Në Maqedoninë e Veriut parlamenti miratoi ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Ky votim u shoqërua nga kundërshtimet e partisë opozitare VMRO-DPMNE e cila është kundër përfshirjes së qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendit në numrin e përgjithshëm të popullsisë sepse sipas kësaj partie, kjo do të prishte shifrat reale të popullatës që jeton në Maqedoninë e Veriut. Procesi i regjistrimit ë popullsisë në Maqedoninë e Veriut pritet me interes veçanërisht nga popullata shqiptare e këtij vendi, për të kuptuar se cili është numri real i shqiptarëve atje.
Në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24, zëvendës ministri i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Z. Agim Nuhiu jep informacion mbi këtë proces që pritet të nisë në fillim të prillit.Reklame
Zoti Nuhiu, kur pritet te nisë procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut?
Tani ne sapo kemi miratuar ligjin për regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave dhe tani Enti Shtetëror për Statistikë po miraton metodologjinë që do të jetë publike për opinionin e gjerë me qëllim që të gjithë qytetarët, shtetasit e Maqedonisë së Veriut të njihen me aspektet teknike me format dhe mënyrën e regjistrimit të popullsisë dhe ne kemi planifikuar që procesi i regjistrimit të kryhet brenda periudhës 1 prill deri me 21 prill për të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e vendit tonë. Ndërsa për shtetasit e tjerë të cilët në periudhën e regjistrimit nuk do të ndodhen në territorin e Maqedonisë së Veriut kemi paraparë një afat më të gjatë për realizimin e regjistrimit. Kjo përfshin një periudhë prej datës 1 mars deri më 21 prill. Te gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët do të ndodhen jashtë territorit të vendit tonë në momentin e regjistrimit do të mund të regjistrohen edhe nga vendet ku ata jetojnë përkohësisht. Në formë elektronike do të mund edhe të marrin pjesë aktive në regjistrim, ose siç i kemi quajtur ne në ligjin për regjistrim vetëregjistrimi i diasporës të Maqedonisë së Veriut të cilët nuk do të ndodhen në territorin e vendit tonë.
Zoti Nuhiu, partia opozitare VMRO DPMNE, është shprehur kundër këtij procesi. Përse?
Tani, ne e kemi vërejtur edhe gjatë punimeve të kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Unë do të doja të saktësoja edhe për opinionin më të gjerë se nuk duhet të ketë frikë edhe nga regjistrimi i diasporës me theks të veçantë i diasporës shqiptare sepse është interesi i shtetit që ne të dimë sesa shtetas të Maqedonisë së Veriut ndodhen përkohësisht jashtë territorit të vendit tonë. Partia opozitare kryesisht vërejtjet i ka në drejtim të regjistrimit të shtetasve të Maqedonisë së Veriut të cilët përkohësisht ndodhen në territoret e vendeve të huaja që ata të mos përfshihen në procesin e regjistrimit. Megjithatë, forca politike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim e Z. Ali Ahmeti, parti të cilës unë i përkas kemi vënë për prioritet që të proklamojmë si interes shtetëror edhe diasporën shqiptare në procesin e regjistrimit. Është interesi i shtetit që ne t’i regjistrojmë të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut sepse me këtë proces regjistrimi ne nuk do të regjistrojmë vetëm qytetarët, por do të regjistrojmë edhe pronat e tyre, shtëpitë e tyre dhe të mos kemi ndërlikime në ushtrimin e të gjitha të drejtave që burojnë nga shtetësia, nga kjo lidhje juridike që e ka çdo shtetas përfshirë edhe çdo mërgimtar shqiptar me shtetin tonë, ne do të duhet në mënyrë të lehtë, pa asnjë komplikim, që ata në mënyrë të lehtë t’i ushtrojnë këto të drejta.
Zoti Nuhiu, çfarë parashikohet të përmbajë formulari. Ku do të fokusoheni dhe a do të jetë etnia pjesë përbërëse e saj?
Sigurisht që interesi jone ka qenë karakteristikat etnike të qytetarëve të jenë në mënyrë të saktë dhe precize dhe këtë e kemi siguruar me ligj që qytetarët përpos karakteristikave të tjera do të duhet edhe të deklarohen për përkatësinë etnike. Do të duhet që mënyrë të qartë dhe precize të deklarojnë përkatësinë etnike të tyre.
Zoti Nuhiu, a mund të na shpjegoni aspektin teknik të procesit Si do realizohet ai?
