Ministria për Arsim dhe Shkencë do të shpërblejë nxënësit që janë fitues nëpër gara shtetërore, duke planifikuar shpërblim edhe për mësimdhënësin që ka qenë mentor i atij nxënësit, transmeton Portalb.mk.
“Për vendin e parë të fituar në garat në nivel shtetëror nxënësit dhe mësimdhënësit të tij u ndahet shpërblimi me para. Garat duhet të jenë të organizuara nga shoqatat e akredituara të mësimdhënësve”, bëjnë me dije nga Ministria.
Nxënësit apo mësimdhënësit kanë mundësi ta shfrytëzojnë këtë mundësi deri më 31 dhjetor të këtij viti, duke dorëzuar dokumentet e parapara në Konkurs.
Ndërkohë, Ministria ka hapur edhe një Konkurs për mbulimin e shpenzimeve për kotizim dhe pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare gjatë vitit 2022 nga fusha e Matematikës, Informatikës dhe Shkencave Natyrore.