Hapet aeroporti i Stambollit më i madhi në botë
Aeroporti i ri ndërkombëtar i Stambollit është prej të shtunës krejtësisht funksional. Bëhet fjalë për aeroportin më të madh të botës që ka një kapacitet prej mbi 150 milionë pasagjerësh në vit. Ky aeroport tejkalon edhe atë të Hartsfield–Jackson në Atlanta, që ka mbajtur rekordin deri më sot, me kapacitet rreth 107 milionë pasagjerë.
Të shtunën përfundoi edhe zhvendosja në aeroportin e ri të Stambollit e mjeteve logjistike të linjës ajrore Turkish Airlines, 50% të aksioneve të së cilës i zotëron shteti turk. Kjo linjë tashmë do t’a ketë atë si qendër, pas mbylljes së aeroportit Ataturk.
Aeroporti i ri ndërkombëtar i Stambollit u përurua në 29 Tetor 2018 dhe prej asaj date ishte në funksion të pjesshëm. Vlera e ndërtimit të këtij aeroporti arriti në 11 miliardë dollarë. Është trumbetuar nga Presidenti Erdogan si vepra më madhështore dhe krenaria e Turqisë moderne. Është planifikuar që në dekadat e ardhshme, kapaciteti i këtij aeroporti të tejkalojë 200 milionë pasagjerë në vit.