Vokrri ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare. Nga të dhënat e para dyshohet se Vokrri ka pasuar atak kardiak.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk i ka mbijetuar sulmit në zemër që ka pësuar në mëngjesin e sotëm. Vokrri ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Prej 10 vjetësh, Vokrri ishte në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kush ishte Fadil Vokrri…
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazheviç, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë. Fadil Vokrri në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë, ku 10 vitet e fundit ka qenë në krye të Federatës së Futbollit, duke qenë njeriu kryesor, i cili bëri të mundur futjen e kësaj federate në UEFA dhe në FIFA.