MAMUT SKËNDERI, VELESHTARI ME NJË JETË AKTIVITET NË AMERIKË NË SHËRBIM TË ATDHEUT

Shkruan:
Bexhet Asani/Strugalajm.com

Veprimtari i çështjes shqiptare Mamut Skenderi lindi më 21 maj 1953 në Veleshtë të Strugës. Rrjedh nga një familje bujqish. Babai Pajazit Skenderi nëna Servete Hoda Skenderi kryesisht janë marrë me punët e fushës. Të dy prindërit të pa shkolluar si një numër i madh i bashkëkohësve të tyre. Që si foshnjë gjashtë mujore Mamutit i vdes nëna. Për të dhe motrën e tij për 2 vjet kujdeset i ati. Pas moshës dy vjeçare për Mamutin kujdeset halla e madhe Sanie Skenderi Nasufi si dhe hallat tjera. Mamuti shkollën fillore dhe tetëvjeçaren e kreu në Veleshtë. Si nxënës dallohej nga shoqet e shokët e tij. Si një numër i madh i veleshtarëve dhe struganëve në moshën shumë të re merr botën në sy për një jetë më të mirë e duke u larguar nga presioni që bënte pushteti ish jugosllav. Kështu si i ri pa menduar fare sesa e dhimbshme ishte vendlindja e që ëndrrat e Veleshtës do ta ndiqnin pas për tërë jetën, në moshën shatëmbëdhjetë vjeçare në gusht të vitit 1969, ik emigrant në itali. Pas një viti, në gusht të vitit 1970 arrin në Amerikë.
Nga Roma i përcillnin Mentor Qoku, Vasil Andoni dhe Prendi një prift katolik nga Shkodra, të rinjve shqiptarë u jepnin këtë porosi: “Djem të shkoni në Amerikë po mos e harroni atdheun, kudo që të shkoni t’ i shërbeni Shqipërisë”. Mamut Skenderi duket sikur këtë këshillë nga ata atdhetarë e mban vath në vesh sot e kësaj dite.
Në tokën e premtuar, aeroplani puthi pistën, pas një udhëtimi të gjatë e që e dinte se shkonte në një vend të panjohur, pa e ditur se a do të mud të gjindej pa e folur anglishten e pa asnjë zanat! Në aeropotin “Xhon Kenedi” e presin kushëriri Buran Skenderi dhe dhëndri Nuri Kaba me Nebie Kabën vajzën e hallës. Të rinjtë Buran dhe Mamut Skenderi në Nju Xherzi, jetuan në një banesë si beqarë për 4 – 5 vjet derisa u martuan. Pasi u martuan secili mori banesën e vet. Jetonin në Paterson. Mamuti nëntë vjet punoi në “Nabisko”. Aty bëhej paketimi i gjërave ushqimore. Në gusht të vitit 1976, në Paterson martohet me Afijet Xhelilin nga qyteti i Ohrit. Më 1980, përfundimisht shkon nga Patersoni në Çikago te i vëllai Femi Skenderi.
Në Çikago punoi në një shkollë të mesme “Nepërvill Hajskull” si mbikëqyrës për 18 vjet rresht. Për një kohë të gjatë e brente ndërgjegjja pse nuk kishte vazhduar shkollimin. I bëhej zemra mal kur dëgjonte se ndonjë nga bashkatdhetarët e tij kryente në Amerikë fakultetin. Vetëm në këtë mënyrë mendonte ai, shqiptarët tanë do të largohen nga punët e rënda të ndërtimtarisë e të hotelerisë etj. Ky arsimdashës edhe pse po i ikte koha dhe mosha prapëseprapë regjistrohet në shkollë edhe atë pa shkëputje nga puna në vitin 1983 në Çikago, përfundon shkollimin e mesëm.
Me aktivitete atdhetare filloi të merrej që nga viti 1973, nën ndikimin e intelektualëve emigrantë të pakënaqur me regjimin në Shqipëri. Ata intelektualë nuk bënin pjesë në ndonjë parti vepronin në frymën e Mid’hat Frashërit. Ata u thoshin:”Ju nuk do të na ndiqni neve, pa marrë parasysh se ne kemi ikur nga Shqipëria të pakënaqur nga regjimi, ju duhet ta doni Shqipërinë dhe popullin shqiptar dhe partia juaj është atdheu!”
Pas ngjarjeve revolucionare në Kosovë më 1981, filloi lëvizja në diasporë për mbrojtjen e studentëve dhe të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Mamut Skenderi bashkë me shokë ishte në ballë të demonstratave kudo në ShBA.
