Përsiatje për romanin “Udhëtim në labirint” të Vahit Nasufit

POETIKA E SHPRESES SE VRARE
(Përsiatje për romanin “Udhëtim në labirint” të Vahit Nasufit)

I ngritur mbi mjegullën e shpresave dhe mbi pështjellimin kompozues të rrugëve të jetës, romani i Vahit Nasufit të mbulon sa me ndjesinë e ashpërsisë së mjedisit,aq dhe me brishtësinë njerëzore. Ngjarjet rrjedhin në një vend funebër ku ëndrrat thuren poetikisht me realitetin. Planet narrative mbivendosen, ndërthuren. Lexuesi ndjek me shqetësim rropatjen e personazheve dhe madhështinë poetike të shpirtit të tyre..
“Udhëtim në labirint” vjen si një liqen i thellë imazhesh ku dallgëzojnë personazhe reale e mitike, figura mbresëlënëse, ndjenja fine e mendime të thella të filozofit që u buzëqesh me sarkazëm ligjeve të mbrapshta të shoqërisë.
Poeti Vahit Nasufi është vlerësuar si “… një ndër poetët e shquar… duke i siguruar kështu pozita të lakmueshme vetvetes në hierarkinë e mjeshtërve të fjalës së shkruar poetike shqipe” (Natmir Arifi); “… ia dha emrin POET dhe e rreshtoi mes emrave meritorë në piedestalin e piramidës së letrave shqipe ku banojnë penat që nga shekujt e ikur e deri më sot…” (Rami Kamberi)
Nuk mund ta zbulosh portretin e trazuar të Vahit Nasufit vetëm në poezinë e tij. Edhe pse aty gjen diçka jo të zakonshme. “Një djepi pa foshnjë,/ i këndoja ninull ” (Edhe pak hënë mbi mal”). Poezia e tij të krijon përshtypjen e erës që dihet nga vjen, detari e pret prej kohësh ta ndihmojë të kthehet në liman.
“Dhe nëse një ditë/s’ do të jem në këtë botë/ shpirtin ma kërkoni / bregut LIMALOT. (Brenga ime).
As pamja e tij fizike nuk i shpërfaq të plota dhimbjet, ndjeshmëritë, turbullimet me të gjitha pasojat: lidhjet, ndërthurjet, larminë e ngjyresave të tyre. Fytyra i merr dritë nga balli i lartë, ku ende ndrydhet pamundësia e vjetër e shprehjes së mllefit. Plagët e kanë fisnikëruar. Duket se është në kërkim të vendit a kohës së veçantë ku të gjitha gjërat të lidhen me njëra-tjetrën.
Dhe e gjen në hapësirat tekanjoze të prozës së gjatë.
Romancieri fillon të luajë me rregullat e botës, ndërton gjeometrinë e fshehtë të jetës e cila natyrshëm stis labirinte, ngacmon intuitën si fëmija lodrat e veta. I afrohet i druajtur strukturës arkitekture të romanit.
Me fjalinë e parë, “…Do të ndahej prej mikeshës më të dashur”, krijon botën, dhe kjo botë, falë ndërmjetësimit të tij, u hap rrugë konflikteve të mendjes dhe të zemrës me realitetin. Në shumëllojshmërinë e problemeve, tërësinë e pafundme të ndodhive të jetuara apo të dëgjuara, autori përzgjedh të rrëfejë ato që kanë aftësinë të çojnë lexuesin në reflektime .
“Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, unë shkruaj për ta bërë më të durueshëm kalimin e kohës’”
Këto fjalë të Borgesit i shkojnë për shtat Besit, personazhit qendror të romanit “Udhëtim në labirint” të Vahit Nasufit.
Për të përballuar peshën e padurueshme të jetës, përndjekjeve, diferencimit politik, pyetjeve të hetuesve, autori i krijon personazhit pamje e komunikime që e ndihmojnë të zhvendoset fluturimthi në tjetër botë, në atë nivel perceptimi ku gjen forcën të ndryshojë realitetin. Bisedat me zogjtë, qetësia e natës, rrezja e pabindur e hënës, dialogu i shpeshtë me ëndrrën, takimet iluzore me të dashurën, kanë fuqinë e komunikimit të ndjesisë së shpëtimit nga e keqja, shtrirjes së magjepsjes së heshtur e të gjatë.
Vlera e romanit “Udhëtim në labirint” qëndron në fuqinë e detajeve dhe bindshmërinë e vizionit që përcjell: Besi, Xeni e Rimi, përfaqësues të atij brezi intelektualësh që i bënë ballë asimilimit nacional, lëvizin në mjedise të ndryshme. Kjo i jep mundësi autorit të sjellë imazhe të jetës rurale e urbane, nga jugu deri në veri të “perandorisë”; të pasqyrojë mjediset ku ndrydhet liria e mendimit; të nxjerrë në pah zërin që flet në roman si përfytyrim i lindur nga fjala për të krijuar imazhin viziv, apo dhe të asaj arkitekture që imponohet vetiu, tek zbulon veti të cilësuara, hapësira imagjinare. Shtjellimi subjektor i romanit bëhet përmes karaktereve jetësore, pasqyrimit të mjedisit dhe psikologjisë në të cilat gjallojnë mendësi të ndryshme për jetën dhe të vërtetën.
