Lejohet vallëzimi në dasma

Pas uljes së madhe të rasteve të të sëmurëve nga Kovid-19, por edhe respektimit kryesisht të masave të deritanishme për organizimin e ahengjeve familjare, pritet që ditëve në vijim të ketë edhe më shumë dasma me më shumë mysafirë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 15 qershor – Pas uljes së madhe të rasteve të të sëmurëve me Kovid-19, por edhe respektimit kryesisht të masave të deritanishme për organizimin e ahengjeve familjare, pritet që ditëve në vijim të ketë edhe më shumë dasma me më shumë mysafirë. Të hënën, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse i rekomandoi Shtabit të krizës që nga e mërkura – përskaj anulimit të orës policore për shkak të situatës stabile epidemiologjike, të lejojë edhe më shumë se 100 mysafirë në dasma, si dhe lejimin e koncerteve, eventeve dhe zbavitjeve në lokale, por vetëm në të hapur dhe kapacitet maksimal prej 1000 persona apo jo më shumë se 50 për qind e kapacitetit të objektit hotelerik, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në ndërkohë, nga Inspektorati i Tregut bëjnë të ditur se deri tani në parim, mysafirët në dasma kanë respektuar protokollet, për çka flet edhe fakti se nuk është shqiptuar asnjë dënim. Pronarët e restoranteve për ahengje thonë se është rritur dukshëm vetëdija për respektimin e masave dhe vizitorët tregojnë disiplinë, ndërsa në raste më të vogla kur shfaqen probleme të caktuara, atëherë personat që menaxhojnë restorantin intervenojnë për të respektuar të gjitha protokollet e përcaktuara. Nga Inspektorati i Tregut thonë se akoma nuk kanë pasur nevojë të dënojnë për mos respektimin protokolleve. “Lidhur me respektimin e protokolleve për organizimin e dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare, nga ana jonë nuk është shqiptuar asnjë dënim deri tani. Prej një qershorit kur janë publikuar ndryshimet dhe plotësimet e protokolleve ku numërohen të gjitha mënyrat e organizimit të ahengjeve, janë kryer mbi 200 mbikëqyrje në tërë vendin dhe nuk është konstatuar asnjë shkelje as nga ana e mysafirëve dhe as nga ana e organizatorëve”, thotë Aleksandra Koteli nga Inspektorati Shtetëror i tregut. Sipas saj, nuk ka munguar interesimi dhe bashkëpunimi me hotelierët për të sqaruar dhe zbatuar të gjitha protokollet.

Në ndërkohë, restorantet pritet të nisin punën pas më shumë se një viti pauze dhe mos organizimi të ahengjeve familjare. Deri tani, me protokollet qeveritare, nevojitej që organizatori i dasmave të kontrollojë të gjithë 100 mysafirët nëse do të përqafohen dhe nëse e bëjnë një gjë të tillë, duhet t’i paralajmërojë se është e ndaluar. Sipas protokollit të deritanishëm, dasmat mund të organizoheshin vetëm në ambiente të hapura. Ndërsa nëse dikush dëshiron të vallëzojë, do të mund ta bëjë nëse në largësi prej 2 metrave nuk ka persona të tjerë. Kështu që, vallëzimi së bashku nuk lejohej. Gjithashtu, përskaj kufizimit të mysafirëve në 100, organizatori ishte i obliguar të bëjë listë të mysafirëve dhe renditje të tavolinave për uljen e mysafirëve.LAJME TË NGJASHME

LAJMI I FUNDIT: Muharrem Asani, zëvendësdrejtor i ri në…Qer 15, 2021

“Tkurret” numri i maturantëveQer 15, 2021

Ujëra të zeza në ShkumbinQer 15, 2021StrugaLajm

Muzikantët lejoheshin, por ato duhet të qëndrojnë 5 metra larg tavolinës më të afërt. Ata nuk lejohen që të lëvizin afër mysafirëve, as të këndojnë afër tyre. Sipas protokollit, në dasmë mund të këndojnë vetëm artistë të estradës që janë të licencuar.

Pas përfundimit të dasmës, e detyrueshme është të bëhet pastrim mekanik dhe dezinfektim i objektit. Personeli duhet të mbajë pajisje mbrojtëse, dhe të realizojë pastrim të vazhdueshëm të tualeteve… Ndryshe, pas lehtësimit të masave, pritet që restorantet të fillojnë të përdorin edhe pjesët e brendshme të objekteve të tyre, por mbetet të shikohet se a do të mbeten në fuqi të gjitha protokollet e deritanishme për organizimin e dasmave pas uljes së numrit të infektimeve me COVID-19, apo pjesërisht edhe këtu mund të ketë anulime të vogla.

EDHE KOSOVA LEJON DASMAT

Nga 15 qershori në Kosovë pritet të lejohen ahengjet e ndryshme përfshirë edhe dasmat. Grupet punuese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit janë dakorduar për manualin i cili do të implementohet për sallat e dasmave, klubet e natës, si dhe pishinat.

Të gjithë këta sektorë do t’i përshtaten manualit ekzistues ku në 30 për qind të hapësirave të mbyllura do të lejohet puna, e që i bie në 100 m2 do të lejohen 40 persona. Me manualin ekzistues në çdo 10 metër katrorë janë 4 veta, apo në çdo 100 metër katror 40 persona.

Gjithashtu , Qeveria e Kosovës kohë më parë, lehtësoi masat anti Kovid, duke hequr orën policore dhe duke i lejuar sektorit të gastronomisë të punojë deri në ora 23:00. Ndërsa nga 15 qershori, nëse nuk ka rritje të rasteve me Kovid-19 do të lejohen edhe ahengjet. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...