HAMDI BEJ OHRI (1872-1938)një patriot i vërtetë i Shqipërisë

HAMDI BEJ OHRI (1872-1938), Atdhetarë, veprimtarë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe pjesmarrës në Shpalljen e Panvarsisë
(Me rastin e 80 Vjetorit të vdekjes)

Nebi Dervishi/Strugalajm.com

Të kujtosh veprën e njerëzve të mëdhenj të kombit, e në veçanti figurave e veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare, në mesin e të cilëve hynë edhe atdhetari Hamdi Bej Ohri (1872-1938), nuk është vetëm mirënjohje për këtë plejadë por edhe vlerë për t’ua lënë brezave, vazhdimësinë e punës së tyre titanike. Është shumë e sakt thënja “se një popull që nuk përkujton të kaluarën dhe nuk i respekton plejadën e atdhetarëve që sakrifikuan për të në kohrat më të vështira, duke falur edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën”, ai popull, nuk dinë të ndërtojë të sotmen dhe as që mund ta planifikojë të ardhmen.

Më 4 shkurt të këtij viti (2018) mbushen plotë 146 vjet të lindjes së Hamdi Bej Ohrit – një ndër tribunët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njëri ndër rilindasit tanë më të shquar në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, intelektual i madh i kohës së vetë, patriot i flaktë, veprimtarë i palodhur, luftëtar i paepur për çështje kombëtare e për shkolla shqipe, armik i përbetur i tiranisë së sultan Abdyl Hamitit të II, i cili 8 herë e arrestojnë dhe e burgosin, për ta thyer peronalitetin, eruditë, pjesmarrës gati në të gjitha ngjarjet kombëtare në fund të shek. XIX e fillim të shekullit XX, personalitet i cili tërë jetën dhe pasurinë e tij ia kushtoi luftës për Liri e pavarsi, që e kurorzoi me sukses me pjesmarrje në Kuvendin e Vlorës – delegatë që përfaqësonte Ohrin e Strugën në këtë eveniment mbarë kombëtar . Hamdi Bej Ohri, ky luftëtar i paepur (i pathyeshëm) në agun të Lëvizjes kombëtare shqiptare u shfaq në momentet më dramatike të ringjalljes së shpresës shqiptare. Në rrjedhën madhore të ngjarjeve për autonominë shqiptare, personaliteti i tij i spikatur, do të renditej krahas figurave të tjera kulmore, në supet e të cilëve ranë brengat e coptimit. Në këto furtuna u lind, dhe u burrërua trupi dhe shpirti i këtij atdhetari, duke u shëndërruar në besë e shpresë, siç do të shrehet vite më parë një miku i jem, duke u shëndrruar në besë e shpresë për aspiratat e kombit të vet. StrugaLajm

Hartimi i një portreti kushtuar jetës dhe veprimtarisë atdhetarë të Hamdi Bej Ohrit, është më tepër se një dëshirë e autorit, është një detyrë e historiografisë sonë, e cila duke studjuar të kaluarën e popullit shqiptarë, e bashkë me të epokën e Rilindjes, shpalljen e Pavarsisë gjysmake dhe ngritja e Flamurit kombëtar, që sivjet festojmë 106 vjetorin e saj, po hedhë dritë gjithashtu mbi kontributin e atyre personaliteteve të shquara vepra e të cilëve nuk mund të ndahet nga historia e dhimbshme dhe e lavdishme e kombit tonë.
Edhe Hamdi Bej Ohri hyri në skenën politike të Shqipërisë në periudhën e fundit të Rilindjes, kur shek. XIX, po mbyllej, ndërsa shekulli XX po hidhte hapat e para. Ishin këto vite vendimtare në Luftën për Çlirim kombëtar të shqiptarëve. Fati i tij ishte thuajse i njëjtë me atë të mjaft atdhetarëve të tjerë.

Hamdi Bej Ohri (Çoku) u lind më 4 shkurt 1872, në qytetin e lashtë të Ohrit. Është pinjoll i fisit të Çokëve të Klloboçishtit në trevën e Dibrës. Ishte i biri i Ollamnit dhe nip i zemërmadhit të Lidhjes së Prizrenit, Iljaz Pashë (Çoku) Dibra , i shquar për mbrojtjen e trojeve shqiptarë nga coptimi.
Ohri është qytet me tradita të lashta dhe të ndritura shqiptare. Gjatë historisë ka qenë” kryeqendër e bashkësisë së Dasaretëve ilire me emrin e vjetër Lyhnidus; seli e kishës shqiptare deri në shek.XIII; Kyeqendër e Principatës së Gropajve në gjysmën e dytë të shek XIV; arenë e betejave legjendare të heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu në mesin e shek. XV, etj. Në Ohër kanë lindur dhe vepruar mjaftë personalitete të shquara shqiptare, si: Onufri në shek. XVI, Andrea Bogdani, Pjetër Bogdani, Xheladin Beu, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Medi Beu, Irfan Beu , dhe shumë të tjerë.
Ndikim vendimtar në formimin e Hamdiut, si atdhetar intelektual revolucionar dhe luftëtar i orëve të para të shkollave dhe pavarsinë shqiptare, përveç se ishte pinjoll i Iljaz Pashë Dibrës, pa dyshim se ka ushtruar edhe gjendja e mjeruar e atdheut të tij, Shqipëria që ishte në kuadër të Perandorisë Osmane nën regjimin tiranik të sultan Abdyl Hamiti II (1876-1909). Prapambetja e Shqipërisë, mungesa e të drejtave kombëtare e politike për shqiptarët dhe për popujt tjerë, dhuna e ushtruar mbi vet popullin turk nga sulltani Abdyl Hamiti II, rënja e përgjithshme e Perandorisë Osmane që po kthehej në një gërmadhë dhe rreziku që po i kanosej ekzistencës së kombit shqiptar dhe të ardhmes së tij, ishin ndër premisat kryesore përcaktuese që e shtynë Hamdi Bej Ohrin dhe intelektualët e rinj shqiptar drejt mendimeve dhe veprimeve revolucionare.StrugaLajm

Në mjedisin e shqiptarëve të pakënaqur dhe të njohur për aspiratat e tyre për pavarsi u rrit edhe Hamdiu, njëri ndër rilindasit tanë, i cili duke punuar për çështjen kombëtare dhe për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, kaloi një jetë të mundimshme, duke u ndjekur, persekutuar e dënuar nga ana e pushtetit osman dhe armiqëve të gjuhës dhe shkollës shqipe: 8 herë është arrestuar, 4 herë është shpëtuar nga vdekja e sigurtë (në Stamboll, Beograd e në Ohër), dy herë është dënuar me vdekje (një herë nga turqit e vjetër (regjimi i sulltanit) dhe një herë nga xhonturqit), katër herë i është djegur e shkatërruar shtëpia…. etj
Pra, në qytetin e Ohrit, më 4 shkurt të vitit 1872 u lind Hamdi Bej Ohri, njëri prej atdhetarët e rilindasve më në zë të kësaj periudhe. Shkollën fillore e kreu në Ohër, e më pas mësimet i vazhdoi në gjimnazin (medresenë) e Manastirit.
