Kosova sot voton ushtrinë 

 

Parlamenti i Kosovës sot pritet që të votojë formimin Ushtrisë. Votimi i këtij vendimi mbështetet njëzëri nga të gjitha partite shqiptare, ndërsa kundër janë partitë serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të enjten u bëri një inspektim njësive të Forcës së Sigurisë, tha se ushtria do të jetë e gatshme për t’i shërbyer kultivimit dhe forcimit të paqes në vend dhe në rajon. Ai i siguroj pjesëtarët e komunitetit serb se kjo forcë do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. Kryeministri Ramush Haradinaj mbrëmë me disa bashkëluftëtarë ka festuar formimin e ushtrisë.
Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”, ndërsa theksoi se “ky proces po ndodhë në një “periudhë të papërshtatshme”.
Ndërkaq ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të enjten se shndërrimi i i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran e i pavarur të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Të mërkurën edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se vendi i tij mbështetë krijimin e ushtrisë së Kosovës. Ndërkaq, komandant i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, tha dje në Shkup se “transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran, që duhet ta marrin deputetët e Kosovës”. Paralajmërimi i votimit të premten ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, i cili shfaqë frikën se qëllim kryesor i ushtrisë së Kosovës është që “të marr veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe të dëbojë serbët prej andej”.
Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë të armatosur lehtë. Autoritetet në Kosovë pohojnë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth pesë mijë trupa, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë. NATO-ja u vendos në Kosovë në vitin 1999 në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë./VOAStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...