Kurthi i 1 Majit

Në Maqedoni, pas romëve, shqiptarët janë komuniteti më i keqpërdorur nga punëdhënësit, por siç duket janë më të untit për ushqim, valle dhe tallava

Nga Dr.Bekim TATESHI

Para 132 vjetëve, protestat e 1 Majit në Çikago mbaruan me gjakderdhje dhe hapën një faqe të re në luftën shekullore për të drejtat e klasës punëtore në suaza botërore. Jehona e këtyre protestave ishte e madhe dhe përfshiu të gjitha kontinentet, më vonë duke u shpallur si festë internacionale e punës dhe klasës punëtore gati në të gjitha shtetet, qofshin ato kapitaliste apo komuniste. Në shtetet kapitaliste kjo festë shfrytëzohej për avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe lufta kundër eksploatimit të punëtorit dhe rritjes të pagave, kurse në bllokun lindor dhe shtetet tjera komuniste jashtë bllokut, kjo datë u shfrytëzua për maskimin e gjendjes të rëndë të klasës punëtore dhe shfrytëzim të skajshëm duke u thirrur në gjoja diktaturën e proletariatit e diktuar nga diktatorët komunist që paraqiteshin në forma dhe modele të ndryshme.StrugaLajm

Diktatura komuniste në ish Jugosllavi në mënyrë eklatante e shfrytëzoi këtë datë që të festohet në çdo qytet e fshat, në çdo fabrikë dhe punëtori. Shkohej aq larg, sa lideri i asaj kohe proklamoheshte si punëtor edhe atë makinist që më vonë u bë gjeneral lufte e më pas burrështeti që luajti një rol interesant në politikën botërore të asaj kohe. Festa e 1 Majit ishte shumë e rëndësishme, bile festohej nga dy ditë e kështu vazhdoi deri vonë. Duket sikur edhe qeverive të deritanishme në Maqedoni u ka konvenuar kjo festë për ikje nga realiteti dhe përditshmëria e hidhur e klasës punëtore. Punëtorët e këtyre anëve hyrën ne kurth dhe në vend të protestave apo marsheve, kjo festë u shndërrua në festë të çoroditur të ushqimit, ditë të skarës, ditë të piknikut të pakuptimtë familjar. Gjatë anketave të gazetarëve në vendin e ngjarjes, shumica nuk dinë pse kanë dalur në natyrë, çka festojnë!!! Ky kurth zgjat shumë vjet, bile e mbaj mend si fëmijë që në dy maj popullata e Strugës dhe Ohrit “takoheshin” në vendin e ashtuquajtur “Sindikallni”, ku hahej e pihej pa kufi, pa kontroll, por pa qëllim, pa orientim, pa cak…StrugaLajm

Seriozisht nuk mundem ta kuptoj këtë veprim, këtë kremtim që shumë pak dallon nga dasmat familjare me muzikë dhe daulle dhe kam ndjenjë që këto dasmorë shumica janë njerëz pa punë apo marrin rroga e rrinë në shtëpi dhe aspak nuk kanë ndjenjën e të punuarit dhe punëtorit. Në Maqedoni, pas romëve, shqiptarët janë komuniteti më i keqpërdorur nga punëdhënësit, por siç duket janë më të untit për ushqim, valle dhe tallava. Kjo festë e shpifur nuk mund të jetë më e rëndësishme se Dita e Flamurit apo Dita e Alfabetit. Mëkati edhe më i madh është ajo që lihet pas kremtimit të kotë, një gërmadhë me plehra, qese të najlonit dhe ndonjë pelenë të dasmorit të ardhshëm në ardhmërinë e afërt nëse, si optimist patologjik që jam, diçka do të ndryshoj.

Lum ai/ajo që është punëtor. Gëzuar!


Loading...
loading...