Për çfarë u morën vesh, Petkov e Kovaçevski?

Në vizitën e parë të kryeministrit bullgar Kiril Petkov në Shkup, krerët e dy qeverive bëjnë me dije se mosmarrëveshjet historike do të lihen në plan të dytë.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov erdhi në Shkup vetëm një ditë pasi homologu i tij maqedonas Dimitar Kovaçevski e mori drejtimin e qeverisë. Vizita bëhet në një kohë kur dy vendet nuk po mund të afrojnë qëndrimet lidhur me mosmarrëveshjet mbi çështjet historike dhe gjuhësore, që ka shtyrë Sofjen të përdorë veton në Bashkimin Evropian ndaj proceseve integruese të fqinjit më të vogël.

Të dy kryeministrat vlerësojnë se së pari nevojitet shtimi i komunikimit midis dy shteteve, bashkëpunimi, afrimi i ndërsjellë i qytetarëve dhe më pas zgjidhja e çështjeve të hapura. Zotërinjtë Petkov dhe Kovaçevski kanë rënë dakord për formimin e grupeve te punës në fusha të tjera si infrasrtuktura, ekonomia, tregëtia, arsimi e kultura. Zoti Petkov u shoqërua nga një delegacion i lartë qeveritar.

Pas marrëveshjes dypalëshe për fqinjësi të mirë në vitin 2017, dy vendet kanë formuar një komision të përbashkët ku bëjnë pjesë historianë, por takimi i grupit është ndërprerë para disa muajsh dhe bisedimet kanë ngecur.

Kryeministri bullgar i pyetur nga gazetarët lidhur me gjuhën maqedonase, theksoi se i respekton të gjitha gjuhët të cilat përdoren këtu dhe se kjo do të vazhdojë kështu.

“Respektojmë vetëvendosjen e të gjithë qyterarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha gjuhët e përcaktuara me kushtetutë. Çështjet e hapura në komisionin e historisë prej tani do të trajtohen ndryshe, në një ambient të dialogut të mirë dhe me veprime konstruktive”, u shpreh zoti Petkov, por pa e emëruar gjuhën maqedonase.

Lidhur me çështjen e gjuhës, kryeministri i ri maqedonas tha se Maqedonia e Veriut njihet nga Bullgaria, teksa në Kushtetutë përcaktohet gjuha maqedonase.

“Me Republikën e Bullgarisë kemi nënshkruar marrëveshje ku rregullohet mënyra e nënshkrimit të tyre në pajtim me gjuhët zyrtare të vendeve respektive”, tha ai.StrugaLajm

Zoti Kovaçevski shtoi se gjuha maqedonase është pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare “dhe për t’i dhënë përparësi bashkëpunimit në më shumë fusha të tjera, çështjet historike do të mbeten në plan të dytë”, sipas kryeministrit maqedonas.

Ndonëse nuk u fol publikisht në takimin e parë midis dy kryeministrave, Sofja ka përsëritur më parë kërkesën për heqjen nga përdorimi të librave shkollorë të historisë në Maqedoninë e Veriut ku administrimit, sipas palës bullgare, gjatë Luftës së Dytë Botërore me Maqedoninë, Shkupi i referohet si ‘fashizëm bullgar’.

Nga ana tjetër, Bullgaria nuk pranon ekzistencën e pakicës maqedonase, për çka autoritetet në Shkup duket se po zbusin tonet së fundmi, ndërkohë që kërkon futjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Shumë varet nga komisioni i përbashkët i historisë se çfarë zgjidhjesh do të ofrojë mbi mosmarrëveshjet, që Bullgaria t’i japë fund vetos për t’i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut e me këtë edhe Shqipërisë që po mbahet peng në këtë mes, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në shenjë të zbutjes së tensioneve dhe ngrohjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, dy kryeministrat vendosën kurora lulesh para përmendores së shenjtorëve Cirili dhe Metodi pranë Urës së Gurit në qendër të Shkupit.

Dy qeveritë do të takohen në Sofje më 25 janar. Tek autoritetet maqedonase janë shtuar shpresat për zhbllokimin e procesit drejt Bashkimit Evropian me ardhjen e zotit Petkov në krye të qeverisë bullgare.

Sot në Shkup shkoi për vizitë kryeministri bullgar, Kiril Petkov, teksa dy vendet nuk po arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjet historike në mes tyre, që ka shtyrë Sofjen t’i vërë veton Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit evropian. Por, nga ana tjetër, dy vendet paralajmërojnë shtimin e bashkëpunimit në një sërë fushash të tjera.VoA

In : Aktuale

Loading...
loading...