Kush refuzon të vaksinohet në Zvicër, nuk duhet të lejohet të udhëtojë në vendlindje gjatë pushimeve verore!

Enver Robelli

Në numrin e djeshëm të gazetës “Tages Anzeiger” mikrobiologia shqiptare nga Zürichu Fatime Imeri ankohet mbi numrin e ulët të shqiptarëve të Zvicrës të cilët interesohen të marrin vaksinën kundër koronës. Në tavolinën e saj të punës çdo ditë përfundojnë dhjetëra mostra të personave të mbrojtur nga virusi. Mjekia shqiptare analizon antitrupat. Çfarë i bie në sy Fatime Imerit është se pothuaj asnjë mostër nuk i përket personave me emër shqiptar. Nga kjo ajo nxjerr përfundimin se ende shumë pak shqiptarë janë vaksinuar.
Në Zvicër jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë. Kundër vaksinimit qarkullojnë shumë teori konspirative. Ekziston pasiguri mbi pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të vaksinës. Ka disa muaj që Fatime Imeri përpiqet t’i bind bashkëkombësit e saj për t’u vaksinuar. Enti Federal i Shëndetësisë (BAG) në Bern njofton në 22 gjuhë mbi pandeminë, por është e paqartë nëse këto informata arrijnë te grupet e ndryshme etnike në Zvicër.
Në shumicën e kantoneve tani, më në fund, është e mundur që të interesuarit të aranzhojnë një termin për t’u vaksinuar. Aty-këtu, si për shembull në kantonin e Bernit, vaksinimi ende nuk ecën me ritëm të duhur dhe njerëzit duhet të presin, madje edhe pacientë të rrezikuar. Në kantone të tjera si në Zürich interesimi është relativisht i madh dhe termine për t’u vaksinuar ka tek pas 20 qershorit.
Nuk ka arsye logjike dhe shkencore për të refuzuar vaksinimin. Shumë shqiptarë me gjasë janë shqetësuar pas lajmeve mbi pasojat eventuale të vaksinës AstraZeneca. Por në Zvicër kjo vaksinë nuk është e lejuar fare. Deri më tani janë të lejuara vetëm dy vaksina: Pfizer dhe Moderna, dy vaksinat më të mira në treg.
Në shumë platforma online procedura e lajmërimit për t’u vaksinuar mund të jetë e ndërlikuar, sidomos për të moshuarit. Por edhe kjo barrierë mund të tejkalohet. Duke kërkuar ndihmë nga familjarët që e dinë mirë njërën nga gjuhët e Zvicrës. Duke u konsultuar me mjekun e shtëpisë. Apo duke pyetur ndonjërën nga mjeket apo mjekët e shumtë shqiptarë në Zvicër.
Vaksinimi shpëton jetë. Duke qenë të vaksinuar, ju nuk rrezikoni të tjerët. Rrjedhimisht, nuk rrezikoni familjet tuaja kur vizitoni Kosovën. Qeveria e Kosovës është mirë t’u bëjë apel shqiptarëve të Zvicrës që urgjentisht të vaksinohen. Kush refuzon të vaksinohet me kryeneçësi, duhet të sanksionohet, për shembull duke ia ndaluar hyrjen në Kosovë gjatë pushimeve verore. Kjo do të ishte një masë drastike, por kush e ka mundësinë për t’u vaksinuar dhe e refuzon këtë, vërtet vepron në mënyrë të papërgjegjshme – ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.
Deri më tani në Zvicër janë vaksinuar 1,2 milionë njerëz. Sipas “Tages Anzeiger” skepticizmi më i madh kundër vaksinës ekziston në mesin e afrikanëve, afganëve – dhe shqiptarëve. Të huajt në të shumtën e rasteve kryejnë punë jo aq prestigjioze dhe, rrjedhimisht, janë më shumë të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...