Hamdi Bej Ohri u largua nga vendlindja në një moshë të re. Megjithatë i mekur tanimë në mjedisin familjar dhe në vendlindje me një atdhedashuri aq të zjarrtë për Shqipërinë, të cilën nuk arritën ta zbehin as madhështia e Stambollit, kryeqyteti i Perandorisë, as edhe vitet që i kaloi nëpër kazmatet (burgjet) osmane. Lidhjet e vazhdueshme me vendlindjen dhe me familjen e tij, qëndrimi atje, gjatë pushimeve verore dhe takimet me bashkëvendasit, bënë që në mendjen dhe në zemrën e tij, të mbetet gjithnjë të freskëta vuajtjet e popullit shqiptar, aspiratat e tij për liri, arsimim dhe pavarsi, për të hyrë në rrugën e qytetërimit evropian (oksidental), të përparimit ekonomik dhe kulturor. Dëshira për ta shpëtuar atdheun nga coptimi që i kanosej për shkak të politikave shoveniste të monarkive fqinje ballkanike, për t’i parë shqiptarët dhe trojet e tyre të bashkuar në një shtet të vetëm kombëtar, u kthyen në intelektin e Hamdiut të ri, në një ëndërr, në një aspirat parësore, së cilës do t’ia kushtonte gjithë jetën e tij. Pra, ishte dashurija e flaktë për liri, urrejtja për despotët e tiranët, ato që e bënë Hamdiun të afrohet e të bashkëpunojë dendur me shumë personalitete shqiptare që gjindeshin në Konstandinopojë, si dhe të bashkëveprojë dendur me intelektualë të rinjë turq dhe të kombeve të tjera në Perandorinë Osmane.

Pasi mbaroi gjimnazin në Manastirin, Hamdiu në moshën 16 vjeçare shkoi në Stamboll së bashku me bashkëmoshatarin dhe kushëririn Ramiz Dibrën (Çokun). Mësimet e larta Hamdiu i ndoqi në shkollën ushtarake të Stambollit, por më vonë u shtrëngua t’i këpus për gjysmë e të arratisej për shkak të pjesmarrjes së tij në çështjet kombëtare shqiptare. Në vitin 1892 studenti i ri në Stamboll, nisi me marrë pjesë në mbledhjet që bëheshin në shtëpinë e Bexhet Bekteshit nga Dibra, ku merrnin pjesë edhe Sami e Naim Frashëri, Dervish Hima, Dr. Ibrahim Temo, dhe të tjerë flamurtarë të idealit kombëtar. Pasi u diktuan nga autoritet osmane, Hamdiu u arratis së bashku me Dr. Temon, e Dervish Himën, ndërsa Bexhet Bekteshi ra në thonjtë e regjimit absolute të sulltanit dhe internohet në qytetin e Appa, ku ndëron jetë pas disa vjet vuajtjeje.
Pas një kohe Hamdi bej Ohri kthehet në Ohër për të marrë më pas rrugën e Evropës. Pas qëndrimit në Vjenë, Beograd dhe Bukuresht, shkoi përsëri në Konstantinopojë ku u arrestua disa ditë më pas. U lirua shpejt dhe u kthye përsëri në vendlindje, në Ohër. Në këtë kohë ai punoi së bashku me atdhetarin Sotir Kolea në përpilimin e një fjalori të gjuhës shqipe. Ky fjalor u dogj më vonë prej njerkës së tij nga droja e autoriteteve të administratës Osmane. Edhe në vendlindje Hamdi Bej Ohri e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike e kulturore-arsimore, sidomos nëpër qendrat si në Ohër, Strugë, Dibër, Rekë, Kërçovë, etj., duke organizuar komitete të fshehta, me qëllim që të rrisin ndërgjegjen kombëtare në masat e gjëra.
Në mesin e viteteve ’90 të shekullit XIX organizata “Bashkim e Përparim” kryente aktivitet të dendur edhe në disa qytete shqiptare. Nga aktivistët e parë të kësaj organizate në Shqipëri ishin Dervish Hima (Ibraim Naxhiu) dhe Hamdi Ohri, nëpërmjet të cilëve dega e Konstancës, e drejtuar nga Dr. Ibrahim Temo, mbante lidhje me Manastirin, Strugën, Elbasanin, Dibrën, Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Ohrin, Kërçovën, Starovën, Beratin, Janinën dhe me qendra tjera
Nga letërkëmbmi i Dr. Temos me Hamdi Ohrin, Dervish Himën etj., kuptohet se në Strugë, Elbasan dhe në ndonjë qytet tjetër, qysh në vitin 1896 ka pasuar bërthamë ose degë të xhemijetit “Bashkim dhe Përparim” . Në to përmenden edhe disa nga anëtarët e xhemijetit të Elbasanit dhe Strugës. Në letrën e D. Himës, të 20 shtatorit 1896, thuhet se atdhetarët shqiptarë të Ohrit dhe Elbasanit janë përpjekur të fusin në xhemijet njerëz edhe nga Tirana. Nga njohtimet e Hamdi Ohrit të vitit 1897, kuptohet se në Ohër, ka pasur një bërthamë të “Bashkim e Përparimi”, që vepronte nën drejtimin e tij. Hamdi Ohri i shkruante Dr. Temos se “do të tregojë si janë punët në xhemijet”, i kërkon gazeta, madje edhe shkronja”, që t’i dërgoheshin me anën e portit të Durrësit, për të themeluar në Ohër një shtypshkronjë . Në një letër tjetër të kësaj periudhe (1897), Hamdi Ohri i flet atij për lidhjet e tij me Dibrën dhe shpreh dëshirën “për të formuar edhe atje një xhemijet të vogël” . Në dy letra të tjera, që i përkasin një periudhe më të vonshme, prill 1899, të cilat i dërgoheshin Dr. Ibrahim Temos, nga një patriot shqiptar nga Ohri, flitet me simpati për idenë e turqve të rinj, që duan të sigurojnë lirinë., si dhe për “nevojën e futjes së bashkëatdhetarëve të vet në sferën e xhemijetit”
Veprimtaria e përkrahësve të turqve të rinj në Shqipëri vazhdoi edhe pas arratisjes nga Shqipëria të Dervish Himës në vititn 1897 dhe pas arrestimit të Hamdi Ohrit .
