Jetojmë kohë ku edhe nënën e qajmë me telefon nga larg

Jetojmë kohë ku edhe nënën e qajmë me telefon nga larg

NE FOTO: PETRIT RUKA

Nga Andrea Danglli

“Alo, më dëgjoni? Me z. Petrit Ruka flas? Jam Andrea Danglli, ju kontaktoj pasi dua të pi një kafe me ju, a është e mundur t’ju takoj?” Ky ishte kontakti i parë zanor që shkëmbeva me poetin e njohur edhe pse ai ka komunikuar me mua përmes dhjetëra vargjesh, librash dhe skenarësh të cilat kanë shoqëruar 65 vitet e jetës së tij. Munda t’i shkëpus një përgjigje pozitive, përcjellë përmes një zëri me qetësi olimpike.

Për mua, intervistat me poetët janë gjithnjë të vështira, pasi duhet mjaft kujdes që në pak rreshta të përmbledhësh botën e pafundme të mbyllur brenda tyre. Ajo ka ngjyra të veçanta, rregulla të pazakonta dhe labirinte shpirtërore që vështirë t’i përcjellësh mjaftueshëm. Aq më tepër Petriti i cili është një univers më vete, që ca e ka shfaqur përmes krijimtarisë së tij dhe ca na ngelet ne për ta zbuluar.

Këto mendime disi të paorganizuara mirë në kokë, më shoqëruan derisa mbërrita pranë lokalit të vogël tek ish ekspozita “Shqipëria Sot”, ku poeti ishte ulur në një tavolinë mes miqsh të priste.

U afrua me hapa të ngadaltë dhe me një buzëqeshje gati fëmijërore më uroi mirëseardhjen në tryezën ku po bisedonte me shokët. Mes tyre njihja Pëllumb Kullën, gjeniun e humorit të pastër shqiptar i cili asnjëherë nuk i kursen lojërat e bukura të fjalëve.

“Jepe mirë intervistën, se mos na zhgënjesh”, -i drejtohet me shaka, duke u nisur edhe nga emocionet e një mbremje më parë ku Petriti festoi mes dashamirësish promovimin e librit të tij më të ri “Shami të zeza qiellore”.StrugaLajm

Kisha përgatitur një sërë pyetjesh standarde për të, por nuk e di pse asnjë prej tyre nuk po më bindte më për t’ia adresuar. Zakonisht, pyetjet mbi jetën e një poeti nuk mund të jenë njësoj si për jetën e një ekonomisti, mjeku apo analisti, pasi ai ngjan si një historian ëndrrash, ndjenjash dhe frymëzimi që duhet ta ndihmosh për të gërmuar në arkivin brenda tij.

“Fëmijëria në jetën e një krijuesi është gjithçka. Formimi estetik përfundon rreth moshës 7-8 vjeç ku fëmija lexon të gjitha shenjat e botës dhe kur rritet përpiqet t’i përdorë ato në mënyrë të mençur. Është fat i madh që poetët e mirë ta ruajnë fëmijën brenda vetes. Ky hark kohor i jetës sime në Tepelenën e viteve 1960, edhe pse ka qenë shumë i varfër, ka ndikuar mjaft në formimin tim. Abetaret e mia të para në jetë kanë qenë babai dhe nëna, ndërsa përrallat kanë qenë burrat e moçëm që mblidheshin mbrëmjeve rreth oxhakut për të treguar legjenda apo histori luftërash. Më kujtohet ende mënyra se si ata qëndronin rreth vatrës ku në fillim uleshin pleqtë dhe plakat, pastaj vinin nuset. Kurse ne më të vegjlit uleshim pranë nënave tona të cilat edhe pse në varfëri të tejskajshme vinin erë ftua pasi rrobat mbaheshin në sepete mes ftonjve, shegëve, borzilokut, manxurasë, që ishin parfumet e vetme të kohës. Të gjithë këta individë, për mua ishin një bibliotekë e pafundme që më zhvilloi fantazinë në një mënyrë shumë të çuditshme. Ndërsa mjerimi rreth vatrës së oxhakut, ka qenë një kompensim i madh sa i takon gjendjes shpirtërore, duke u shndërruar për mua në akademinë e parë të poezisë”, rrëfen dalëngadalë poeti, ku në thellësinë e syve i dallohet lehtësisht nostalgjia që vjen nga e shkuara.

