Ja cilat profesione paguen më shumë

Menaxherët e bankave, kompanive të naftës dhe hoteleve, renditen ndër më të paguarit në Maqedoni. Ato marrin pagat që lëvizin prej 150- 200 mijë euro, tregojnë raportet vjetore për punën e institucioneve financiare në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Analizat tregojnë se sektorët më fitimprurës në Maqedoni, siç janë telekomunikacioni, bankat, teknologjia informatike, energjetika, industria automobilistike, farmacia, shpërblejnë më shumë menaxherët e tyre kryesor.
Rroga të larta në Maqedoni, por edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë, marrin një numër i vogël i profesionistëve që kanë edhe përgjegjësi të madhe për menaxhimin e bizneseve, sidomos në kushte të krizës politike, ekonomike dhe uljes së fuqisë blerëse në të gjithë Evropën Juglindore. Edhe pse emrat e drejtuesve që marrin paga më të larta, janë fshehtësi profesionale dhe paraqesin sekret afarist jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë botën, megjithatë, sipas të dhënave të Drejtorisë për të Ardhura Publike, vetëm një person në Maqedoni e ka pagën 210 mijë euro në muaj. Pagë më të lartë neto pagë se 14 mijë euro fitojnë 104 persona, ndërsa pagë prej 10 mijë deri 14 mijë euro fitojnë 50 persona. Pagë prej 5 deri 10 mijë euro fitojnë 221 të punësuar, ndërsa prej 2 deri 5 mijë euro 1522 të punësuar. Paga prej 1 mijë deri 2 mijë euro fitojnë 8128 të punësuar. Në ndërkohë, për dallim prej personave që fitojnë me mijëra euro në muaj, pjesa dërmuese e të punësuarve në Maqedoni, mesatarisht marrin pagë prej 200 deri 300 euro.
Rroga mesatare prej afër 23 mijë denarë ose saktësisht 22 912 denarë në muajin gusht, mbetet ëndërr e paarritshme për gjysmën e të punësuarve në Maqedoni. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës për muajin gusht, afër 300 mijë të punësuar në industrinë përpunuese, bujqësi dhe ndërtimtari, marrin paga më të ulëta se ajo mesatare. Pagat mesatare në ndërtimtari janë 21 mijë denarë , në industrinë përpunuese dhe bujqësi 18 mijë denarë dhe në hoteleri 16 mijë denarë .
Sipas përfaqësuesve të biznesit dhe ekonomistëve, produktiviteti i ulët në përgjithësi i industrisë përpunuese në Maqedoni, ambienti jostabil me të cilin ndeshet biznesi, kërkesa më e madhe se oferta në tregun e punës, por edhe shpërndarja jo e barabartë e rritjes ekonomike për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, janë ndër shkaqet kryesore pse gati gjysma e të punësuarve në Maqedoni nuk janë të paguar në nivel të shtetit. Punëdhënësit vlerësojnë se pas rritjes së pagës minimale në 12 mijë denarë, mund të pritet rritja edhe e pagës minimale, por vetëm me kusht shëndoshjes së ekonomisë dhe rritjes ekonomike më të madhe në Maqedoni. Ekonomistët thonë se te rritja e pagës një nga faktorët kryesorë, është produktiviteti i punëtorëve që në Maqedoni është ndër më të ulëtit në Evropë. Teknologjia e vjetër si dhe kuadri që nuk posedon shkathtësi të nevojshme që kërkohen në tregun e punës, renditen ndër shkaqet kryesore pse Maqedonia është ndër të fundit në listën e Eurostat lidhur me produktivitetin e punëtorëve.
Një punëtor në Maqedoni krijon vetëm 43.8 për qind të mesatares së vlerës së shtuar, që e krijojnë punëtorët në nivel të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se në pagat e ulëta në rajon dhe në Maqedoni ndikojnë edhe perceptimi i lartë i mitës dhe korrupsioni, kapaciteti i ulët i administratës publike, papunësia e lartë, efikasiteti i ulët i gjyqësorit e kështu me radhë. Vlerësohet se ngecja e madhe e shteteve të rajonit në aspektin ekonomik dhe hapat e ngadalshëm në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, ndërlidhen me më shumë faktorë ku bëjnë pjesë edhe pasojat e krizave politike dhe luftërave të viteve 90-të, kapacitetet e dobëta administrative të shteteve që të krijojnë ambient të favorshëm për sipërmarrje dhe jo shtetet të jenë lojtarët kryesor në ekonomi, mungesa e stabilitetit politik për një kohë më të gjatë etj.
Qytetarët në Maqedoni mbeten të shpresojnë se me reformat më të guximshme ekonomike, shoqërore dhe politike, së paku do t’i afrohemi suksesit të Rumanisë, e cila në vitin 2004 kur anëtarësua në BE, së bashku me Bullgarinë, ishin dy shtetet më të varfra dhe më të pakonsoliduara evropiane në aspektin e sundimit të ligjit, ndërsa tani kanë paga mesatare prej 515 euro. Në periudhën 2014-2017, në këto shtete, pagat janë rritur për 23 për qind. (koha.mk)StrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...