Në letrën që i dërgonte Dr. Temos, më 2 prill 1896, nga Shqipëria, Hamdi Bej Ohri i përshkruante veprimet arbitrare dhe antishqiptare të Valiut të Manastirit, Abdyl Kerim Pashës, që ka qenë i njohur si një nga funkcionarët më të egër të adminsitratës të sulltanit, që nuk lejonte të përkapej midis shqitparëve as edhe një libër shqip. “Popullin tonë- shkruante Hamdiu, – e sulmon dhe e godet më çdo minutë. Ai dhe nënpunësit e tij e kanë rrethuar popullin me spiunë (hafije) nga të gjitha anët, që e vëzhgojnë në çdo çast. Madje, më tepër se kundër turqve të rinj, këta luftojnë shqiptarët” . Të gjitha këto që Hamdiu i shkruante në letër, ia tregonte Temos që ky “ta demaskonte një orë e më parë këto të poshtër (Abdyl Kerim Pashën) në një nga gazetat që botoheshin në Evropë”. Pres një kopje të gëzetës në të cilën do të shkruajsh për këto”, – i thotë Hamdiu mikut të tij .
Nëpërmjet Hamdi Ohrit, Dr. Temo dërgonte libra shqipe edhe në Dibër, ku dëshira për të mësuar gjuhën amtare po shtohej dita ditës. “Në Dibër – i shkruante atij Hamdi Ohri, – po shtohen mësuesit e gjuhës shqipe. Kërkojmë vazhdimisht libra. Aman, përpiqu që librat të na mbërrijnë shpejt. Librat duhet të vijnë këtu një sahat e më parë”. Në këtë letër, të 11 qeshorit të vitit 1897, Hamdi Ohri bënte fjalë edhe për pregatitjet që po bëheshin për ngritjen e një shtypëshkronje që do të merrej me botimet në gjuhën shqipe. Nuk përcaktohet qartë vendi ku do të themelohet ajo, por me sa kuptohet do të vendosej në Ohër ose në Dibër. Nga Dr. Temo kërkohej që t’i dërgonte shronjat dhe tezgjahun drejtpërdrejtë nga Durrësi në adresën që do t’i tregonte më vonë. “Ngjarjet do të na i shkuajsh ti, i thoshte Temos. Na dërgo çdo gjë tjetër që ti e gjykon se meriton të shtypet e të botohet:. Në kushtet, kur “gazeta shqipe dhe françeze”, ishin të ndaluara kategoriskisht të futeshin në territorin e Turqisë, shtypshkronja e ngritur në një vend, do të ndihmonte në përhapjen e librave dhe gazetave shqipe. Ka shumë mundësi, mendon Akademik Kristaq Prifti, që kjo orvatje të ketë dështuar, pas arestimit të Hamdi Ohrit.
Në vitin 1897 Hamdi Bej Ohri hapi një shkollë shqipe në një ndërtesë të vetën në Ohër, por u diktua nga hafijet e sulltanit. Prandaj u arratis dhe u fsheh në fshatin e Izeglavës në rajonin e Debërcës ku famila kishte pasuri të patundshme. Por edhe këtu u zbulua, dhe për ta arrestuar shkruan taborre të mëdha ushtarës. Nga Debarrca, për të shpëtuar arrestimit në mënyrë klaudestine, u vendos në malet e Dibrës, ku nuk mund të arrestohej pa u derdhur shumëë gjak. Për këtë shkak Valiu i Manastirit, Faik Pasha, përdori dinakërinë, duke i premtuar falje, e bindi me u dorzua. Por, gjykata e ndëshkoi me pesë vjetë burgim në burgun e Manastirut, ku u gjind edhe atdhetari Halit Bërzeshta, që kishte merita të mëdha në përhapjen e arsimit shqip. Këto të dy, në saj të përvojës së gjatë në propagandimin e shkollës dhe librit shqip, as në qelitë e errëta të burgut nuk qëndruan të qetë. Ato organizuan një kurs të fshehtë që të burgosurve shqiptarë t’u mësonte leximin, shkrimin dhe historinë kombëtare.
Halitit i shkoi për dore që në qelitë e burgut të Manastirit t’i fus librat shqipe fshehurazi, kurse Hamdiu ua mësonte gjuhën shqipe të burgosërve. Në këtë mënyrë Hamdi Ohri burgun e Manastirit e transformoi në një shkollë shqipe dhe “fole revolucionare” – do të shtojë Haki Stërmilli. Shkolla shqipe e burgut të Manastirit, të cilën e organizoi Hamdi Ohri me shokë, është rast unikal e specific dhe fenomen andralogjik. Hamdiu në qelinë e tij kishte rreth 50 të burgosur shqiptarë, të cilëve ua mësonte gjuhën e historinë kombëtare. Aty kaliteshin edhe atdhetarë të vërtetë që i duheshin popullit. Përveç punës së shkollës në burgun e Manastirit Hamdi Ohri merrej vazhdimisht edhe me shkrime, ndiqte vazhdimisht shtypin e kohës, u shruante letra miqve e bashkëmendimtarëve, etj.