Tani ne kemi dhënë mundësitë që Enti Shtetëror për Statistikë, një organ që ka kompetenca për të udhëhequr një proces statistikor ashtu siç është regjistrimi dhe ashtu siç kanë rekomanduar edhe konventat dhe organizmat evropianë dhe të Kombeve të Bashkuara dhe në këtë drejtim të gjithë kompetencat do t’i ketë Enti Shtetëror për Statistikë, normalisht që paraparë mundësinë e komunikimit, e të bashkëpunimit të mbledhje së të dhënave, të kryqëzimit të të dhënave me një sërë institucionesh të tjera në sistemin e shtetit, institucione këto që kanë bazën e të dhënave të qytetarëve. Në këtë proces të regjistrimit është me rëndësi të theksojmë se ne nuk do të përdorim vetëm metodën klasike, atë që ka të bëjë me komunikimin e drejtpërdrejtë personal midis regjistruesit dhe shtetasit. Përveç kësaj ne kemi paraparë edhe mundësinë e metodave të kombinuara. Pra, ato të dhëna që do t’i marrim drejtpërdrejtë nga qytetari do të mund edhe të kontrollohen, të mbikëqyren, të verifikohen edhe në bazë të të dhënave që i kanë institucionet e tjera të shtetit, siç është Drejtoria për të hyra publike, Ministria e Brendshme dhe një sërë institucionesh të tjera dhe kjo metodologji që do të hartohet nga Enti Shtetëror për Statistikë sigurisht që do të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe këtu nuk ka asnjë fare dileme dhe nuk duhet të ngjallet frikë se sa do të duhet të jetë numri i Shqiptarëve. Shqiptarët janë realisht shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe ata do të duhet të regjistrohen. Aq sa jemi, të gjithë do të duhet të jemi pjesë e këtij procesi të regjistrimit.
Sipas projektligjit që e keni prezantuar ju në parlament, pritet që të regjistrohen edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë vendit përmes një aplikacioni. Sa i besueshëm do të ishte ky proces?
Sigurisht që mërgimtarët shqiptarë dhe të gjithë të tjerët do të mund edhe të vetëregjistrohen. Në këtë mënyrë e kemi përcaktuar me ligj, pra kategorinë e vetëregjistrimit nëpërmjet një aplikacioni elektronik. Sigurisht që ky aplikacion elektronik është i besueshëm sepse ka faktorë mbrojtës dhe është pjesë e gjithë sistemit dhe platformave që i kanë institucionet e shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe çdo keqpërdorim në këtë drejtim në aspektin teknik është përjashtuar sepse këtu më shumë dominojnë elementet teknike në raport me faktorin njeri. Në të gjitha situatat ku do të mund të vihet në pikëpyetje çdo veprim që mund të cenojë liritë dhe të drejtat e qytetarit ne me ligjin për regjistrim kemi paraparë edhe dispozita ndëshkuese dhe veprimet e kundërligjshme do të mund edhe të shkaktojnë sanksione penale. Kemi parashikuar edhe burgim që shkon deri në pese vite heqje lirie.
Pra ky proces përfshin edhe ata qytetarë që kanë emigruar jashtë vendit? Jo vetëm ata që ndodhen për një kohë të shkurtër jashtë Maqedonisë së Veriut?
Ne kemi siguruar bazën ligjore që të regjistrojmë të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Sigurisht që më pas do të bëhet edhe dallimi se kush është qytetar rezident dhe kush nuk është i tillë. Megjithatë të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut do të duhet të përfshihen në regjistrim dhe ky është interesi i shtetit. Po e saktësoj edhe një herë sepse ne nuk regjistrojmë vetëm qytetarin, por edhe pronat e tyre me qëllim që flaket çdo situatë që mund të vërë në pikëpyetje ushtrimin e të drejtave civile, të drejtave politike të këtyre shtetasve në raport me shtetësinë e vendit ose në raport me të drejta të tjera dhe ne pikërisht për këtë arsye i kemi proklamuar si interes shtetëror që të regjistrohen të gjithë me qëllim që të eliminohet çdo vështirësi në të ardhmen në këto aspekte.
Pra Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë vendit, si do mund të regjistrohen të pa shqetësuar se të dhënat e tyre nuk do keqpërdoren. Pra ata do deklarohen të etnisë shqiptare. Si do sigurohemi që ky deklarim nuk do të ndryshohet gjatë rrugës apo që nuk do anashkalohet?
Është infrastruktura dhe platforma teknike që shmang çdo mundësi të kësaj natyre sepse nuk janë vetëm të dhënat që do të marrim nga qytetari, por këto të dhëna do të analizohen me bazën e të dhënave që disponojnë një sërë institucionesh të tjera të sistemit të shtetit. Askush të mos ketë frikë se do të mund të keqpërdoret ndonjë e dhënë, ndonjë deklaratë ose ndonjë karakteristikë e secilit qytetar apo secilit mërgimtar shqiptar, unë do të doja të shfrytëzoj mundësinë që në momentin e fillimit të regjistrimit të gjithë mërgimtarët shqiptarë të ndjekin instruksionet, të ndjekin informacionet që do të jepen nga ana e institucioneve kompetente dhe pa asnjë dileme t’i nënshtrohen dhe t’i përgjigjen thirrjes për regjistrim të popullsisë dhe pronave të tyre që i kanë në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Pra nuk është e nevojshme që ata të jenë fizikisht në Maqedoninë e Veriut. Këtë mund ta bëjnë përmes aplikacionit elektronik.
