Plani i sllavëve për t’i dobësuar shqiptarët në Shkup dhe Kumanovë

Shkruan Mentor Tahiri

“Ligji mbi ndarjen administrative” i datës 18 Prill 1947 (Gazeta Zyrtare e RPS-së 17/1947), merr nga Rrethi i Gjilanit dhe ia bashkëngjitë Rrethit të Bujanocit një serë fshatrash: Kijevë, Depcë, Sefer, Stanec, Caravajkë, Peçen, Maxherë dhe Ranatoc. Me të njëjtin ligj, me qëllim të eliminimit të shumicës shqiptare në Rrethin e Shkupit, Kaçaniku i bashkëngjitet Rrethit të Prishtinës. Me të njëjtin qëllim, dobësimin e shumicës etnike shqiptare në Rrethin e Kumanovës, Presheva i bashkëngjitet Rrethit të Bujanocit. Ndryshimet territoriale të vitit 1947 i japin formë Komunës së sotme të Preshevës, por në aspektin strategjik dobësojnë praninë shqiptare në Maqedoni dhe me anë të këtyre ndryshimeve realizohet një inxhiniering etnik në Rrethet e Shkupit dhe të Kumanovës, duke i hequr strukturës së popullsisë së këtyre rretheve një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare.

“Ligji mbi territoret e komunave dhe rretheve” i datës 12 Dhjetor 1959 (Gazeta Zyrtare e RPS-së 51/59) do të ketë efekt në ndryshimin e kufirit në cepin verior të Kosovës. Me anë të këtij ligji, i hiqen Rrethit të Rashkës dhe i bashkëngjiten Rrethit të Zveçanit (Mitrovicës) këto fshatra: Beluçe, Berberishtë, Bistricë, Bare, Belo Bërdë, Borovë, Vraçevç, Guvnishtë, Krnjin, Zemanicë, Ishevë, Leshak, Miokoviç, Ostraç, Potkomnje, Rvatskë, Trebiçe, Çirkoviç, Crnatovë dhe Postenjë.

Territori i këtyre fshatrave është 197 m², respektivisht 36.5% e territorit të sotëm të Komunës së Leposaviqit. Në opinion shpesh bëhet fjalë se si Kosovës i është dhënë falë Leposaviqi. Megjithatë, përveç disa teksteve me burime të pa verifikuara, nuk ka asnjë dokumentacion zyrtar i cili dëshmon se pjesa më e madhe e Komunës së Leposaviqit ka qenë jashtë Rrethit të Zveçanit (Mitrovicës), së paku që nga ri-themelimi i këtij Rrethi pas luftës së dytë botërore. Ndarja e dikurshme administrative në segmentin Leshak-Leposaviq korrespondon me kufirin e dikurshëm Osmano-serb deri në vitin 1912, si dhe pikë-kalimin kufitar i cili gjendej në fshatin Dren.

Komuna e sotme e Leposaviqit në territorin aktual themelohet me “Ligjin mbi territoret e komunave dhe rretheve” të datës 12 Dhjetor 1959, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi me 1 Janar 1960. Me këtë ligj, hiqen rrethet si njësi administrative, konfirmohen disa Komuna ekzistuese, kurse shumica e Komunave humbin statusin.StrugaLajm

Sipas ligjit të ri të vitit 1959, nga dikur 65 komuna, territori i Kosovës (atëherë Rajoni Autonom i Kosovës-Metohisë) përbëhej nga 28 Komuna, e të cilat sipas emrave zyrtar të kohës ishin: Vitia, Vuçitërna, Gllogovci, Gjilani, Deçani, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Zubin-Potoku, Istogu, Zymi, Kaçaniku, Klina, Kamenica e Kosovës, Mitrovica e Kosovës (më vonë Mitrovica e Titos). Leposaviqi, Lipjani, Malisheva, Novo Bërda, Orllani, Rahoveci, Peja, Prizreni, Prishtina, Srbica, Suha Reka, Ferizaj dhe Shtërpca.

Pas vitit 1959 më nuk do të ketë ndryshime territoriale të Kosovës. Ndryshimet e vetme do të jenë ato të rregullimit të brendshëm territorial-administrativ. Në vitin 1966, do të shuhen gjashtë komuna të cilat ekzistonin sipas ligjit të vitit 1959. Do të shuhen Zubin-Potoku, Zymi, Malisheva, Novo Bërda, Orllani dhe Shtërpca. Pas kësaj Kosova do të ketë 22 komuna. Ky numër i komunave do të qëndrojë deri në vitet 80-të, kur për arsye politike kryesisht etnike do të formohen komuna të reja, sikurse ato në periferi të Prishtinës dhe të Mitrovicës.

Pjesë nga teksti i politikologut Mentor Tahiri me titull: “Ndryshimet e kufijve të Kosovës 1945-1959”

In : Aktuale

Loading...
loading...