Kurbeti i “ZI” dhe atdheu i “BARDHË”

Shkruan: Iljasa Salihu

Na treguan se kurbeti është i zi. Sidomos shkrimtarët dhe këngëtarët na folën shumë gjëra të këqija për mërgimin. Në të vërtetë, ata na thoshin se kurbeti vetëm për neve nuk është i mirë! Ftonin që të përqendrohemi në atdhe. Ta zhvillojmë atdheun duke e dashur dhe pastaj ta duam atdheun për shkak të zhvillimit dhe drejtësisë. Madje po që nevojë edhe të vdesim për atdheun. Harruan të na tregojnë se më lehtë mund të vdisje për atdhe se sa të jetosh në atdhe.

Ditët, vitet dhe dekadat rrodhën, por për njeriun tonë nuk u arrit të bëhet i dashur atdheu. Përkundrazi, para disa vjetësh lexuam se një familje shqiptare është në gjendje të vetëdigjet vetëm për të mos u kthyer në atdhe. Nuk ka ditë që nuk dëgjoj se dikush i afërt dhe i njohur është nisur për në mërgim për të punuar dhe jetuar atje. Pikërisht atij që me dekada të tëra i thamë i zi, bashkëkombësit tanë me të madhe ia kanë mësyrë. Nuk po shkojnë vetëm për një rrogë pak më të madhe, por për një jetë të dinjitetshme, të drejtë dhe të vlerësuar. Po e braktisin të dëshpëruar atdheun. Po shkojnë që të mos kthehet më!

Kaluan 16 vjet prej kohës së luftës, politikanët e korruptuar ende po premtojnë se gjuhën shqipe do ta bëjnë gjuhë zyrtare. Pikërisht në këtë kohë, shumë bashkëkombës tanë, filluan ta mësojnë gjuhën gjermane për të ikur sa më shpejtë për në Gjermani dhe Zvicër. Dikush frëngjishten po e mëson. Jo për t’i lexuar në origjinal veprat e Balzakut apo për t’u krenuar se e njeh një gjuhë të huaj, por për t’ia mbathur në rajonet ku flitet frëngjishtja. Shkollat po pakësohen prej nxënësve, mu ashtu sikurse arsimimi nëpër shkollat shqiptare. Kryejnë fakultete edhe ata që nuk dinë mirë të lexojnë. Kështu ndodhi pasi hapja e fakulteteve prej partive politike u bë më e lehtë se hapja e një shtabi partiak.StrugaLajm

Në fakultet fillimisht i strehuan militantët që vetes i thoshin profesorë. Pastaj i pajisën me diploma militantët që kishin sharë me babë e me nënë në emër të partisë ata që guxonin ta kritikonin partinë. Kësisoj, humbi vlera e arsimimit. Humbi vlera edhe e botimit të librave. Panë se libreza partiake është më e vlefshme se çdo gjë tjetër, më e vlefshme se libreza shëndetësore dhe ajo e notave, ndaj pse të lodhen së lexuari kur shihej se edhe pa lexuar fare mund të bëhesh drejtor, dekan, deputet e ministër. Humbi vlera e sportit. Njerëzit panë se më llogari kishe të vrapoje pas partisë që në fund ta jepte ndonjë thërrmijë bukë se sa të vraposh për një trup  dhe shëndet të mirë.

Në mungesë të vendeve për lodra, disa fëmijë u shkelën prej veturave. Të gjorët fëmijë nuk kishin ku të loznin, ngaqë parqet qenë uzurpuar prej mafies urbane, të cilët ndërtonin ndërtesa ku të donin, meqë ishin lidhur fortë me të partisë. Trotuaret nuk ekzistojnë, ndaj rruga e ndërtuar me paratë e BE-së që ndahen për vende të pazhvilluara, shërbente për kamionët, veturat, kuajt, biçikletat, këmbësorët e ndonjëherë trajtësohej në fushë futbolli. Nëpër fshatra zemërngushtët i zgjerojnë oborret që kurrë plotësisht nuk i shfrytëzojnë në dëm të rrugës publike. Po ashtu, këtë fat të zi e kanë edhe lumenjtë. Rrugën e presin për punë të veta, por assesi nuk e rregullojnë pasi t’i rregullojnë punët e tyre. Në regjistrimin për vetura paguhet edhe për mirëmbajtjen e rrugëve, por prej askujt nuk mirëmbahen rrugët dhe fati i atyre parave përfundon në xhepat e atyre që për një vjet i ndërtojnë nga tri shtëpi.StrugaLajm

Veturave u mbetet të prishen dhe pronaret e tyre të paguajnë, edhe pse barkun nuk mund ta ngopin mirë me bukë. Të mos flasim për shëndetësinë. Po nuk e korruptove mjekun, as nuk mund të futesh në radhë për t’u kontrolluar. Nëse vdes, mjekët që për zot e kanë paranë, thonë aq Zoti ia paska shkruar, kësodore lehtësisht tallen edhe me Zotin. Çfarë të flasësh për udhëheqësit fetar. Ata janë më të fuqishëm se mafia urbane dhe me pushtet më të gjatë se diktatorët e rryer. Po puna e tregtarëve? Ata i paguajnë punëtorët 200 euro në muaj, aq sa kushton një drekë e tyre. Punëtorët kaq mjerueshëm i paguajnë, kurse ndaj konsumatorëve sillen me arrogancë. Për bujqit nuk mund të shkruaj, ngaqë prej kohësh shteti këtë kategori të ndershme dhe tepër të rëndësishme për një shtet e ka fashitur prore. Ata mund t’i shohësh kafeneve duke folur për mospasjen llogari për ta punuar tokën.

E pra, kujt t’i them, mos e lësho atdheun e bardhë? Kujt t’i dhe them dhe si t’i them se kurbeti është i zi, kur po ky mërgim ia sigurojë gjitha gjërat që atdheu ia avullojë?!

 

In : Aktuale

Loading...
loading...