Ne kemi paraparë dy alternativa. Ata do të mund të veteregjistrohen përmes aplikacionit elektronik ose çdo i afërmi i tyre që ndodhet në territorin e Maqedonisë së Veriut, mjafton që mërgimtarët shqiptarë t’i japin të afërmve të tyre numrin e amzës dhe i afërmi i tyre që ndodhen në Maqedoninë e Veriut do ta dërgojë këtë të dhënë tek njerëzit që do të kryejnë regjistrimin dhe pastaj aplikacionet elektronike që i disponojnë gjatë procesit të regjistrimit do të mund të bëhet nga baza e të dhënave të institucioneve të tjera që të mund të plotësohet formulari i nevojshëm. Pra janë dy mundësi, ose vetëregjistrimi online duke shfrytëzuar aplikacionin elektronik ose një i afërmi i tyre do të mund t’i regjistrojë në shtëpitë e tyre këtu në Maqedoninë e Veriut.
Zoti Nuhiu, si është e mundur që regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2002 dhe që prej asaj kohe ky proces nuk është realizuar më? Çfarë e ka penguar?
Sigurisht që procesi i regjistrimit, ju po e vëreni edhe tani që ne kemi bërë përgatitjet infrastrukturore-institucionale po politizohet, po etnizohet dhe unë ruaj bindjen se pikërisht për këto aspekte, për këto motive nuk kemi pasur regjistrim deri më tani. Një tentativë për të regjistruar popullatën kishim në vitin 2011 dhe ky regjistrim dështoi. Sipas vlerësime tona ky regjistrim dështoi për faktin se u themelua një komision i posaçëm qeveritar që mori për detyrim të realizojë procesin e regjistrimit dhe pozita juridike e këtij komisioni bëri që të vihet në pikëpyetje edhe aktiviteti tjetër i regjistrimit të popullatës në drejtim të transparencës, në drejtim të objektivitetit dhe besoj se këto motive ishin edhe shkaqet që çuan në dështimin e procesit. Nuk kishte një fushatë afirmative, shumë qytetarë filluan të mos i përgjigjen këtij detyrimi shtetëror prandaj dhe ne këtë version të ri të ligjit u përcaktuam që ta respektojmë deri në germën e fundit edhe kuadrin ligjor kombëtar dhe evropian, por edhe kuadrin institucional. Enti Shtetëror për Statistikë sipas kompetencave të saj lëndore është institucioni i vetëm që do të mund në mënyrë të suksesshme të realizojë këtë proces statistikor që është shumë voluminoz dhe shumë i rëndësishëm për shtetin.
Por kësaj here procesi do të vazhdojë apo jo?
Sigurisht që ne jemi optimistë që procesi do të vazhdojë. Partia opozitare e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar iniciative qytetare për grumbullimin e nënshkrimeve me qëllim që ligjin për regjistrim ta vërë jashtë qarkullimit juridik. Për të pasur një gjë të tillë do të duhet edhe vendim politik nga të gjitha forcat politike. Ne si BDI jemi të interesuar që kjo bazë ligjore të mbetet për arsye sepse është në interesin e shtetit që të regjistrohen të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe ne e kemi vënë theksin tek mërgimtarët shqiptarë dhe sigurisht që do të jetë objektivi jonë në të gjitha fazat pavarësisht zhvillimeve politike. Në çdo regjistrim të përfshihen edhe shqiptarët të cilët janë jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut.
Dhe kjo do ishte shumë e rëndësishme. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Zoti Ali Ahmeti partia e të cilit është në pushtet prej disa vitesh, ka deklaruar se përqindja e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut me siguri është me e madhe se 25 përqind. Çfarë do të nënkuptonte kjo?
Kjo nënkupton se kemi shtim natyror të shqiptarëve. Parametrat dhe indikacionet që vijnë nga institucionet që kanë bazën e të dhënave edhe mbi baza etnike, bie fjala në Ministrinë e Brendshme ku unë vete kam qenë ministër në këtë dikaster kam parë që periudhën e fundit mbi 30 përqind e pasaportave në gjuhën shqipe janë marrë nga Shqiptarët. Kjo nënkupton se numri i Shqiptarëve është rritje e sipër, por pavarësisht këtij fakti natyror askush nuk duhet të frikësohet nga shtimi natyror i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.Previous article