Labirintet e Vahit Nasufit

 

Studiuesit më në zë të historiografisë botërore janë të një mendjeje se historinë e Francës së kohës së vet e ka shkruar më mirë nga të gjithë Balzaku që nuk ishte historian, por shkrimtar. Në romanet e veta pasqyroi jetën e njerëzve ashtu siç ishte, të zhveshur nga kontekstet politike dhe morale, zbuloi para botës fytyrën e një kombi të tërë, që historianët profesionistë nuk mundej kurrsesi ta bënin. Edhe duke lexuar romanin voluminoz të Vahid Nasufit “ Udhëtim në labirint”, mëson historinë e vërtetë të shqiptarëve të detyruar të jetonin në suazën e Jugosllavisë dhe më pas të Maqedonisë si një minoritet me të drejta të kufizuara.
Për ne shqiptarët e atdheut amë, jeta dhe veprimtaria shoqërore-politike e sivëllezërve tanë matanë kufirit mbeti për shumë kohë enigmë e madhe. Të mëkuar me historinë e trazuar të shqiptarëve në shekuj, me luftërat e paprera kundër serbëve, malazezve, grekëve, maqedonasve e kishim vështirë të kuptonim bashkëjetesën me fqinjët lakmitarë. Propaganda e atëhershme e bashkim-vëllazërimit e paraqiste jetën e shqiptarëve të këtyre viseve në një dritë tjetër, të shtrembëruar dhe larg së vërtetës. Por jo vetëm ne. Ma merr mendja se edhe vetë shqiptarët e Jugosllavisë nuk e kishin të lehtë të zhbironin terrin informativ me të cilin u rrethuan prej afro një shekulli të tërë.
Letërsia e zhytur në batakun e konformizmit i bënte jehonë kësaj propagande, ishte thjesht zgjatim i saj i shëmtuar dhe si e tillë larg realitetit historik. Domosdo këtë boshllëk e ka ndjerë shkrimtari Vahid Nasufi për t’i hyrë punës të shkruante romanin epope, një sagë shqiptare në suazën e Jugosllavisë së stisur. Historia e shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit shtetëror, e vërteta dhe retushimet e kohës deri shtrembërimet e paragjykuara në rrjedhën e njëqind vjetëve të fundit, e kanë ngacmuar së brendshmi, ndaj ka marrë barrën e vështirë ta mbushë, duke dhënë një pamje të plotë të gjendjes së atëhershme, duke nxjerrë në pah përpjekjet e mundimshme të njerëzve të mësuar të kohës, të mbanin ndezur pishtarin e identitetit kombëtar në dherat e tyre etnike.
Ashtu siç del nga leximi i romanit “ Udhëtim në labirint”, qëllimi i autorit nuk ka qenë rreshtimi i thatë i fakteve, ngjarjeve dhe datave historike, të cilat mbeten sot e gjithë ditën detyrë e historianëve të mirëfillta t’i bëjnë. Në dallim prej tyre, autori ka marrë mbi vete barrën fisnike të interpretimit të jetës reale të bashkatdhetarëve të tij në bashkësinë maqedonase, përpjekjeve të gjata me ulje ngritjet e natyrshme të kohës. Për të realizuar këtë mision cilitdo shkrimtar duhet të mprehë mirë dy armë, dashurinë për vendin e tij, njerëzit e gjakut të tij dhe njohjen e thelluar të jetës së tyre.
Duket sheshit se zoti Vahid Nasufi i ka me tepri të dyja.
Përpara lexuesit parakalojnë heronjtë e heshtur të romanit, një plejadë burrash dhe grash të paepur e të vendosur në rrugën e tyre të natyrshme të ruajtjes së identitetit kombëtar, ruajtjes së historisë dhe heronjve të panumërt në rrjedhat e historisë. Në këtë iniciativë rigoroze, të mëvetshme në letrat e shkruara, shkrimtari Vahid Nasufi ka derdhur shpirtin me dashuri të pa cunguar nga koha dhe erudicion të shkëlqyer. U drejtohet njerëzve të zakonshëm me përkushtim e dhembshuri si rrallë tjetër, i vë të bisedojnë me njëri-tjetrin, arsyeton, hyn në detajet e pa eksploruara të jetës së tyre, ravijëzon bëmat, sakrificat, mundin e derdhur nëpër tallazet e një shekulli të trazuar:
