Nuk do ketë shtrenjtim të rrymës

“Për qytetarët nuk pritet të ketë çmime më të larta, për shkak se amvisëritë në shtatë deri tetë vitet e ardhshme do të furnizohen nga ana e furnizuesit universal që do të përzgjidhet në ankand, ndërsa është i obliguar me ligj që pjesën më të madhe të nevojave të energjisë elektrike, ti sigurojë nga Elektranat e Maqedonisë, ndërsa sasitë e blerjes me kalimin e kohës do të zvogëlohen”, thotë drejtori i KRrE-së, Marko Bislimovski

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 4 janar- Viti 2019 shënon liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Maqedoni për të gjithë konsumatorët. Kjo në praktikë nënkupton se afër 500 mijë amvisëri do të kenë mundësi të përcaktohen për furnizim me rrymë në tregun e lirë, apo do të furnizohen me rrymë nga furnizuesi universal, shkruan gazeta KOHA.

Deri në muajin mars pritet që të zgjidhet furnizuesi universal ndërmjet kompanisë “Elem Trejd” dhe “EVN Furnizimi” që do të furnizojë me rrymë të gjithë konsumatorët që nuk do të zgjedhin të blejnë rrymë në treg. Konform Ligjit të ri për energjetikë, zgjedhja e “furnizuesit universal”, nënkupton garanci se asnjë konsumator nuk do të mbetet pa energji elektrike.

“Në pajtim me Ligjin për energjetikë, qytetarët janë të mbrojtur dhe nëse nuk zgjidhet furnizuesi universal apo zgjatet procesi, gjendja mbetet e njëjtë, ndërsa qytetarët do të jenë konsumator tarifor me çmim të mbrojtur. Mekanizmi i furnizuesit universal është krijuar vetëm me qëllim që të mbrojë çmimin e rrymës për qytetarët dhe për prodhimtarinë vendore”, thotë zëvendëskryeministri për çështje ekonomik, Koço Angjushev.

Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, thonë se qytetarët nuk duhet të frikësohen nga rritje e çmimit të rrymës. “Nuk do të ketë asnjë ndryshim të çmimit të energjisë elektrike pas vitit të ri. Edhe furnizuesi universal do të vazhdojë të furnizojë amvisëritë me çmime të njëjta së paku deri në muajin qershor kur pritet të miratohet vendim i ri për çmimin e rrymës”, thekson drejtori i KRrE-së, Marko Bislimovski.

Pritet që firma që do të fitojë tenderin qeveritar dhe do të bëhet furnizues universal, do të duhet të mbrojë qytetarët nga luhatjet eventuale të mëdha në treg.StrugaLajm

“Për qytetarët nuk pritet të ketë çmime më të larta, për shkak se amvisëritë në shtatë deri tetë vitet e ardhshme do të furnizohen nga ana e furnizuesit universal që do të përzgjidhet në ankand, ndërsa është i obliguar me ligj që pjesën më të madhe të nevojave të energjisë elektrike, ti sigurojë nga Elektranat e Maqedonisë, ndërsa sasitë e blerjes me kalimin e kohës do të zvogëlohen. Aktualisht, çmimi i ELEM-it është 40 euro për megavat orë, dhe nuk pres se do të ketë shkak që të rritet çmimi i prodhuesit vendor të rrymës, e me këtë edhe i çmimit të rrymës për amvisëritë”, shton më tej Bislimovski.

Sipas tij, nëse eventualisht nuk arrihet të kënaqen nevojat e amvisërive nga prodhimtaria vendore e rrymës, atëherë importi eventual i rrymës mund të ketë ndikim ndaj çmimit për amvisëritë. Megjithatë, ai vlerëson se kjo rritje nuk do të jetë e konsiderueshme, ndërsa pret që nevojat e amvisërive të kënaqen nga prodhimtaria vendore e energjisë elektrike.

Në favor të mbrojtjes së standardit të qytetarëve është edhe vazhdimi i shfrytëzimit të tarifës së lirë së energjisë elektrike. Në ndërkohë, pritet që në vitet e ardhshme, me përdorimin më të madh të gazit në amvisëri dhe industri, paraqitjen e kompanive të reja që do të ofrojnë rrymë për shitje, që të gjithë lojtarët në tregun energjetik të garojnë me oferta më të mira për konsumatorin. Në ndërkohë, Komisioni Rregullator do të definojë në mënyrë të qartë edhe përmbajtjen e marrëveshjeve për furnizim me rrymë, duke përjashtuar të gjitha klauzolat e pandershme në kontratë. Risi tjetër në Ligjin për Energjetikë është se kompetentët nuk do të lejojnë të shkyçen kategoritë e prekshme të qytetarëve për shkak llogarive të papaguara përgjatë periudhës së dimrit. Pritet që në të ardhmen të caktohen edhe konsumatorët e rrymës që do të mbrohen në aspekt sezonal. Gjithashtu, amvisëritë që do të furnizohen në tregun e hapur do të mbrohen në aspektin e asaj se çdoherë do të kenë furnizim me rrymë, ndërsa në të vërtetë furnizuesi universal do të jetë furnizuesi i fundit.

Ndryshe, një kilovat orë në Maqedoni ka kushtuar 0.08 euro, ndërsa nga ana tjetër – Danimarka dhe Gjermania me 0.3 euro për kilovat orë paguajnë rrymën më shtrenjtë në Evropë, tregojnë të dhënat e Zyrës evropiane të Statistikës – EUROSTAT për vitin 2018.

Sipas EUROSTAT-it, çmime më të lira se Maqedonia ka vetëm Ukraina me 0.04 euro, Kosova me 0.07 dhe Serbia me 0.07 euro për kilovat rrymë. Gjithashtu, duhet përmendur se këto shtete akoma nuk kanë kaluar procesin e privatizimit të së paku një pjesë të sistemit elektroenergjetik. Në ndërkohë, EUROSTAT zbardh se çmime të ngjashme të rrymës si në Maqedoni, paguajnë edhe qytetarët e Shqipërisë me 0.09 euro.

Çmime të shtrenjta  paguajnë edhe Mal i zi, Bullgaria dhe Turqia me nga 0.1 euro për një kilovat orë. Nga shtetet e rajoni, në Kroaci çmimi i rrymës është 0.12 euro, në Rumani është 0.13 euro, ndërsa në Greqi dhe Slloveni është 0.16 euro. Nga ana tjetër, çmimi mesatar i një kilovat ore rrymë në 28 shtetet e BE-së në vitin 2017 ishte 0.2 euro. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...