Kur ia bën varrin tjetrit, bie vetë në të

Rezili, njësoj si i vdekuri, nuk ndien dhe nuk dëgjon asgjë. Për të nuk ka të vërtetë tjetër, pos të vërtetës së tij, e që është aq opake dhe aq bajate.
Përmes sulmit, ai synon të pështyjë mbi realitetin dhe ta kthejë atë nga një fakt të pamohueshëm në një rrenë me bisht. Dhe, a ka gjë më të pështirë se ta vrasësh viktimën dhe njëkohësisht të tallesh me të, të shfryhesh mbi të dhe të gjesh kënaqësi në sadizmin prej rezili.
Por, populli thotë: Nuk fshihet dielli me shoshë. Dhe shosha e rezilit ka shumë vrima, të bëra jo për një ditë, por nëpër rrjedhë të kohës, ndër vite me radhë. Gjurmët e rezilit nuk i fshin as arsyetimi banal, as era dhe as historia.
Kur për një lëndë studimore minore kërkon favore nga studenti si mbushjen e makinës me naftë, riparimin e frenave të saj, pagesën e drekave dhe darkave me gjithë miqësi nëpër restorante, zor se gjen rezilhane më të madhe, gjë që as ferri nuk e lan. Rezillëku shkon edhe përtej kur ai është bashkim i dy forcave, që emërues të përbashkët kanë çmendurinë. Njëri rezil shfryhet mbi studenten e gjorë, tjetri mbi të punësuarit, sikur të jetë xhelati i tyre, duke luajtur rolin e njëfarë drejtori, të sjellë si një parashutist nga politika, nga askund, nga anonimiteti, nga asgjëja.
Populli nuk thotë kot se, kur ia bën varrin tjetrit, bie vetë në të.
Dhe, këta rezila të pashoq, kanë hapur shumë varre, për më tepër, të vdekurit u janë dukur se po “aktrojnë”. Ai që jep shpirt nuk aktron dhe ne të gjallët duhet të flasim për të vdekurit, të jemi zëri i tyre nga këndej, nga kjo botë.

Jehona AjradiniStrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...