HAJNIA INTELEKTUALE

Shkëlzen Halimi

Shoqëria shqiptare, përpos shumë devijimeve, përballet, fatkeqësisht, edhe me hajninë intelektuale, e cila ka bërë që, ndër të tjera, thjeshtë të vlojë nga “akademikët” me tituj, por që në fakt nuk i ke askund për të kontribuuar së paku në ato lëmenj ku u “frymëzuan” për temat e mbrojtura para anëtarëve (profesorëve) të dyshimtë dhe të korruptuar.
Nuk është fshehtësi se mjaft dëme kanë bërë edhe individë me përvojë dhe të papërgjegjshëm në Prishtinë, Tiranë, Shkup e Tetovë, por edhe gjetiu, të cilët kanë hapur “dyqanet” e tyre për të shitur tema të gatshme, që mundësojnë rrugë fare të shkurtë jo vetëm që të merret titulli akademik, por edhe gjetja e një vendi të punës me përgjegjësi të madhe. E, çka është përgjegjësia për të papërgjegjshmit?
Nuk duhet të habitemi pse jemi aty ku jemi, në këtë gjendje të mjerë. Sot në krye të institucioneve kulturore janë individët e dëgjueshëm, të lakueshëm sa herë që urdhërohen nga partia në pushtet, janë individë që s’kanë dinjitet dhe mbi të gjitha janë analfabetë funksional. Janë pikërisht këta që prioritet i japin sasisë dhe nuk e lodhin trurin për cilësinë. Janë pikërisht këta që akoma nuk janë në gjendje të mendojnë shqip, prandaj dhe nuk dinë të shkruajnë shqip. Pikërisht kjo është karakteristika kryesore që i bën të dallueshëm analfabetët funksional. Të tillët midis nesh i ke me bollëk.
Lënia anash e kritereve të domosdoshme dhe bazë për të arritur deri te titulli akademik, ka bërë që te ne ky vrap të bëhet thjeshtë modë, kurse institucionet e arsimit si trampolina të “manekinëve” që nuk skuqen fare për faktin se në këtë mënyrë zhvishemi deri në lakuriqësi. Sot, shumë më vështirë është të marrish ndonjë dokument personal se sa një titull akademik, sepse në administratën shtetërore punojnë ata që shërbejnë për justifikim të sasisë, shërbejnë ata që janë vetëm dekor dhe asgjë më tepër.
Ata që kanë pasur mundësi të shfletojnë ndonjë përmbajte të temave të “mbrojtura” para komisioneve, thonë se janë të ngjashme me hartimet shkollore, përplot me plagjiaturë, pa referenca. Thjeshtë janë ca përralla bajate. Në to nuk ka asnjë mendim të kandidatëve për “akademikë”, sepse nuk kanë çka të thonë, sepse për të thënë diçka konkrete, duhet punë dhe angazhim permanent.
Është më se e domosdoshme që të shtrohet nevoja urgjente e një nisme institucionale për verifikimin e të gjitha titujve akademik, thjeshtë për ta ndarë shapin prej sheqerit dhe për ta bërë dekontaminimin e shoqërisë shqiptare, gjithnjë duke mëtuar për ta ruajtur higjienën shpirtërore të kësaj shoqërie, e cila është e mbuluar me parazitë të quajtur si analfabetë funksional. Vetëm pastaj mund të themi se është arritur katarsisi i mjaftueshëm, për t’ia filluar nga pika zero. Asnjëherë nuk është vonë kur bëhet fjalë për mbylljen e shtegut para këtyre dukurive të shëmtuara me pasoja afatgjate, përfshi mbylljen edhe të shtegut të hajnisë intelektuale…StrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...