Në një letër që dërgonte bashkëvendasit dhe mikut të tij Dr. Temos në Rumani, më 6 shkurt 1899, d.m.th. vitin e fundit të burgut, Hamdiu shkruan me pseudonimin “Dashmani” , ku në mes tjerash shkruan:
“…A duhet të heshtim përpara provokimeve të tmerrshme ruse kundra neve me anë të panelennizmit e të panslavizmit?Ohri e Struga janë laboratorët e intrigave të mallkueme të këtyre propagandavet.
Mjerisht myslimanët, zhyten në një heshtje të pafund, gjunjëzojnë nëpër Teqe e Medrese gjoja se po begatën me shkenca mistike e skolastike dhe kanë mbyllë veshët e sytë ndaj vigmës së popullit që të copton shpirtin”
Në bazë të këtyre përfundimeve të Hamdiut, nuk është vështirë të kuptohet se përveç pushtetit osman, armiku i përbetuar i shqiptarëve është edhe politika ekspansioniste Sllave e greke që udhëhiqej nga Patrikana dhe Fanari. Trojet shqiptare ishin bërë laboratore ku eksperimentohej politika e mallkuar e këtyre qarqeve.
Derisa Hamdiu nëpër burgjet e errëta përhapte arsimin shqip, zgjonte ndërgjegjen kombëtare, shkruante fjalor, lexonte libra e gazeta të kohës, këmbente letra me atdhetarë të shquar dhe dënonte politikën antishqiptare të pushtetit dhe qarqeve të ndryshme, muslimanët, duke humbur kohë nëpër “teqe e medrese” rrijnë indiferentë ndaj interesave të popullit. Prandaj kjo Hamdiut ja lëndon zemrën dhe ja copton shpirtin sepse “Serbët e bullgarët, të frymëzuar nga ambiciet e nalta kombëtare, po flijojnë jetën e tyre, secili për liri e përparim t’atdheut të vet e na në gjumë të vdekjes. Muslimanët po na shesin mallin bullgarëve dhe paret po i prishin ndër vende dëfrimi… “
Hamdiu e përcillte me vëmendje të madhe zhvillimin dhe përparimin kulturor-arsimor të popujve të tjerë, sidomos të bullgarëve, sërbëve e grekëve, të cilët edhe pse ishin nën sundimin osman, kishin siguruar të drejtën të hapnin shkolla në gjuhën e tyre, ndërkaq shqiptarëve u mohohej kjo e drejtë. Ai konstaton se këta popuj punojnë natë e ditë për liri e përparim, kurse shqiptarët muslimanë kohën e kalojnë në vende dëfrimi. Që të tejkalohet kjo gjendje, ai angazhohet në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare.
Pra, i frymëzuar nga patriotët shqiptar në Stamboll Hamdi Ohri, shkon në pranverën e 1897, në vendlindjen e vet të dashur, në Ohër. Pas disa muaj qëndrimi aty, bënë disa rregullime në shtëpinë e tij të madhe dhe çel atje të parën shkollë shqipe në Ohër. Me ndihmën e miqve të vet, siguron abetare nga Stambolli e Konstanca dhe angazhon mësues Hajdar Blloshmin të cilin e paguan vetë për t’u dhënë mësim bashkombësve të vet. Kur shkolla kishte vetëm pak muaj që ishte çelur, Hamdiu Ohrin e thërrasin në komandën e korpusit ushtarak të Manastirit, duke i thënë të lërë menjanë shkollat e të marrë detyra të larta në hierarinë ushtarake osmane. Student i talentuar ushtarak i Stambollit, oficerë me perspektivë të gjërë në ushtrinë osmane, jo vetëm nuk pranoi ofiqe, por me tonë burrërore u kumtoi ushtarëve turq në Manastir, se ishte shqiptar e do të bënte gjithçka, që populli i vet të shkruante gjuhën që ia ka mësuar nënë qysh në djep. Vetëm disa ditë pas këtij debate, në Ohër kanë mbërritur dy tabore me ushtarë të gjysmëhënës. Ata mbyllën me urdhër të Stambollit shkollën shqipe dhe kërkuan të arrestojnë Hajdar Blloshmin dhe Hamdi Ohrin. Hamdi Ohri kapet dhe dënohet prej gjykatës së Manastirit me 5 vjet burg, për të vetmin faj se e pat kthyer shtëpinë e vet, në shkollë për fëmijët e Ohrit. Megjithatë ai do të qëndronte vetëm një vit në burg. Miqtë e shumëtë të tij në Stamboll, patriotët shqiptarë me ndikim në zyrat e Portës së Lartë, bënë ç’është e mundur që biri i Ohrit të dilte në liri .
Kështu, në verën e vitit 1899, ai lirohet duke i kujtuar se është kurdoherë nën vëzhgimin e autoriteteve osmane. Këto kërcënime nuk mund ta trembin kursesi Hamdiun i cili vetëm pak ditë qëndron në shtëpi për të marrë më tej, rrugën e Kosovës e të Shkupit. Ka kontakte të vazhdueshme me Haxhi Zemën, këtë atdhetar të flaktë, i cili ngarend përmes rreziqeve. Merr porosi prej tij dhe udhëton në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë e Ohër, duke folur me miq e shokë, duke kërkuar fjalën dhe besën e tyre, për t’u bashkuar e për të kërkuar me armë në dorë, të drejtat e popullit të vet. Por në nëntor-dhjetor 1899 e shohim edhe në Dibër, ku falë lidhjeve familjare të fuqishme arrin të bëjë për vete mjaftë prijës popullorë të kësaj treve.
Në një letër që i dërgonte D. Himës, më 5 maj 1899, Temo i thoshte se vepruat mirë që i dërguat dokumentet (Thirrjet “Të zgjohemi” për përhapjen e ideve të Lidhjes së Pejës, në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, me rrugën e Durrësit, se edhe vet ai (Temo), duke u lidhur me Hamdi Ohrin, kishte çuar në Manastir 80 copë thirjeje (“Të zgjohemi”). Më 19 korrik 1899, Temon e njoftonin se thirrjet, që ishin dërguar në Tiranë, qenë shpërndarë prej andej në Pejë, Gjakovë, Dibër, Mat, Shkodër, Elbasan, Manastir, Ohër, Strugë, Korçë, Berat, Durrës, Janinë, Kavajë e qendra të tjera” .
