Në Maqedoni janë 3000 persona pa shtetësi

Të gjithë personat të cilët jetojnë në territorin e Maqedonisë, ndërsa nuk janë të regjistruar në regjistrat e amzës, gjegjësisht nuk kanë çertifikatë, as çfarëdo lloj dokumente personale dhe nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, nga 1 prill e deri më 30 shtator do të mund të paraqiten deri te Drejtoria për Evidencën e Regjistrave të Amzës të kërkojnë regjistrim shtesë. Për momentin ka informata se rreth 550 persona kanë problem të këtillë, ndërsa pritet që me procesin të përfshihen rreth 3.000 persona.

Që të realizohet ky proces do të bëhen ndryshime ligjore të cilat do ta lehtësojnë në mënyrë plotësuese regjistrimin, ndërsa qendrat për punë sociale, njësitë rajonale të Drejtorisë, si dhe organizatat joqeveritare do të ndihmojnë që personat e këtillë të evidentohen dhe të dorëzojnë kërkesa.

“Në mënyrë të këtillë do të konfirmohet numri i saktë i personave deri tani të paevidentuar të cilët janë në territorin e RM-së, ndërsa me ndryshimet e ligjeve ata do të fitojnë të drejtë të numrit të përkohshëm të amzës ose numër të përkohshëm regjistrues që të mund të realizojnë të drejta sociale, shëndetësore dhe arsimore, që të mos ketë fëmijë dhe persona të shkyçur nga sistemi. Gjithashtu, më vonë do të jepet mundësi që ata ta marrin edhe numrin e tyre të parë të amzës”, tha në konferencën për shtyp ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska.

Paralajmëroi se do të bëhen ndryshime në ligjet për procedurë jashtë-gjyqësore, për evidencë amë dhe për letërnjoftime, vendbanime dhe vendqëndrime. Me ndryshimet në Ligjin për procedurë jashtë-gjyqësore, tha Catovska, gjykata do të mund të sjellë vendim për zgjidhje të statusit të ndonjë personi nëse deri atëherë nëpunësi i gjendjes civile nuk mund ta konfirmojë kohën dhe vendin e lindjes.

Ndërkohë, tha, do të bëhen trajnime për të gjithë personat profesionistë të cilët punojnë në shërbimet e amzës, qendrat për punë sociale, si dhe organizatat civile me qëllim që, siç theksoi, t’i mbështesin proceset, t’i informojnë qytetarët që të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre.StrugaLajm

Drejtori i Drejtorisë për Evidencën e Regjistrave të Amzës Bujar Dardhishta tha se në mënyrë të këtillë do të mundësohet inkluzion i plotë social i personave të cilët deri tani kanë qenë në margjinat e shoqërisë dhe nuk i kanë poseduar të drejtat, për shkak se lindjet e tyre nuk janë paraqitur në regjistrin e amzës të të lindurve dhe nuk mund të marrin çertifikatë të parë të lindjes.

“Thirrja do të zgjasë gjashtë muaj, nga 1 prilli e deri më 30 shtator të vitit 2018. Në këtë periudhë të gjithë personat të cilët nuk janë regjistruar ose madje nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre në regjistrat e amzës të vijnë në njësitë rajonale të Drejtorisë dhe të dorëzojnë kërkesë për regjistrim plotësues. Kjo vlen për personat e lindur në kushte shtëpiake ose në institucionet shëndetësore, por, prindërit e tyre nuk e kanë paraqitur lindjen”, tha ai.

Mbështetje këtij procesi do t’i japin edhe organizatat ndërkombëtare të cilat do të ndihmojnë në aktivitetet në terren për locim dhe informim të këtyre personave, si dhe ndihmë që të vijnë deri te njësitë rajonale dhe të dorëzojnë kërkesë për regjistrim plotësues.

In : Aktuale

Loading...
loading...