Haxhilerët nga Maqedonia paguajnë 800 euro më shumë se ata nga Shqipëria

Bashkësia Islame e Maqedonisë vazhdon të ofrojë paketën më të shtrenjtë për kryerjen e pelegrinazhit në Mekë, një prej pesë obligimeve të besimtarëve myslimanë, shkruan gazeta KOHA. Regjistrimet për nisjen e 800 pelegrinëve kanë përfunduar, ashtu si edhe për qindra të tjerë nga Kosova e Shqipëria, të cilët në javën e fundit të gushtit do të nisin udhëtimin drejt Arabisë Saudite. Por nëse paketa për në vendin e shenjtë për një haxhi nga Maqedonia është 3900 dollarë amerikanë, në vendet e tjera është shumë më e lirë. Për shembull, në Shqipëri – zyra e Haxhit e Komunitetit Mysliman të njëjtin shërbim e ofron me një çmim më të lirë – 3000 euro, ose rreth 800 dollarë më pak sesa Bashkësia Islame e Maqedoni. Ngjashëm edhe me Kosovën, ku kostoja e udhëtimit për besimtarët myslimanë nga Kosova është më e ulët sesa nga Maqedonia, gjithsej 3400 euro. Nga BIM nuk japin ndonjë shpjegim lidhur me diferencat në çmime për destinacionin dhe shërbimet e njëjta. Në zyrën e shtypit pohojnë se shuma prej 3900 dollarësh korrespondon me paketën dhe shërbimet e ofruara prej tyre. Paketa madje nuk është “lehtësuar” as nga ulja e çmimit të vaksinës së meningokokut, e detyrueshme për të gjithë haxhilerët për mbrojtjen e shëndetit të tyre, që është reduktuar nga Ministria e Shëndetësisë nga 2400 në vetëm 1000  denarë. Kjo shumë paguhet nga BIM, ndërsa vaksinat dhurohen nga Diyanet (Bashkësia e Çështjeve Fetare të Turqisë).

“Kjo është shuma e përllogaritur dhe përfshin të gjitha shërbimet. Nuk kemi informacion sesi dhe sa janë shumat që paguajnë haxhilerët nga Shqipëria dhe Kosova. Pse janë më lirë, nuk e dimë”, thonë për KOHA nga BIM. Sipas tyre, hotelet ku do të akomodohen pelegrinët janë në afërsi të objekteve të kultit dhe vendeve të tjera ku kryhen ritualet fetare dhe ofrojnë kushtet më të mira të qëndrimit. Po ashtu, në dispozicion do të kenë edhe ekipin mjekësor dhe shoqërues të tjerë. Megjithatë, të njëjtat paketa të publikuara nga Zyra e Haxhit ofrojnë edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Bashkësia Myslimane e Kosovës, sepse shoqërues mjek kanë të gjitha grupet.StrugaLajm

Veçmas 3900 dollarëve që duhet të paguajnë haxhilerët nga Maqedonia, përcjell KOHA, pelegrinazhi këtë vit mund të jetë për 300 euro më i shtrenjtë për shkak se Arabia Saudite këtë vit për herë të parë ka njoftuar se do të kërkojë të paguhet qëndrimi në tenda në Mina dhe Arafat. Kjo tarifë ka shqetësuar autoritetet fetare, organizatorë të Haxhit 2017, të cilët i kanë kërkuar Ministrisë së Haxhit që pelegrinët nga Evropa dhe SHBA të mos paguajnë këtë vit, si shpenzim që nuk është përfshirë në koston e përgjithshme të udhëtimit. Haxhilerët nga Maqedonia do të nisen të ndarë në tre grupe në datat 25 dhe 26 gusht, sipas itinerarit Shkup-Jedahh, ndërsa kthimi nga Medina në Shkup do të jetë më 9 shtator. Grupi i besimtarëve nga Shqipëria që do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta më 21 gusht është rreth 450 persona, një pjesë prej të cilëve janë nga Mali i Zi. Numri më i madh i pelegrinëve është nga Kosova, gjithsej 1079 persona, ose rreth 200 më shumë se një vit më parë. Bashkësia Islame e Kosovës i ka ndarë haxhilerët në pesë grupe të cilat nisen në datat 19, 20 dhe 21 gusht në itinerarin Prishtina-Xhidde.StrugaLajm

Ndryshe, vitin e kaluar, haxhi nga Maqedonia ka kushtuar 3400 dollarë, ndërsa këtë vit – 500 dollarë më shumë.

In : Aktuale

Loading...
loading...