PATRIOTIZMI SI STREHË E MASKARENJVE

Retro – aktuale

 

(Shkrime të botuara vite më parë)

Samuel Johnson, shkrimtar dhe gjuhëtar anglez, veç tjerash, ka thënë se “patriotizmi përdoret edhe si strehë e maskarenjve”. Këta të fundit, pra maskarenjtë, i kem me bollëk edhe midis nesh, të cilët politikën e përdorin vetëm për interesa meskine. Por, më qesharakë bëhen ata që duke hyrë përmes derës së vogël, tentojnë të bëjnë “politikë” të madhe. Janë ata që i japin vetes të drejtë të flasin në emër të popullit pa e pasur miratimin e vetë popullit. Shoqëria shqiptare është përplot me pretendentë të tillë që pandërprerë vërsulen për t’i realizuar “ëndrrat e tyre politike”. Injoranca, dredhia dhe mashtrimi janë karakteristikat e para identifikuese të maskarenjve, të cilët, duke u fshehur prapa retorikës patriotike, mbajnë leksione atdhe-dashurie dhe paralajmërojnë se janë të gatshëm ta marrin “fronin” e shpëtimtarëve. Sikur secilit që do t’i tekej të katapultohet përmes kësaj forme në politikë, atëherë do të kishim situatë anarkie, për të mos thënë situatë absurdi. Edhe ashtu politika shqiptare gjithnjë e më shumë ka filluar t’i përngjajë arenës së cirkut. Përjashtimi i procedurave normale për të hyrë në politikë, është një tendencë e kahershme që ka bërë jo vetëm banalizimin e politikës shqiptare, por edhe shndërrimin e saj në një skenë humoristike.
Copëzimi i indit shqiptar, sipas tekeve dhe qejfeve të atyre që politikën e konsiderojnë si modë, është vetëm edhe një dëshmi se midis nesh ka shumë individë që s’ kanë fare përgjegjësi, kurse parim i politikës, ndër të tjera, siç dihet, është edhe përgjegjësia morale. Të tillët nuk skuqen për tendencën e shtrirjes së të pamoralshmëve jo vetëm në politikë, por edhe në arsim e kulturë. Procesi i reformimit të shoqërisë shqiptare, që është një proces i domosdoshëm, para se gjithash nënkupton ndarjen e shapit nga sheqeri dhe ndalimin e politizimit përtej normales së kësaj shoqërie, e cila është bërë si “thes stërvitjeje” për boksierët.
Bindja e grupimeve të ndryshme se është momenti i tyre për t’i zgjidhur të gjitha “problemet” e shqiptarëve, tregon qartë se kur ABC-ja e politikës përmbyset mbrapsht, atëherë në skenë dalin horrat që gënjejnë edhe vetveten. Yryshi i realizimit të “ëndrrave politike”, përmes faktorizimit të hiçit, realisht duhet të përfundojë te hiçi, pavarësisht se maskarenjtë patriotizmin e përdorin si strehë të tyre. Më në fund, lodhja nga patriotët e tillë dhe patriotizmi i tyre, është bërë e padurueshme…StrugaLajm

(1 prill, 2013)

In : Aktuale

Loading...
loading...