Shpërndarja në Shqipëri e Thirrjes “Të zgjohemi” do të ndihmonte në ngritjen e mëtejshme të ndërgjgjes kombëtare të popullit, e veçanërsiht në përhapjen e idesë së autonomisë së Shqipërisë dhe bashkimit të popullit nën drejtimin e një Lidhjeje të përgjithshme që do të garantonte tërësinë territorial shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm kombëtar. Me këtë veprimtari propagandistike Dr. Temo, Dervish Hima, Hamdi Ohri (tre veprimtarë dhe kolosë të Rilindjes Kombëtare nga Stuga e Ohri) dhe atdhetarë të tjerë shqiptar i sollën një ndihmesë të pazëvendësueshme, Haxhi Zekës, dhe drejtuesve të tjerë të Lidhjes së Pejës , në një organizatë mbarëshqiptare, me komitetet e saja në qytetet e katër vilajeteve e cila do të vinte në themel të saj programin e autonomistë. Kjo është arsyeja që në një nga letrat që i dërgonte Dr. Temos, Sami Frashëri më 5 gusht 1899, ku thuhet se përpjekjet e tyre serioze patriotike vlerësohen shumë të pëlqyeshme tek bashkëatdhetarët brenda në Shqipëri .
Letër këmbimi i Temos me Hamdi Ohrin dhe me atdhetarët e tjerë shqiptar hedh drite mbi veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës në sanzhakun e Dibrës dhe në mënyrë të veçantë mbi Kuvendin e Dibrës, i cili u mblodh më 27 shkurt 1899…, e sidmos për Komitetin e Lidhjes për sanxhakun e Dibrës që udhëhoqi gjatë viteve 1899-1900, qëndresën e popullsisë dibrane kundër administratës osmane. .
Në pranverën e 1899, pas Kuvendit të Dibrës, Lidhja e shtriu ndikimin e saj edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Temoja u orvat atëherë të dërgonte një njeri në Dibër që të vendoste lidhje të drejtpërdrejta në Lëvizjen. Për këtë kërkoi edhe ndërmjetsinë e Hamdi Ohrit. “Në qoftë se do na japin garanci – i përgjigjet Hamdiu, atëherë unë do t’ju njoftoj që ta dërgoni njeriun që kemi caktuar”. Nga Hamdi Ohri mësoi se me Komitetin e Lidhjes për Dibrën ishin bashkuar gjithashtu Starova dhe Reka, me fshatrat krishterë (orthodokse) përreth. Komiteti i Dibrës kishte ngritur gjithashtu një arkë Kombëtare që do të mblidhte mjetet financiare për hapjen e shkollave dhe lëvrimin e gjuhës shqipe. Në Dibër – e njohtonte Dr. Temon, Hamdi Ohri, – po japin në Arkën Kombëtare gjysmën e vergjisë dhe më tepër”
Në vjeshtën e vitit 1899 Lëvizja kombëtare, e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në një fazë të re, filloi lufta kundër administratës osmane në tërësi për të vendosur një administratë shqiptare.
Vatër kryesore e kësaj lëvizjeje u bë Sanxhaku i Dibër. Më 17 tetor 1899, mijëra malsorë zbritën nga fshatrat dhe u bashkuan me popullsinë qytetare të Dibrës e të qendrave të tjera të këtij Sanxhaku. Kryengritësit dëbuan nënpunësit osmanë, izoluan mytesarifin dhe shtinë në dorë Post- telegrafën. Përveç Selim Rusit, Nurçe Pustinës dhe drejtuesve të tjerë të Komitetit, me organizimin e qëndresës së armatosur në këtë sanxhak, merrej edhe Hamdi Ohri, i cili sapo ishte liruar nga internimi, pas kërkesave këmbëngulëse të Lidhjes. Më 6 nëntor 1899, në emër të Komitetit Arsimor Shqiptar të Dibrës, që vepronte si organ i Lidhjes Shqiptare, iu dërgua sulltanit një promemorie, në të cilën kërkohej të themeloheshin shkolla shqipe në këtë sanxhak. Promemoria qe nënshkruar nga Shyqyri Çoku, Hamdi Ohri dhe nga atdhetarë të tjerë gjithsej 31 veta .
Në nëntor –dhjetor t vitit 1899, Hamdi Bej Ohri udhëton shumëë në qytetet Shkup, Tetovë, Gostivar, Rekë, Strugë e Ohër, duke u folur miqve e shokëve, duke këkruar besë e fjalën e tyre, për t’u bashkuar e për të kërkuar me armë në dorë, të drejtat e popullit të vet. Me durim u spjegon këtyre prijasve pse duhet përkrahur Lidhja e Pejsë, pse duhet qeverisur vendi nga shqiptarët dhe pse duhet përzënë aparati administrative turk nga këto troje. Ndërkaq mikut të vet Dr. Ibrahim Temos, lidhur me Beslidhjen e Pejës e sqaron gjatë në një prej letrave që i dërgon duke i thënë pos tjerave: “Të jeni të bindur plotësisht se ajo Lidhja, ka në themel kërkesat për sigurimin e të drejtave tona patriotike dhe kombëtare ”
Hamdi Bej Ohri në fillim të vitit 1900 mori një letër nga Naim Frashëri, i cili e këshillonte të hynte në Lidhje me Komitetin serbo-maqedon në Bograd “për një bashkëpunim kundër regjimit turk”. U takua me këtë Komitet dhe mbreti Aleksandar Obrenoviq, por nuk ra dakort me propozimet e tyre.”
