BLENDI PETROL
Aktuale

Një jetë e humbur në bixhoz… në pritje

Të projektuara në Las Vegas, tashmë ato gjenden të përhapura në forma të shumëllojshme anembanë botës. Suksesi i tyre qëndron tek psikologjia që përdorin dhe marrosja e mendjes së lojtarëve. E kam fjalën për ato, lojërat e fatit që të gjithë i kemi sadopak në gjak t’i luajmë.

Nuk di as nga ta nis e cilën të përmend të parën, sepse janë bërë të shumta, sidomos vitet e fundit në Shqipëri. Që nga ato klasiket, kazinotë e çdo rruge të kryeqytetit (por edhe të qyteteve të tjera më të vogla), e deri tek ato që na duken tepër argëtuese, biletat gërvishtëse dhe telebingot shqiptare. Të gjitha përdorin një mekanizëm të njëjtë veprimi, lëkundjen e besimit të njerëzve. Nëse si parim ekziston ideja se për të siguruar të ardhura duhet të punosh fort dhe të kursesh po aq fort, me lojërat e fatit ky parim është kthyer në formën “Luaj se brenda ditës, fati do të të buzëqeshë edhe ty”. Por sa ka funksionuar parimi i tjetërsuar prej tyre?

Dua të sjell në vëmendjen tuaj sërish Telebingon Shqiptare. Me siguri që edhe juve keni dëgjuar histori të tipit “Kam 4 vjet e kusur që ble çdo javë disa bileta telebingoje me shpresën se do të fitoj”. Por a ia vlen një gjë e tillë? Në këto vite jo vetëm që ato lekët e biletave këta persona do i kishin hequr mënjanë, por edhe nuk do ishin marrosur pas një loje fati, përfundimi i të cilit njihet tashmë. Ose do humbasësh duke humbur çdo gjë dhe çdo person me vlerë në jetën tënde, ose do humbasësh veten duke pritur gjithë jetën atë “buzëqeshjen e një dite nga fati”.

Kjo nuk është diçka për t’u neglizhuar. Është një nga problemet madhore, sidomos në Shqipëri ku mundësitë për të vënë një ekonomi të konsiderueshme janë të ulëta. Ky realitet i bën njerëzit të kërkojnë metoda të tilla më të shpejta për të vendosur pasuri. Pavarësisht se nuk janë të sigurta përsa i përket përfundimit që pret secili nga ata që i luan, sërish kanë pushtuar persona të moshave të ndryshme.

Në çdo kohë mund të shohësh të rinj të ulur në lloto baste duke vendosur parashikime për ndeshje të ndryshme sportive, me shpresën se do të qëllojnë në shenjë. Në çdo kohë mund të shohësh nëpër kioska të ndryshme persona të tjerë duke gërvishtur një biletë, apo duke plotësuar të dhënat në bileta telebingoje. Nga ana tjetër, mund të shohësh edhe të tjerë persona të hyjnë në kazino me po të njëjtën shpresë, të fitojnë.

Duke u kapur pas kazinove si simboli kryesor i lojërave të fatit, dua të flas pak edhe për mënyrën se si ato veprojnë, apo se si i marrosin njerëzit pas vetes. Në to nuk ka orë të varura në mure dhe as dritare nga ku mund të hyjë dritë apo ajër. Kjo gjë e fokuson vëmendjen e njerëzve vetëm tek lojërat. Lojërat, këto janë arma më e fortë e tyre. Nëse në jetë kur gabon, nuk mund ta përsërisësh dot situatën, ato e kanë mundësinë e përsëritjes. Kjo gjë fajësohet si marrosja e psikologjisë njerëzore.

Është shumë e thjeshtë. Kur ti gabon në një moment në jetë, do të doje shumë ta riktheje edhe njëherë atë moment për ta shmangur gabimin. Kur gabon apo fati nuk të buzëqesh në këto lojëra, mundësia që lojërat të përsëriten është po aty. Humbe lekë? Ke mundësinë që lojën ta përsërisësh me shpresën se do t’i fitosh ato që humbe. Fitove lekë? Ke mundësinë që lojën ta përsërisësh me shpresën se do arrish të mbledhësh sa më shumë lekë, pra do ta arrish qëllimin se pse e nise lojën. Dhe kështu gjithçka futet në një rreth vicioz, ku përfundimi është padyshim fitorja e kazinove dhe humbja nga ana e njerëzve. Nuk kemi dëgjuar deri më sot kazino të humbin, apo të mbyllen si pasojë e falimentimit, por njerëz të humbasin familjet dhe të afërmit pikërisht për shkak të fiksimit të tyre pas lojërave të fatit.

Përfundimi? Unë nuk dua kurrsesi të mendoni se pasuria vendoset vetëm me punë të pista, apo me lojërat e fatit, sic ekziston rëndom si mendim në shoqërinë tonë. Mendoj se ka ardhur koha të mendoni se edhe me punë të ndershme, me vullnet dhe me kursim mund të vendosni pasuri. Hiqni dorë nga dembelizmi dhe nga mendimi se fati do t’ju bëjë të pasur brenda një dite. Fati nuk të buzëqesh, kur nuk bën asnjë përpjekje për t’ia dalë vetë mbanë. Ndaj përpiqu, puno fort, kurse me vullnet të hekurt dhe fati do të të buzëqeshë edhe ty. Shumë me shpejt se telebingot, kazinotë apo lojërat e tjera të fatit… / bota.al

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button