Nëntë mijë turistë kanë mbetur të bllokuar në qendrën e skijimit Zermatt për shkak të reshjeve të dendura të borës, kurse 30 shtëpi në Davos, ku po organizohet Forumi i 48-të Ekonomik Botëror janë evakuuar për shkak të rrezikut nga orteku i borës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kushtet e vështira atmosferike vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme në Zvicër.
Në një deklaratë nga Zyra e Turizmit në Zermatt thuhet se për shkak të rreshjeve të mëdha të borës, nëntë mijë turistë që nga dita e shtunë kanë mbetur të bllokuar në qytetin Zemratt të kantonit Valais në Zvicër.
Në deklaratë thuhet se të dielën, 500 turistë janë transferuar në rajone të sigurta me helikopterë në shkëmbim të 70 frangave zvicerane.
Kryetarja e Komunës së Zermattit, Romy Biner, në një deklaratë për gazetarët tha se nuk po arrijnë të përmbushin kërkesat e mëdha për shkak se helikopterët po përdoren për çështje të sigurisë në vend. Biner tha se një mijë e 200 persona në vend janë duke pritur për t’u larguar me helikopterë nga rajoni.
Të gjitha rrugët e lidhura me Zermattin, i cili vlerësohet si një nga qendrat më të njohura të Alpeve zvicerane për alpinizëm dhe skijim, janë të mbyllura, kurse edhe qarkullimi i trenit është anuluar.
Davos, rrezik nga orteku i borës
Në anën tjetër, në qytetin Davos, ku sot ka nisur Forumi i 48-të Ekonomik Botëror (WEF), 30 shtëpi janë evakuuar për shkak të rrezikut nga orteku i borës.
Për shkak të rreshjeve të mëdha është anuluar edhe qarkullimi i trenit në qytetin Zernez në rajon, kurse rrugët janë mbyllur për qarkullim.
Në javën e parë të muajit janar në Zermatt kishin mbetur të bllokuar 13 mijë turistë për shkak të rreshjeve të mëdha të borës dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.