Ngase veprimtaria atdhetare e Hamdi Ohrit, në Dibër e në qytetet e tjera të Shqipërisë së Mesme po rritej, Porta e lartë urdhëron arrestimin e dytë të tij. Në vitin 1900, Hamdiu shkoi në Elbasan, në Tiranë, në Mat, e prej andej arrin në Dibër. Në këtë kohë në Dibër kishte ardhur nga Stambolli Major i xhandarmarisë turke, Nuri Beu, i cili tradhtisht e arreston Hamdi Beun. Pasi e lidhin këtë të fundit Majori turk kishte dashur të përkulte shpirtin e paepur duke i thënë të lutej e të falej. Por, Hamdi Ohri i qe përgjigjur se shqiptarët se patën kurr zakon të luten. Pas arrestimit, Hamdi Ohri i shoqëruar nga dhjetra ushtarë turq, transferohet në burgun e Manastirit. Ka mjaftuar ky debat publik që Nuri Beu, një javë pas ngjarjes, të goditet në mes të tregut, në Dibër, duke mbetur i vdekur në vend. Atentatorët qenë Shyqyri Bej Iljaz Pashës, Ibraim Xhemal Agolli dhe Halit Xhidrit. Vrasja e Nuri Beut, i cili pat qenë edhe agjutanti i Sulltanit, krijoi trazira në rrethet e larta të xhandarmërisë osmane. Një korpus i tërë jeniçerësh marshoi drejt viseve të Dibrës së Epërme, duke vrarë e prerë ç‘tu dilte përpara, ndërsa Sulltani, i zemëruar në kulm, urdhëron pushkatimin e Hamdi Ohrit. Ka qenë sërish ndërhyrja e atdhetarëve shqiptarë me influencë në Portën e Lartë, ajo që ka zbutur zemërimin e sulltan Abdyl Hamitit II. Kësisoi urdhëri i pushkatimit u anulua, por Hamdi Ohri duhej patjetër të vuante heqjen e lirisë, me kohëzgjatje 2,5 vjet burgun famëkeq të Manastirit, dhe kohën tjetër të dënimit në internim, në qytetin e Dijaribekir, ku qëndroi plot gjashtë vjet, derisa u shpall “Hyrjeti” (Liritë), 23 korrik 1908. Edhe në vitet e vuajtjes së burgut, në Manastir Hamdi Bej Ohri, ka qëndruar tepër kurajoz, për nga natyra, dhe rrezatonte durim dhe shpresë. Për më tepër, ai jo vetëm që nuk do të ankohej fatit të vet, por do të kthehej edhe në një simbol të vetëdijes së zgjuar kombëtare. Shumëë vite më vonë, Stavro Skendi, në “Studime mbi Shqipërinë”, Paris, 1922, faqe 46 në evokimet e veta për birin e Ohrit, do të shtojë “Kur unë bëja studimet në Manastir ka qenë i burgosur politik Hamdi Ohri. Ai ishte për ne, të gjithë nxënësit, idhulli i martirit të shenjtë, një Sokrat i ri, në burg. Ne, nxënësit e vizitonim dy herë në javë. Ai ngjallte me mësimet e tij, nacionalizmin në zemrat tona”.
Disa publicist apo studjues thonë se, në janar të 1902 autoritetet turke detyrohen ta lirojnë Hamdi Ohrin nga burgu i Manastirit, duke e porositur sigurisht, të merret me pronat e çifligjet ose të hynte në radhët e ushtrisë turke. Hamdi Ohri i paska dëgjuar në heshtje dhe çel derën e burgut ku e presin qindra vetë. Këtyre bashkombasve ai u paska kumtuar se vitet e tij kanë qenë e do të mbeten në shërbim të Shqipërisë. Këtë e provon vetëm disa muaj më pas, kur shkon së bashku me Hoxhë Kadriun, Ismail Qemalin, Jashar Erebarën, etj., në Paris ku marrin pjesë në Kongresin e Turqve të Rinjë. Por, ky mendim nuk është i saktë, sepse në bazë të disa studjuesve, si Akademik Kristaq Prifti, etj, Hamdi Ohri pas vuajtjes së burgut nga Manastiri transferohet në Diar-bekir në Anadolli, ku qëndron deri te Revolucioni Xhonturk i 23 korrikut 1908.
Hamdiu i takon një plejadë atdhetarësh të cilët të ushqyer me idetë e zjarrta të rilindasve, sakrifikonin edhe jetën edhe familjen për interest kombëtare.
Gazeta “Drita” e Sofjes e përcilte me vëmendje ngjarjet në Shqipëri. Ajo i kushtoi kujdes edhe Hamdi Ohrit, duke shkruar për qëndrimin dhe gjendjen e tij në burgim. Në një artikull me titull “të këqijat që hoqi populli shqiptar”, 14 shkurt 1903, ajo në mes tjerash shkruan: “Hamdi Beu, i cili ka dy vjet që është mbyllur në burg prej qeverisë për së dyti, si pa që burgjet u mbushën… plot, shumë herë ziheshin lesh për leshi, dha qarje që nuk mund të ronj më me këta njerës, dhe s’mund të durojnë dot në kaqë ngushtërinë të madhe e të sëmuren…” Në vazhdim gazeta thekson se Valiu, këtë ankesë e dërgon në Stamboll, prej nga vjen urdhëri që Hamdi Ohri nga Manastiri të transferohet në Diar –Bakër të Anadollit. Si datë transferimi ishte caktuar 6 shkurti 1903. Është mjaft rrënqethës moment i ngjarjes kur e përgatisin Hamdi Beun për të shkruar në internim në Anadolli. Kur e nxorrën nga burgu, ia vunë në këmbë e në qafë prangat e rënda e të ndryshkura. Hamdiu në atë moment dridhet, duke bërtitur me zemërim” Ç’janë këta? A jam ndonjë katil që kamë vrarë njerëz? Pse mi lidhni me këta? Pas një trazire të madhe atë e marrin në gjandarmëri, ku e rrahin pa mëshirë e pastaj me karrocë, të lidhur në pranga e dërgojnë në stacionin e trenti, prej ku e dërgojnë në Anadolli.
Në verën e vitit 1908, Lëvizja Kombëtare shqiptare përjetoi një zgjim. Interesi për luftën e përbashkët kundër apsolutizmit të sulltanit dhe të ndërhyrjes së huaj bëri që shqiptarët të bashkëpunonin me turqit e ri. Duke shfrytëzuar për interest e tyre pakënaqësinë e përgjithshme që ekzistonte kundër regjimit të sulltanit, turqit e rinj u përpoqën të siguronin mbështetjen e popujve të shtypur të Perandorisë Osmane. Madje u premtua atyre se do t’i njihnin disa të drejta kombëtare.