Arkitektura e labirintit zbret në strukturën e romanit. Ngjarjet nuk kanë rrjedhë lineare. Më shumë se fabula rrëfimtare, shpërfaqen përjetime dhe fate të njerëzve në jetën e tyre të përditshme ku, të ndërthurura, të ndërprera me kthime hapsinore a digresione kohore, krijojnë ndjesinë e përhumbjes, ndrydhjes skutave të jetës.
“Këtu labirintet, më të sofistikuar. Në shtëpi. Në rrugë. Në ëndërr. Nëse i hutuar ikje prej tyre, përfundoje gjithmonë brenda tyre. Prinin përpara e vinin pas teje…”
E prej kësaj peshe lind natyrshëm revolta për të shmangur pengesat, në kërkim të derës së daljes.
Ndërkohë, proza e Vahit Nasufit projektohet nga poezia e përpjekjeve dhe përsëritjes ekzistenciale, me pasionin e qenies, të ndjenjave, të zakoneve, të vendeve të cilat duhet t’ia rrëmbesh jetës në rrjedhë.
Metaforat ndërtojnë fushën e impulseve, u japin sendeve e ndijimeve përmasën estetike dhe peshën e domosdoshme racionale.
“Buzëqeshja e Rimit ndriste murrëtimin e dheut, mbante degët e pemëve të mos tundeshin nga era, ngrohte rrasën e ftohtë të gurit.”
Autori kërkon të shijojmë bukurinë në përcaktimin e hollësishëm të detajeve, në zgjedhjen e objekteve, të ndriçimit, aromave.
“Nata e hante pak e nga pak fytyrën e saj të zezë. Hëna nuk e di ku kishte humbur”.
“Mullisit të mirë, fjala i vinte era miell e era brumë.”
“Në të dy krahët e tij, plepat shtatlartë zgjaten të prekin qiellin me dorë. Pranë tyre verrinjtë degëshumë vuajnë shkurtësinë e pakuptimtë.”
Zëri i tregimtarit përqendrohet si drita në skenën e teatrit: atje ku duhet theksuar veprimi, gjithçka që s’duket e bën të dukshme. Shpesh autori përmes rrugës së tërthortë, josh fjalët ekuivoke, krijon atmosferën e dilemave.
“Ecja lehtë, me gatishmëri të shtuar. Të njëjtën gjë e vëreja edhe te Rimi.
-Si të duket rruga? – i them.
-Vetë e zgjodhëm, – ma ktheu shpejt.
-Rrugët tona…, – pëshpërita ngadalë pa e mbaruar fjalinë deri në
fund.
-Që na i trasojnë të tjerët…
-Dhe ne ecim atyre …
-Ecim për të arritur në vendin e caktuar.
-Edhe kjo të çon atje?!
-Në mos atje, diku afër.
-Qenka vështirë të arrish?”
Motivet lirike këngëzojnë mjediset ,sepse personazhet janë të detyruar të hapërojnë nëpër labirint.
“Po njerëzit? Si përroi. Ngjasonin me njëri – tjetrin. Dy fate të përbashkëta. I pari ikën dhe mbytet në detin e madh. I dyti nga sytë këmbët s’di nga t’ia mbajë prej sojit të vet të tjetërsuar.”
Me ligjërimin rrjedhës e të çlirët, autori rindërton psikologjinë e njeriut të një rrafshi kohor të caktuar, në mjediset e Vreshtinës e Drinisë, që, mbi kode dyshimesh, kontrastesh e kundërvëniesh, lidhet sa me vendin ku jeton, aq dhe me hapësirën e bregut tjetër të liqenit.
“-E pe Drilonin? – më pyeti për ta vazhduar fillin e bisedës që e kishte menduar.
Ky provokim e meritonte një përgjigje.
-Po e pashë.
Qeshi lehtë dhe vazhdoi me pyetjet.
-Është i bukur ai?
-Shumë …”
Ndërthuren motivet e zbritjes vertikale në histori e në thelbin e qenies njeri, në identitetin autokton, si mënyrë e gjetjes së rrënjëve të vetes dhe së vërtetës. Kjo i jep romanit frymëmarrje origjinale, nxit ëndjen dhe kuriozitetin e leximit.
Pamundësia e përgjigjes së plotë, rrugëtimi i turbullt intrigohen nga mënyra si përzihen të vërtetat e thjeshta me paralele situatash që s’kanë shumë dallim. Autori shkrin kufijtë mes tyre.
“Liqeni më ngjallte trishtim. Mundohesha ta shikoj fundin e tij. Por çfarë fundi?! Ky as që kishte fund. Misteri bëhej më shumë se mister. Mos ndoshta e ka kuptuar natyrën time me të cilën e ushqej shpirtin e lënduar?”
Romancieri Vahit Nasufi nuk u jep përgjigje pyetjeve të shumta që mbushin ndërdyshjet e personazheve. Zgjidhja është vetë pyetja. Sepse “Thelbi i njeriut ka karakterin e një pyetjeje” thotë Martin Heidegger.StrugaLajm

BUJAR BALLIUStrugaLajm


Loading...
loading...