Përparësitë e dështimit të Referendumit dhe çfarë më pastaj?!

Arbër Çeliku

Referendumi i 30-të shtatorit kishte një efekt të dyfishtë, por që pati një impakt kundërthënës. Nga njëra anë, ai ishte historik për etninë maqedonase, sepse do të legjitimonte kombin, gjuhën, kishën, historinë dhe shtetin maqedonas, të mohuar në vazhdimësi nga pjesa dërrmuese e fqinjëve (me përjashtim të shqiptarëve), pra atë që de facto u krijua nga Titoja, do ta bënte de jure si në rrafshin rajonal ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Për ne shqiptarët e Maqedonisë, nga ana tjetër, Referendumi në fjalë nuk do të sillte asnjë risi, përveç kthimit të shpresës euro-atlantike, përmes një retorike, e cila i ngjan më shumë një floske se sa një programi për të qenë politik, ose, më mirë thënë, do t’u shërbente si alibi politikanëve, të cilët nuk patën as kurajën dhe as dijen për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen shqiptare në Maqedoni.

Edhe sikur të kalonte ai, por edhe sikur të kalojë Marrëveshja e Prespës, asgjë nuk do të ndryshojë për shqiptarët e Maqedonisë nga ajo që na është dhënë me Marrëveshjen e Ohrit, e cila bazën e ka në parimin e Badinterit dhe që vetëm se avancon dhe mbron të drejtat e pakicave, në përputhje me konventat evropiane për të drejtat e njeriut.StrugaLajm

Çfarë dua të them me këtë?! Marrëveshja e Prespës, kushdo që ta pohojë të kundërtën, nuk ka të bëjë fare me statusin e shqiptarëve të Maqedonisë, por ajo është thjesht një marrëveshje maqedonase-greke, e cila përmes ndryshimeve kushtetuese do të revidojë pikat kontestuese historike për grekët dhe maqedonasit do t’i kthejë në rrënjët e tyre, pra nga antikiteti në sllavizëm.

Referendumi dështoi dhe mirë që dështoi, ngase ai hap edhe një mundësi për faktorizimin tonë politik dhe kombëtar në këtë shtet, në të cilin edhe ne kemi hisen tonë njësoj si gjithë të tjerët. Për ta shpëtuar këtë Marrëveshje, alternativa e vetme është votimi PËR në Parlament nga ana e 2/3 të deputetëve, që i bie gjithsej 80 deputetë.StrugaLajm

Në këtë numër prej 80 deputetëve, deputetët shqiptarë përsëri do të kenë një rol vendimtar, derisa partia opozitare maqedonase ende është nën ndikimin e politikave të vjetra nacionaliste. Ajo që nuk u bë para Marrëveshjes së Prespës, pra kushtëzimi me, së paku, BARABARËSI për ne shqiptarët, është momenti të bëhet brenda këtyre dhjetë ditëve të ardhshme, kuptohet, nëse do të mund të sigurohen edhe 10 deputetë të opozitës, siç përflitet, edhe pse me dështimin e Referendumit një gjë e tillë do të jetë thuajse e pamundur, ngaqë opozita nacionaliste maqedonase tashmë me këtë akt, po e rimerr veten nga nokauti që e pësoi me zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ky është shansi i fundit për partinë më të madhe shqiptare, por edhe për ato me më pak deputetë, që t’i bashkojnë forcat dhe programet politike në të mirë të çështjes kombëtare, sepse zgjedhjet e parakohshme parlamentare, siç rezultoi edhe në Referendumin e 30-shtatorit, mund të kenë efekt të paparashikueshëm për ta, kur tashmë evidente është se një numër i madh i shqiptarëve kanë emigruar jashtë vendit, një numër po ashtu i madh ndihen të diferencuar nga pjesëmarrja shoqërore dhe gjysma tjetër, siç dhe ka qenë deri më tani, është fare indiferente për sa u përket proceseve të gjithëmbarshme politike-shoqërore.

Vetëm pas këtij procesi të vështirë, ato do të jenë në gjendje të ulen dhe të mendojnë në gjakftohtësi për reformat, që tashmë janë më se evidente se duhet t’i ndërmarrin në radhët e veta, duke sjellë njerëz me vlera dhe të dëshmuar në arsim, shkencë e kulturë dhe njëherë e përgjithmonë të heqin dorë nga nomenklaturat e konsumuara, të cilat ua kanë vënë në pikëpyetje serioze ekzistencën e tyre.


Loading...
loading...