Në fillim të korrikut 1908 filloi në Maqedoni revolucioni i turqve të rinj, i cili në saj të mbështjetjes që gjeti në popujt e shtypur, e veçanërisht në popullin shqiptar, përparoi shumë shpejt. Po në ditët e para të korrikut 1908, rreth 20 mijë kryengritës shqiptarë të armatosur në Kosovë u grumbulluan në Ferizaj për të mos lejuar ndërhyrjen e huaj dhe për të ruajtur tërësinë toksore të vendit. Më 20 korrik nga mbledhja e Ferizait, e kryesuar nga Isa Boeltinin e Bajram Curri, iu dërguan një telegram sulltanit, me anë të së cilës në emër të popullsisë u kërkua krijimi i parlamentit. Përkrahja që u dha turqve të rinj popullsia e Kosovës, komitetet e fshehta e çetat e tyre dhe përgjithsisht lëvijza e popujve të shtypur, luajti një rol shumëë të rëndësishëm në fitoren e revolucionit xhon turk. Ndaj sultan Abdul Hamitit 1908. Kjo shënoi edhe fitoren e revolucionit xhonturk.
Populli shqiptar e priti me gëzim shpalljen e kushtetutës ose të “Hyrjetit” (lirisë), sepse shpresonin se do t’i siguronin liritë politike dhe barazia që i ishin premtuar. Patriotët shqiptarë, pa hequr dorë nga srynimet politike, shfrytëzuan me shkathtësi lirit e kufizuara dhe mundësitë legale që krijoheshin me shpalljen e kushtetutës, duke formuar klube në shumëicën e qytetarëve shqiptarë, të cilat kujdeseshin për çeljen dhe mbajtjen e shkollave shqipe, për botimin dhe shpërndarjen e gazetave dhe të librave nga gjuhën shqipe, etj. Në fund të vitit 1908, në Strugë e Ohër u formua Klubi “Bashkimi”, kryetari i së cilës u zgjodh Hamdi Bej Ohri, pas kthyerjes nga internimi, i cili pas një lufte të ashpër me oficerët xhonturq, në fillim të vitit 1909 edhe në Ohër arrin të çelë shkollën në gjuhën shqipe .
Edhe pas shpalljes të konstitucionit turk, Hamdi Beu shkoi në Beograd dhe hyri në bisedime me Komitetin serbo-maqedonas për një veprimtari të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Por, përsëri nuk u arrit ndonjë marrëveshje për shkak të kërkesave të tyre në kurriz të shqiptarëve .
Në fund të majit të vitit 1909, vetëm në Ohër, në Pogradec, e në Strugë u arrestuan 17 veta, përkrahës të shkollës dhe të shkrimit shqip, që u akuzuan për propagandë reakcionare kundër regjimit kushtetues. Midis të arrestuarve ishte edhe Hamdi Ohri, njëri nga udhëheqësit më në zë të lëvizjes kombëtare në këtë trevë. Klubet shqiptare protestuan kundër këtyre veprimeve të dhunshme, derisa i detyruan xhonturqit që ti shpallin të pafajshëm dhe t’i lironin këto atdhetarë, ndërkaq në fillim të vitit 1910, përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të Ohrit, kërkuan nga parlamenti që gjuha shqipe të mësohet në të gjithë shkollat shtetërore të kësaj prefekture
Hamdi bej Ohri, sipas dokumenteve të kohës mori pjesë në punët pregaditore për mbajtjen e Kongresit të parë të Manastirit (14-22 nëntor 1908) dhe në Kongresin e Dytë të Manastirit (1-3 prill 1910).
Në Kongresin Kombëtar të Elbasanit në 2 shtator 1909, që u thirrë me nismën e Klubit shqiptar të Selanikut, ndërsa me pregatitjen e tij të drejtpërdrejtë u mor Kulubi “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit, të cilat u shpërndanë ftesa klubeve dhe shoqërive shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kongres marrin pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si mësues e atdhetarë, si Hamdi bej Ohri, Mit’hat Frashëri, Abdulla Rushiti Ahmeti (Struga) etj, të cilët sikur ishte parashikuar, në Kongres shqyrtuan çështje themelore: çelja e një shkolle normale dhe masat e nevojshme për to; krijimi i një qendre të vetme për drejtim, për organizim dhe financimin e shkollave shqipe; masat për bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare etj. S’do koment, se një kontribut të madhë në këtë Kongres dhe në hapjen e Normales së Elbasanit e jep edhe Hamdi bej Ohri.
Për Hamdi Ohrin ishte më se e qartë se dobësimi i Turqisë dhe largimi i saj prej territoreve shqiptare, në fillim të vitit 1912, ishte në prag dhe i pashmangshëm.
Edhe në Nahinë e Strugës dhe Sanxhakun e Ohrit, në fillim të vitit 1912 gjendja ishte e rëndë. Në krye të çetave të këtyre viseve ishin disa atdhetar të shquar, si Hamdi bej Ohri, Irfan Beu, Beqir Aga Bauta, Mehmet Beu (ish kryetar i Komitetit shqiptar të Ohrit), Murat Sojliu (Efendiu) etj. Gjendja u rëndua akoma më tepër, tanimë edhe në Manastir, Ohër, Kërçovë, Strugë e Dibër, sepse grekët, bullgarët e serbët të cilët dëshironin të shkëpusnin ndonjë copë prej trojeve shqiptare. Është kjo arsyja që Hamdi Ohri u vu në krye të organizimit të formacioneve luftarake të Ohrit, Prespës, Strugës e Manastirit etj. Pra veprimtaria e këtij atdhetari të shquar ka qenë dhe mbetet në disa rrafshe. Ndonëse u muar gjatë me formacione luftarake, Hamdi Ohri nuk rreshti që luftën e tij për çlirimin e Shqipërisë ta shtrij edhe në rrafshin politik dhe diplomatik. Lidhjet e tij me atdhetar dhe veprimtar të tjerë shqiptar, tanimë janë forcuar së tepërmi. Ai merr porosi nga Ismail Qemali që të ndikoj sa më shumëë në rrethet politike të atyre viseve, me qëllim që të bëhet e qartë se vetëm lufta me pushkë dhe me penë e vetë shqiptarëve, trima të këtyre viseve që krahas luftës kundër Portës së Lartë, u rrëfen bashkëkombasve të vetë edhe për rrezikun që vjen prej sllavoorthodoksëve të ballkanit.
