Politikanë qepeni halenë!

Nga Erion Kristo

Seç kam një përshtypje se e vetmja masë serioze është ajo të cilës të gjithë i druhemi: paniku. Disa njerëz duhen tmerruar që ta kuptojnë se me sjelljet e tyre rrezikojnë jetën tonë sikur të ishin bomba. Shprehje si: s’na gjen gjë ne; si ta kemi kismet; e hëngrëm çairin; bëjnë më shumë dëm seç duket. Moskujdesi për veten; mungesa e higjienës; mungesa e vetëkontrollit; mbivlerësimi i racës sonë ariane; të gjitha këto sjellje individualiste shkojnë në dëm të tjetrit. Pra, nuk duhen parë thjesht si huqe, por si metastaza. Të heqim dorë nga zakonet tona; të mos ulemi nëpër kafe; të mos luajmë nëpër sheshe me dominora. Është hera e parë që i urrej mangësitë tona. Tanimë ato më duken vrastare. StrugaLajm

Tanimë dua njerëzit që duan jetën tek vetja dhe tek të tjerët. Përballë qenieve mikroskopike neve nuk na bën punë asnjë virtyt shpirtëror, as trimëria, as ndershmëria, asgjë. Jo e vret rakia, jo e vret hudhra. Ato hyjnë aty ku s’thuhet. Edhe një njeri të vetëm po të humbim, është e tepërt. Mos u bëni cinikë. Mendojeni si prindin apo të afërmin tuaj. Mos i fusni një mendje të lehtë. Mos bëni intervista me të infektuarit. Rrini brenda. Çfarë kuptimi ka që fëmijët rrinë në shtëpi dhe prindërit nëpër kafe? O katilë të jetës! Thirrini mendjes. Gjyshër: jemi në gjendje lufte. Mjekë të dashur: merreni kombin në duart tuaja. Politikanë: qepeni halenë. Miq: shpjegojuani gjithë njerëzve që keni pranë. Ta godasim të keqen përpara se të na godasë. Jeta nuk është DVD që ta kthejmë mbrapsht. Të bashkohemi për jetën.

In : Aktuale

Loading...
loading...