Ka ndërruar jetë Sulejman Sulejmani-Simboli i Kumanovës

Naser Pajaziti

Njeriu që ishte simbolikë e vuajtjeve, sakrificave dhe trajtimit nga sistemi i këtij shteti! Atdhetari nga Sopoti i Kumanovës, që deri në frymën e fundit 78 vjeçare, ishte stoik dhe i palëkundur se atdhedashuria nuk ka çmim. Ai ishte viktimë e aparatit shtetëror që vazhdoi të lëshojë rrënjët e thella, duke ideuar, inskenuar, montuar dhe dënuar, plotësisht njerëz të pafajshëm. Mëngjesin pa zbardhur drita e 26 majit të 2003 ai u prangos nga njësitet speciale maqedonase në sy të nipave e mbesave, fëmijëve e familjarëve , me akuzën se ishte një nga autorët e vendosjes së një mine në dalje të fshatit Sopot, nga e cila shpërtheu një mjet ushtarak i NATO-s dhe humbën jetën dy ushtarë të kontigjentit polak. Një rast komplet i montuar, që u dëshmua më pas, me insistimin e faktorëve ndërkombëtarë. Baca Sylë doli nga burgu pas 7 viteve, por 20 vite ai ishte endur gjyqeve e kalvareve të tjera, për të dëshmuar pafajësinë.Diskriminimi shtetëror e kishte mbështetur për muri, e izoloi, e përjashtoi, duke mos e trajtuar as si qenie njerëzore, pa asnjë dokument. Me dekada të tëra nuk iu dha shtetësia e Maqedonisë, sepse konsiderohej si person i “rrezikshëm” për shtetin. Dhe më në fund dy muaj më parë ai u pajis me këtë copë letre, por çka, kur më nuk i vlente asgjë?Nuk arriti të lëviz nga pragu i shtëpisë për shkak të moshës së thyer dhe nuk përmbushi as premtimin se pas 20 viteve izolim kishte dëshirë të vizitonte vajzat e tij jashtë shtetit. Nuk arriti të shkelë as tokën e Kosovës, që e kishte si amanet, sepse ai ishte pjesëmarrës në luftën e Kosovës, si një nga pjesëtarët e grupit që kishin bërë marshin epik të UÇK-së nëpër malet e Pashtrikut në dimrin e acartë të nëntorit të 1998.Gjithmonë do kujtohet ky njeri i urtë që është simboli i mbijetesës shqiptare në këtë vend! Me shumë kolegë nga viti 2003 jemi munduar të zbardhim e pasqyrojmë të vërtetën për padrejtësinë ndaj Bacit Sylë e bashkëvendasve të tij, ishim pranë familjeve të tyre, për çdo nevojë, për të ngritur zërin e tyre, të vërtetën, përballë prapaskenave të sistemi që ia preu fatin dhe e kishte “vrarë” për së gjalli Bacën Sylë. Zoti e shpërbleftë shpirtin e tij të pastër!StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...