Duket se vendimi i Komitetit të Fshehtë Qëndror për kryengritje të armatosur u përcaktua nga udhëtimi i Hamdi Beut në Bukuresht që ishte njëri nga drejtuesit kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Manastirit, i cili kërkoi ndihmën e Komitetit Shqiptar të Rumanisë për Kryengritjen që do të shpërthente. Prej andej ai do të shkonte në Sofie për t’u takuar me diasporën shqiptare, e më pasë kthehet përsëri në vendlindje për t’i kordinuar veprimet kundër pushtuesve të rinjë shovinist ballkanik.
Pra, figura e Hamdi bej Ohrit, nuk kufizohet vetëm në Shqipëri. Ajo kalon në Beograd, vazhdon në Bukuresht, Sofje, Selanik, Stamboll etj. Ai ka qënë nga ato atdhetarë të Rilindjes sonë euriditë, e poliglot-që njihte rrethë 10 gjuhë. Ishte iluministë i shquar dhe politikan praktik. Ai nuk shkroi traktat politik si: Sami Frashëri “Shqipëria çka qënë, ç‘është dhe ç‘do të bëhet”, apo si Dervish Hima me “Ujanallem” (“Të zgjohemi”), por ishte I pari që e shpërndau, i propagandoi dhe u përpoq t’i vërë në jetë ato në mbarë Shqipërinë. “Princ të Maqedonisë” e kanë quajtur jo vetëm atdhetarët që e donin dhe e respektonin, por edhe shovinistët serbë, për influencën e autoritetin që kishte sidomos në trevat lindore shqiptare .
Për të gjitha këto sa kemi shprehur më lartë, në nëntorin e vitit 1912, ai zgjidhet njëzëri nga populli i Ohrit si përfaqësues i tij, në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe shpalljen e Aktit të Pavarsisë, së bashku me delegatët e tjerë nga ky rajon si Zudi bej Ohri, Mustafa Baroti, Dr. Ali Murtezai, Nuri Sojli, Xhemal beu, Ymer Beu, Ibraim Efendiu , Dervish Hima dhe Qazim Bej Vlora (djali i dytë i Ismail Qemalit).
Duke iu referuar Procesverbalit të mbledhjes së Parë të Kuvendit Kombëtarë në Vlorë, ku u vendos Pavarsia Kombëtare e Shqipërisë gjysmake dhe ngritjes së flamurit Kombëtar në 15/28 nëntor 1912 që është botuar në librin “Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”, Tiranë 1963, dok. nr.16, siç kërkonte zakoni, me rastin e vërtetimit të kartonave të delegatëve, në mesin e delegatëve të tjerë të Ohrit e të Strugës janë emrat e Xhemal Beut (i biri i Avdullait-nipi i Dr. Temos), Ymer Beu e Ibraim Efendiu.
Më poshtë pas leximit të emrave të delegatëve të Kuvendit, në procesverbal thuhet: “Erdhi një telegram e z.z. Hamdi Bej (Ohri) dhe Mustafa Baroti me të cilin thonë se po vinë edhe ato në cilësinë e delegatëve të Ohrit e Strugës . I pranishëm që në ditët e para në Kuvendin e Vlorës burrat e mëdhenjë të Shqipërisë do të dëgjonin, pos të tjerave edhe zërin dhe mendimin të pjekur të Hamdi Bej Ohrit. Në dokumentet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, thuhet se Hamdi Ohri, i cili është dhënë detyra e këshilltarit të Mehmet Pash Derallës, ngase ai pat mbaruar akademinë e lartë ushtarake në Stamboll.
Në vjeshtën e vitit 1913, në trevat lindore shqiptare shpërtheu Kryengritja e Shtatorit, që fillimisht çliruan qytetet e Dibrës, Strugës, Ohrit, Malësinë e Gjakovës, Rekën etj, nga soldateska sërbe. Hamdi Bej Ohri dhe Mehmet Pash Deralla, ndërmorën disa aksione luftarake kundër sërbëve në rajonet kufitare. Nga viti 1914 e deri në 24 nëntor 1938, Hamdi Ohri nuk do të rreshte së jetuari në shqetësimet e mëdha të kombit të vetë. Ai kurrë nuk u pajtua me coptimin e trojeve që u bë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në 1913, e për më tepër me lënien jashtë kufijve të shtetit amë të trevave të Ohrit, Strugës, Manastirit, Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, e Dibrës. Janë me dhietra protesta të shkruara prej dorës së tij dërguar organizmave ndërkombëtare apo personaliteteve të shquar evropiane, ku Hamdi Ohri ndihet i revoltuar ndaj kësaj padrejtësie. Hamdi Bej Ohri ndërroi jetë 80 vjet më parë, më 24 nëntor 1938, në Tiranë, 4 ditë para 26 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Gazeta;’’Drita’’, më 1 dhjetor 1938, njohton se, atë ditë në shenjë zije e nderimi u ndërpre pazari, u mbyllën dyqanet dhe në banesën e fundit e shoqëroi një kortezh jashtëzakonisht impozante prej më shumëë se 1500 veta.
Në varrimin madhështor që populli i Tiranës, i ka bërë këtij burri të Kombit, atdhetari XH. Zelka do të shprehej: ”U bashkua me të vdekurit tanë të pavdekshëm, pas një lufte të gjatë për triumfin e idealit kombëtar, vëllai i ynë Hamdiu”
Si për shumë familje atdhetare, fatkeqësisht edhe për familjen e Hamdi Ohrit ranë kthetrat e rënda të diktaturës komuniste. Për kontributin e madhë që ka dhënë për çështjen kombëtare rreth një gjysëm shekulli atdheu ia ka borgj piedestalin e nderit edhe një pëllëmbë tokë në varrezat e kombit.
Për Hamdi Ohrin mbi 60 vjetë është heshtur. Faik Konica e ka konsideruar si ndër patriotët më të mirë shqiptar; Bajo Topulli e krahasonte me Jani Vreton, ndërsa ne shqiptarët e Trevave Lindore akoma heshtim.
Është momenti në këtë 106 vjetor të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë, figurës emblematike të Hamdi Bej Ohrit- t’i kushtohet një monografi (studim) ku do të trajtohet tërë kontributi dhe aktiviteti patriotik i këtij, princi nga Maqedonia dhe luftëtari i orëve të para për pavarsinë shqiptare.

Strugë, 3 shkurt 2018


Loading...
loading...