Pavarësisht peripecive që ka kaluar në atë periudhë, ai ruan me fanatizëm çdo kujtim që ka shënjuar gjurmë të veçanta në formimin letrar.

Nuk kishte shumë libra në atë kohë. Mungesa e tyre më nxiste që të udhëtoja në fshatrat fqinjë për të huazuar diçka. Mbase tingëllon si e sajuar për fëmijët e sotëm, por uria e fshatit ishte e jashtëzakonshme për dije pasi s’kishte radio, televizor dhe as dritë elektrike. Poçat e parë janë ndezur kur unë kisha hyrë në klasën e shtatë dhe njëkohësisht pata lexuar qindra libra nën dritën e oxhakut dhe erës së llampës së vajgurit. Aq sa nëna ime i krahasonte sytë e mi me një burim sikur do të shteronte: ‘Boll, o bir, boll, se të rrodhën sytë!’ Kujtoj që kur i përfundova të gjitha tekstet që më jepnin, shfletova një libër të Nikita Hrushov që fliste për një plan masash mbi bujqësinë. Vite më vonë kuptova që edhe pse ai libër ishte armik i socializmit, dashuria për leximin fitonte mbi gjithçka”, –tregon Petriti i cili nuk i harron jo vetëm leximet e para por edhe vargjet më të hershme të tij.StrugaLajm

“Mblodha aq shumë mbresa sa kisha nevojë që t’i shkarkoja diku. Vjershat e para kam nisur t’i shkruaj nga klasa e pestë, ku kujtoj që thura një vjershë për kurbetin dhe pas pak kohësh pësova një zhgënjim të madh pasi pa dashur kisha imituar Çajupin. Kurse krijimet e mirëfillta lindën në moshën 17-18 vjeç bashkë me pjekurinë time. Fatkeqësisht unë nuk kam pasur mësues aq të mirë sa të më orientonin siç duhet dhe veç kur shkova në shkollë të lartë munda të kuptoj se si lëvizte poezia e vërtetë”, -kujton ai.

Ndërkohë, Petrit Ruka ka ende të freskët në memorie kohën kur krijimtaria e tij pa për herë të parë dritën e botimit. Këto momente nuk heziton t’i rrëfejë:

“Në moshën 22 vjeç kam botuar librin e parë ‘Rinia ime’ i cili u prit mjaft mirë. Atëherë kishte vëmendje më të madhe ndaj letërsisë pasi nuk botoheshin më shumë se 20 libra poetik në vit dhe lexoheshin nga qindra e mijëra njerëz. Ndërkohë, ajo që ndryshoi jetën time ishte botimi i librit të dytë në vitin 1983 ‘Atdheu fillon tek zemra’. Sot më duket e çuditshme që komisioni e lejoi këtë titull pas shumë kritikash. Ky libër u shpall si më i miri i vitit dhe për të gjithë ishte gati e pabesueshme se si një mësues në fshatrat e Tepelenës mundi të marrë këtë vlerësim pa njohur askënd. Pas këtij libri u hapën dyert për mua, ku kujtoj që më ftuan në Kinostudio si skenarist, madje fillova edhe studimet pasuniversitare për dramaturgji filmike”, – rrëfen poeti i cili veç të tjerash numëron edhe 45 skenarë të ekranizuar në filmin dokumentar.

Sa i përket censurës së ushtruar nga strukturat e diktaturës, ai thotë se ka pasur ndikim tek autorët por jo në përmasat sa thuhet.

