Kujtimet për Mehmet Latifin, do t’i ruajmë, tregojmë e shkruajmë në çdo përvjetor

Albrim Hoxha

  • Po ku je o djali i ri? – e ngacmoja shpesh.
  • Mu hala m’bijn dhomt! – përgjigjej me shaka Memoja.
  • U prish prap a? – i thoja për kompjuterin që e mbante prapa biçikletës.
  • Eh, ta çoj te Ladoja ta formatoje – thoshte duke ngritur supet e duke qeshur, si për të thënë “e ka zënë Ladon me mua”!

Aq shpesh i “prishej” ai kompjuter, sa më dukej sikur çdo dy a tre javë e çonte për servisim.

  • Nuk është te kompjuteri o Memo, e di ti ku është problemi – vazhdoja ta ngacmoja e qeshnim të dy. Nuk i mbetej hatri kurrë.

Për Memon kam veç kujtime të bukura e biseda shumë të këndshme. Ishte shumë pozitiv. Sillej e përshtatej me ne shumë lehtë, saqë nuk vërehej dallimi i madh në moshë.

“Enciklopedia e gjallë” siç e quaja shpesh Mehmet Latifin, ishte shumë energjik e krejt motiv për çdo punë a aktivitet që e nisnim bashkë.

Gjirokastër, Tiranë, Zhitoshë – trekëndëshi që s’na ndahej për aq vite sa bashkëpunuam.

Qazim Bej Vlora, Gjeneral Edip Ohri, Myfit Sinojmeri – temat që s’i shqepeshin nga goja dhe mendja.StrugaLajm

Të papërshkrueshme, të paharrueshme vizitat tek gjenerali në Tiranë. Të papërsëritshme emocionet që jepnin kur takoheshin të dy. Memoja dhe Gjeneral Edip Ohri. Edhe Mira, vajza e gjeneralit.

Edhe takimet me Arianën, pasardhësen e familjes Vlora. Një zonjë plotë dinjitet, pavarësisht se shteti nuk ishte treguar aq i drejtë e me dinjitet me ta, si stërnipër e stërmbesa të Ismail Qemalit, themeluesit të Shtetit Shqiptar.

Gjenerali ishte fëmijë i birësuar i Qazim Bej Vlorës, djalit të Ismail Qemalit. Qazimi, kishte jetuar në Strugë deri në fund të jetës e ishte martuar me nënën e Edipit dhe Dashamirit (Dashman, siç i thoshte Memoja). Me vete kishte mbajtur gjithmonë një çantë me dokumente. Aty, siç ngulte këmbë Mehmet Latifi, brenda çantës, me siguri ka qenë “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”. Ajo origjinalja, që s’është gjetur kurrë. Me vdekjen e Qazim Vlorës, forcat serbe kishin bastisur shtëpinë ku kishte jetuar, kishin bërë rrëmujë e shkatërruar shumë gjëra me vlerë. Ndër to, prej atij momenti, nuk dihej fati as edhe i çantës me dokumente.StrugaLajm

Kjo çantë e ajo çka mund të kishte pasur brenda, e gërryenin e po e sfidonin vazhdimisht gazetarin Mehmet Latifi. Në muajt e fundit të jetës, bëri dy a tre tentime serioze për ta gjetur.

Siguroi një leje hyrjeje në Arkivin e Beogradit, si gazetar hulumtues, për gjoja hulumtim shkencor. Qëllimin e vërtetë nuk duhej ta mësonin autoritetet atje sepse do t’ia bënin të pamundur qasjen. Shumë procedura, shumë filtra për të kaluar, shumë leje për të kërkuar. Të gjitha edhe kushtonin financiarisht.

  • Edhe pak. Iu afrova repartit për këtë periudhë, tani duhet leje tjetër për të hyrë te ai sektor e ata materiale arkivore. Duhet edhe një herë. Nuk të lënë rehat. Të ndjekin hap pas hapi – sqaronte pas vizitave në Beograd.

Iu afrua me të vërtetë. I duhej edhe një apo dy vizita në atë arkiv, për t’u siguruar nëse ka apo jo diçka nga materialet që me vete i mbante Qazim Bej Vlora.

Nuk ia arriti sepse sëmundja e rëndë e kaploi shpejtë. Një shëtitje e gjatë me vajzën e tij, Anitën, në javët e fundit, i shijoi shumë. Kjo na bëri dhe ne të kuptojmë se misioni i Memos ngadalë po përfundon e gjëra të rëndësishme po lihen në mes. Aty edhe mbetën, ku i la Memoja!

Kujtimet për Memon, do t’i ruajmë, tregojmë e shkruajmë në çdo përvjetor, por ato që ai la tek ne, si miq e bashkëpunëtorë, i përmendim vazhdimisht në bisedat tona.

Krenar dhe i nderuar që e pata mik!


Loading...
loading...