Në vështrimin tim romani është një vepër psikologjike ku autori zhbiron karakteret dhe mentalitetin e një kohe të mbushur me mister. Është një teknikë letrare e njohur botërore që kulmon me romanin “Udhëtim në fund të natës” të shkrimtarit të njohur francez Selini. E ka përdorur edhe Kadareja në librin “Pallati i ëndrrave”. Është një mënyrë të shkruari e vështirë, që kërkon mjeshtëri, njohje dhe kulturë të gjerë letrare. Nëse kalohet masa efekti i kësaj teknike është i kundërt. Autori e ka përdorur me sukses duke na dhënë karaktere të spikatur dhe mbresëlënës, mjedise puro shqiptare me zakone dhe tradita mijëra vjeçare që ata i ruajtën me fanatizëm nëpër shtjellat e historisë së trazuar të këtyre viseve. Dua të veçoj mësuesin Skënder, i kulturuar, i matur që mbjell ndjenjën e atdhetarizmit në Vreshtinë dhe tutje Vreshtinës, një prijës i shquar në këto visore të mahnitshme. Të rinjtë Besi, Xeni, Rimi e shumë të tjerë janë në radhët e para të përpjekjeve për identitet kombëtar dhe prosperitet. Bisedat e tyre janë shkolla e atdhetarisë, patriotizmit dhe mbrothësisë, janë zjarri i pashuar i luftës së heshtur për ruajtjen e palcës shqiptare, aty ku e solli fati të jetojnë.
S’ka si të mos emocionohesh nga përshkrimi i karaktereve të pleqve dhe më të rinjve, burrave dhe grave, të shkolluarve dhe atyre me pak shkollë tek përthithin nektarin kombëtar me etje dhe dëshira të pashembullt.
Një personazh i kudondodhur në faqet e librit është lumi Drin. Autori e ka përdorur mjeshtërisht si kufi që ndan të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuar, dritën nga errësira. Kështu Drini kthehet në lumin mitik që u del në krah shqiptarëve si mburojë legjendash.
Pamjet e romanit janë aq pranë realitetit sa ai që e ka jetuar atë epokë e risjell të pa ngatërruar në kujtesë. Me lehtësi të habitshme, gati të frikshme, përshkruan njerëzit, bëmat dhe jetën e asaj kohe, duke e mbajtur lexuesin në një vorbull ankthi nga faqja e parë deri te e fundit. Ku do t ’i çojnë këta djem bisedat e përditshme, të rrëmbyera e të çiltra si zemrat e tyre? Ç ’kanë ndërmend të bëjnë? Lexuesi ndjek me kërshëri ekstreme dialogët, përshkrimet, aluzionet dhe pret e pret. Autori e le deri në fund pezull rrëfimin, atëherë lexuesi kthjellohet dhe kupton fundin e pashkruar: këta djem prekin një ëndërr që mbetet e tillë deri në fund të librit, se romani është një udhëtim në labirint.
Kjo është magjia e rrëfimit.
Vahid Nasufi ndërton kështu një dramë dhimbjeje, përfytyron imazhe të një jete të cilën e ka pushtuar si njohje, përjetim, emocion. Një jetë që është përthithur shumë gjatë në “Vreshtinën” e tij alegorike. Drama e përtypur ndër vite në surbulla përrallash, legjendash, mitesh, ndodhish të larmishme ia ka ndezur turbinat e imagjinatës. Romani i tij, “ Udhëtim në labirint” ka ardhur vetvetiu si verë e vjetër tharmëtuar në kade me dru lisi. E kam hasur një episod të ngjashëm te Sterjo Spasse e Jakov Xoxa e ca më të plotë si linjë romani te “ Të munduarit ” e Hasan Petrelës.
Ngjarjet zhvillohen në një prerje të njohur kohore dhe në mjedis real, ku njerëzit ndërtojnë jetën e tyre me mundime të mëdha, po edhe me dashuri të madhe. Ata dinë të bëjnë punë të rëndomta, aq sa edhe të kryejnë vepra të fisme. Ata janë njerëz të thjeshtë që nuk duan dhe nuk do të donin kurrë të bëjnë keq. Të gjithë i njohin, janë baballarët dhe nënat tona të mira, janë sivëllezërit e Vahid Nasufit, shkrimtarit modern me zemër të madhe dhe përgjegjësi po aq të madhe sociale.StrugaLajm

Istref Haxhillari
Strugë 24 korrik 2018StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...