“Ka pasur probleme me censurën në atë kohë por jo në këtë shkallë sa zmadhohet. Nuk ishte se të detyronin të shkruaje për Enverin, pasi nganjëherë edhe teprohet. P.sh; askush nuk të detyronte të thurje vjersha për partinë, këtë poetët e dinin vetë pasi besonim tek ato kauza. Ky ishte një rregull i pashkruar i cili pranohej si kompromis për ta pasur më të lehtë kalimin e veprës në botim”, thotë Petrit Ruka.

Më tej, ne u ndalëm edhe tek “aventura” e tij më e fundit, libri me poezi “Shami të zeza qiellore”.
“E kam mbajtur shumë gjatë këtë libër. Kur fillon thinjesh, në muzg të jetës, kupton që nuk ka edhe aq vlerë botimi, fama apo lavdia. Nis dhe kupton që ajo nuk vjen në mënyrë të rreme, as përmes promovimesh, shkrimesh në gazeta apo emisionesh televizive. Ti duhet të lodhesh dhe mundohesh që të shkosh te lexuesi. Ndaj edhe mu desh shumë kohë që çdo shkronjë të jetë në vendin e duhur”, -sqaron poeti i cili sjell edhe këndvështrimin e tij për botën ku po jetojmë sot.

“Kjo botë e ndihmon shumë poetin pasi po bëhet gjithnjë edhe më ftohtë dhe solidariteti njerëzor që po humbet. Shtëpia ka ngelur pa miq, pa darka dhe pa zhurmë pasi nuk hyn më njeri prej vitesh. Mund të kalojnë edhe 10 vite pa një mbrëmje ku fëmijët e tu të dëgjojnë miqtë dhe raportet e tua me ta. Jemi gjithnjë edhe më virtualë, ku lidhjet tona janë bërë gjithnjë më të dobëta. Ti mund ta qash nënën në telefon, mund të bisedosh me vëllanë përmes kompjuterit por nuk sheh sytë e tij. Njeriu ka nevojë për kontakte të drejtpërdrejta, pasi elektronika ngjyrat e zërit i transformon dhe emocioni nuk vjen siç është”, -shprehet Ruka i cili një nga zgjidhjet e sheh te poezia.

“Sa më mizerabël bëhet jeta sociale, aq më shumë poezia do ta plotësojë këtë boshllëk. Kudo ku ka një vakum, arti vrapon për ta mbushur. Unë them që kjo ftohtësi është kohë e artë për poezinë, pasi vargjet do të vazhdojnë të mbushin këtë hendek të solidaritetit njerëzor, të miqësive reale, të kontakteve të vërteta. Kjo dhimbje e madhe është luks për poezinë. Ajo do të jetë gjithnjë edhe më protestuese, do të ketë gjithnjë më shumë dhimbje dhe rënkime. Botën gjithmonë në kohë të vështira të krizave të mëdha e ka shpëtuar arti. Ndryshe nga jeta, të cilën e duam plot gëzime, letërsia e ka mallkim t’ju avitet dhembjeve që sidomos për poezinë, janë një thesar i tërë”,- mendon Ruka.

Biseda jonë mes kafes së fortë, flladit të lehtë të tetorit dhe rrëfimeve të gjata, vështirë të kishte një fund nëse mjeshtri Pëllumb Kulla s’do na kishte kujtuar për kohën që kishte ikur ashtu pa u ndjerë.  Mbase për intervistën e radhës, nuk do të duhet të presim më 16 vjet, pasi mbi tavolinën e shkrimit të Petrit Rukës, qëndrojnë qindra krijime që presin të dalin për lexuesin. Pjesë e tyre është edhe një libër poetik vetëm me baladat më të mira shqiptare, pas të cilave poeti është krejtësisht i dashuruar.

Në Tiranë çuditërisht vjeshta sjell shumë poezi. Ky mbase është sekreti që rrugët e zhurmshme bëhen më të bukura, ku ngjyrat e stinës bashkohen me vargjet dhe duket sikur fshehin problemet e trafikut të rënduar, borive të forta apo vrullit që merr jeta. Padyshim, ashtu siç thotë edhe poeti ynë Ruka, çdo moment kaotik e ka një zgjidhe, është… poezia.

(TemA)


Loading...
loading...