Ligji për shqipen nesër sërish në seancë, 32.000 amandamente nga VMRO për ta bllokuar

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë nesër në ora 11 duhet ta fillojë seancën e 32-të, ku në rend të ditës është Ligji për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë, me të cilin avancohet përdorimi i gjuhës shqipe, e i cili është kthyer nga ana e presidentit të shtetit Gjorge Ivanov pa dekret të nënshkruar dhe me vërejtje të shumta. Seancën për këtë ligj kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e caktoi në afatin e paraparë dhe e vendosi në votim të sërishëm, ndërsa për ligjin janë parashtruar edhe mbi 32.000 amandamente rekord nga ana e VMRO-DPMNE-së opozitare. Kaq amandamente deri tani nuk janë parashtruar për asnjë ligj në Kuvend.

Amandamentet janë parashtruar gradualisht dje dhe pardje nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ndërsa pas përfundimit të afatit dje në ora 16:30 nga shërbimet e Kuvendit informuan se kanë marrë mbi 32.000, ndërkaq nga partia opozitare për MIA-n potencuan se bëhet fjalë për mbi 30.000. Përmbajtja e amandamenteve, sipas Rregullores duhet të jetë në pajtim me vërejtjet e presidentit Ivanov. Partitë nga shumica në pushtet LSDM dhe BDI, si dhe BESA nuk parashtruan amandamente për ligjin.

LSDM-ja përmes kumtesës reagoi, duke potencuar se qartë është se VMRO-DPMNE-ja nuk ka kapacitet t’i braktis politikat e destruktimit dhe të bllokadave, të cilat shkaktojnë tensione politike, ndarje dhe përçarje në shoqëri. “VMRO-DPMNE-ja deri tani ka pasur mundësi të merr pjesë në procesin e miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por në vend të kësaj, partia opozitare me zgjedhje të saj, zgjodhi të mos merr pjesë në procesin reformues”, njoftuan nga LSDM-ja.StrugaLajm

Amandamentet e parashtruaa do të shqyrtohen vetëm në seancë plenare. Propozuesit e amandamenteve kanë të drejtë në tre minuta ta elaborojnë secilin amandament veçmas, ashtu që sipas llogarive të caktuara për këtë do të nevojiten 145 ditë. Koordinatorët kanë të drejtë edhe në vërejtje procedurale nga tre minuta. Që të miratohet amandamenti, nevojitet për të të votojnë 61 deputetë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Vllatko Gjorçev, i cili i koordinon deputetët e kësaj partie në Kuvend, të premten paralajmëroi se ata do të paraqiten “si edhe deri tani”, respektivisht me dhjetë grupe të deputetëve.

In : Aktuale

Loading...
loading...