”

-“Kur keni ekonomi vibrante, kur keni njerëz që marrin pjesë në ekonomi me mënyra të reja, me biznese të reja, çështjet politike bien, sepse atëherë njerëzit përqendrohen në jetën e tyre të përditshme.”

Koha – janar, 2020 – Deklaratë pas darkës së punës me ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

….

-“One thing is for sure, you can always count on Albin Kurti to be against the United States.”

-“He was against Obama’s ideas, and he was against Bush’s ideas.”

-“Symbolism doesn’t pay the rent; jobs do.”

Shtator, 2020 – Twitter – Reagim personal ndaj qëndrimit të ish Kryeministrit Albin Kurti për kuazimarrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Këto dy qasje janë dëshmi se kemi degraduar shumë së brendshmi, meqë së jashtmi shihemi ose si të mëshirueshëm ose si qiraxhinj.

Duhen përgëzuar djemtë dhe vajzat e Festivalit Mirëdita Dobar Dan, që nuk janë ndikuar nga nikoqirët e festivalit apo financuesit e tyre dhe kanë mbajtur qëndrimet e tyre të drejtë, ashtu sikurse duhet përgëzuar dhe Qeveria Kurti për mbrojtjen e qëndrimeve parimore ndaj presionit për një Fast Food Deal!

In : Aktuale

Loading...
loading...