Shtëpia e familjes Kadriu nga fshati Dobovjanë i Strugës gjendet menjëherë afër rrjedhës së Drinit të Zi. Por, shtrati i pa-pastruar i lumit familjeve u shkakton probleme të vazhdueshme. Me reshjet e para të shiut apo dëborës, rritet niveli i lumit ku rrezikohen të mbjellat e kësaj familje. Në vitin 2018 dhe 2017, lumi ua ka vërshuar pronat ndërsa ka arritur deri tek shtëpia.
Shtrati është i mbushur me barë dhe degë ndërsa gjatë nivelit më të lartë, lumi me vete bart sasi enorme të mbeturinave. Ambientalistët pohojnë që shtrati nuk është pastruar prej kur janë ndërtuar centralet Shpile dhe Glloboçicë, përkatësisht disa dekada.
ELEM është i obliguar për mirëmbajtjen e shtratit nga dalja e qytetit deri te centrali Globoçica, njësoj siç i shfrytëzojnë ujërat për prodhimin e energjisë elektrike – tha Vait Ajro, ekspert i ujërave.
Nga “Ujësjellësi” i Ohrit për Alsat pohojnë se janë kompetent për shtretërit e lumenjve ndërsa për Drinin e Zi ka marrëveshje të veçantë me Ministrinë e Ekologjisë dhe ELEM-in. Me këtë marrëveshje, përgjegjësinë për lumin Drin e ka marrë kompania ELEM për shkak të rregullimit të sasisë së ujit në lum.
Miki TRajkovski