Më 1985 u themelua Lobi shqiptar, 1990 mbahet Kongresi i Parë i Lobit në Nju Jork. Nga Kosova morën pjesë: akademik Rexhep Qosja, arbëreshi Papas Antonio Belushi, Luljeta Pula, Gazmend Pula, Ibrahim Rugova e të tjerë. Aty ishte dhe Tom Lantosi nga Kalifornia i cili propozoi dhe përpiloi rezolutën kundër dhunës që ushtronte Serbia në Kosovë dhe për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi. Alfons Damato kongresmen nga Nju Jorku, kongresmeni Leri Presler nga Minesota e të tjerë. Kongresi u mbajt nga Lobi Shqiptar i udhëhequr nga i madhi dhe i papërsëritshmi Joseph DioGuardi. Kongresi u mbajt në “Sheraton Hotel”. Në Kongres morën pjesë 2500 aktivistë nga gjithë shtetet e Amerikës dhe të Evropës.
Mamut Skenderi është anëtar Bordit të Lobit shqiptaro – amerikan për degën e Çikagos që nga viti 1990. Nga aty filloi veprimtaria intensive atdhetare dhe nuk u ndalë gjer me bombardimin e ish Jugosllavisë nga Forcat e NATO-s.
Më 1991, në këtë kohë kryetari i Shqipërisë Ramiz Alija, Joseph DioGuardit dhe Tom Lantosit, ia dorëzon dosjen për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore Kosovë – Shqipëri. Ky gjest i Ramizit do t’ i japë krahë kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë me prejardhje hebreje, kështu ata do të punojnë më me ngulm për çështjen shqiptare. Në vitet 1992 – 1993 bashkë me Joseph DioGuardin Mamut Skenderi do të vizitojnë Shqipërinë.
Bashkëpunimi me Odën Ekonomike Amerikano – Izralite, fillon në vitin 2012 në një takim që kishin me hebreun Daniel Shure të cilit ia japin një sasi dokumentesh arkivore “Shpëtimi i hebrejve në Kosovë e në Shqipëri”.
Shoqata Shqiptaro Amerikane dhe Oda Ekonomike Izraelite më 2015 mbajtën një Konferencë ekonomike për çështjen e investimeve, në këtë Konferencëmorën pjesë: Ikmete Bajrami, ambasadorja Vlora Çitaku, presidentja Atifete Jahjaga dhe shoqata e grave. Delegacionin e grave të Kosovës e pritën kryetarja e Shoqatës së gruas Lirie Memeti dhe bashkëpunëtoret e saja Rie Ismaili nga Kosova, Lirie Memeti nga Prespa, Ariana Jajupi nga Shqipëria e shumë gra të tjera.
Kryesinë e Shoqatës Shqiptaro Amerikane e përbënin Skender Karaçica drejtor ekzekutiv, Mamut Skenderi Sekretar, ndihmës sekretar Dritan Leku dhe Astrit Memeti.
Mamuti Skenderi dhe Skender Karaçica i hapën dyert e bashkëpunimit me Odën Ekonomike Amerikë – Izrael me mikun e tyre Daniel Shure drejtor i Odës Ekonomike Amerikë – Izrael.
Për meritat që ka ndaj popullit shqiptar zoti Daniel Shure është zgjedhur ambasador nderi i Shqipërisë dhe Kosovës në Çikago për çështje ekonomike.
Z. Daniel Shure më 3 tetor 2020, e përshëndeti njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Izraeli. Miqësia vazhdon edhe sot. Mamut Skenderi, Skender Karaçica dhe Daniel Shure kanë ngritur iniciativën që në Muzeun e Skoki-t në Çikago të Ilinoisit të ngrihet një pllakë përkujtimore “Shëptimi i hebrenjve gjatë Luftës së dytë Botërore në Kosovë e në Shqipëri”.
Mamut Skenderi disa herë e ka takuar ish senatorin Joe Biden (Xho Bajden), më i afërt me të ka qenë në kohën e kryetarit Obama kur Joe Biden kandidonte për nënkryetar të Amerikës në vitin 1912. Mamut Skenderi do ta takonte dhe do të ishte bashkë me të gjatë tërë fushatës elektorale në viti 2019 kur Joe Biden zgjidhet kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës por e pengoi pandemia. Megjithatë Mamuti s’ reshti së punuari me shqiptarët e Çikagos që të votonin Joe Biden. Sot Mamut Skenderi ndjehet më i lehtësuar dhe i lumtur me fitoren e mikut të madh të shqiptarëve Joe Biden.
Mamut Skënderi është i pandalshëm dhe i palodhshëm, në dobi të çështjes atdhetare e shqiptare. Ai edhe sot është aktiv, punon e vepron pandërprerë.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...