BLENDI PETROL
AktualeOpinion

IKU DHE RILINDËSI I FUNDIT I MANASTIRIT

Shkruan Bexhet Asani/Strugalajm

Në vend të inmemoriamit

Sot ndaj të gdhirë, pikërisht një ditë para jubileut të madh të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, më 21 nëntor 2018, lexova në facebook lajmin më të hidhur: u shua përgjithmonë e shkoi në amshim Mësuesi i Popullit, doajeni i gazetarisë shqiptare, kronisti dhe Rilindësi i fundit i Manastirit Qenan Hasani.
Gjithmonë kur vdes njeriu thuhet fjalë të mira pa marrë parasysh të kaluarë e dyshimtë të tij! Kjo nuk vlen për mikun dhe shokun tim të shtrenjtë Qenan Hasanin. Ai ishte dhe do të mbetet më i miri prej më të mirëve, më i madhi prej më të mëdhenjve. E kisha shok besnik gati tridhjetë vjet. Ai nuk dinte të thoshte një fjalë për të tjerët, ai nuk dinte të përgojonte njeri, ai gjithmonë rrezatonte dashuri.
Në gusht të vitit 2015 Lnpsha Pegasi Albania me në krye presidentin e saj prof. Kristaq F. Shabani Qenan Hasanin e shpalli: “Gazetar i vitit 2015” . I them prof. Kristaqit mirënjohjet do t’ ia japë unë Rilindësve të fundit të Manastirit Qenan Hasanit dhe Reshat Nexhipit dhe ashtu u bë.
Më 22 nëntor të vitit 2013 kur foli për reportazhin tim “Pash me sy e qava me zemër”, reportazh ky që i kushtohej Shtëpisë së Kongresit të Manastirit, njëherit qe shkaktar i njohjes sonë në vitin e largët 1990, midis tjerash shkrova:
“Falënderoj z. Qenan Hasanin mësuesin dhe gazetarin e shquar (apo rilindësin e fundit nga Manastiri siç dëshiron ta quaj veten ai) që e vlerëson dhe e çmon krijimtarinë time. Qenani ka folur dhe ka shkruar nga qyteti historik i Manastiri edhe kur e ka pasur të ndaluar, ka shkruar edhe kur e kanë kërcnuar. Flet dhe sot me urtësi, ai nuk e duron padrejtësinë, prandaj edhe është i injoruar nga shoqëria. Rron me një pension që nuk e bën idare as vetveten. Z. Qenanit i uroj jetë të gjatë dhe pleqëri të mbarë dhe të na befasojë me shkrimet e tij të famshme.” Dhe shkrimi i tij i fundit është shkrimi për dramën poetike “Skënderbeu” të artistit dhe regjisorit të famshëm Xhevat Limanit. Më 13 gusht Xhevat Limani e shfaqi dramën e tij në qytetin e konsujve. E mora në telefon nga Struga dy herë në fillim të muajit gusht 2018. “Po si të kam o Rilindës? “Mirë faleminderit!” Asnjëherë nuk ankohej në telefon, kur takoheshim atëherë shpërthente me shqetësimet e tij…! “E dini se kush jam unë?” “Ti je autori i reportazhit “Pash me sy e qava me zemër!” “Po si je o Bexhet?” “Mirë, do të të japë një lajm të gëzuar!” “Po çfarë gëzimi për mua, o Bexhet!?” “Unë di të jap vetëm lajme të mira!” “Jam duke e lexuar “ Kronisti i vetmuar nga qyteti i konsujve.” “U befasua.” “Si, çfarë!?” “Po, po e kam në duar librin tënd dhe jam i lumtur që i pari e preka me dorë!” “Ku e gjete?” “Sot isha në shtypshkronjë dhe atje e mora, sa kishte dalë nga shtypi.” “Fluturoi nga gëzimi”. Qenan Hasani kohë më pare kishte botuar librin e tij të parë “Një zë i rrallë nga Qyteti i Alfabetit”. E shtyva që të punonte dhe për librin e tij të tretë, por thoshte se ishte i lodhur nga mosha dhe sëmundjet! Kjo gjë më shqetësonte pa masë.
Telefonatën tjetër pas disa ditësh e bëra duke i treguar se do të takoheshim në Manastir më 13 gusht 2018. Më 13 do të shfaqej poema dramatike “Skënderbeu” nga trupa e teatrit shqiptaro – amerikan nga aktori dhe regjisori Xhevat Limani. Ia mora dhe numrin e prof. Reshat Nexhipit. Me të dy e lash takimin te kulla e sahatit në qendër të qytetit të konsujve. Me siguri Qenan Hasani dhe Reshat Nexhipi kishin dalë mbi gjysmë ore para kohës së caktuar. Udhëtuam bashkë me mikun tim Sali Musai. Ishte një udhëtim i mrekullueshëm. Një takim i përzemërt me dy rilindësit e fundit Qenan Hasanin dhe Reshat Nexhipin. U çmallëm. Te lokali afër Shtëpisë së kulturës pimë nga një pije freskuese dhe bëmë një bisedë tepër kostruktive. Ata të dy u rinuan bashkë me mua. Po kujt nga ne do t’ i shkonte mendja se do të ishte takimi ynë i fundit me të madhin Qenan Hasanin!?
Manastiri mbeti pa kronistin e tij besnik. Sibela Alimovska mbeti pa krahun e djathtë! Ne mbetëm pa mikun tonë të dashur!
U prehsh në paqe, o shpirt trazuar Qenan Hasani!

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button